Nga: Qamil Gjyrezi
Lektor i psikologjisë aplikative dhe terapisë së artit
1.Emocioni i trupit
2.Trupi si instrument dhe frikërat e tij.
Në këtë artikull do të shkruaj për trupin e njeriut, emocionet dhe frikërat e trupit dhe lidhja e tij me muzikën dhe tingullin. Trupi i shëndoshë fizikisht i njeriut së bashku me mendjen e shëndoshë, krijojnë njeriun e ditur dhe të fortë në planin psikofizik. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Pra trupi, ana fizike e njeriut, luan një rol të madh edhe te gjendja emocionale, ndjenjat njerëzore. Trupi i njeriut ka edhe frikërat e tij, që janë energji të shprehura me ndjenja edhe emocione. Trupi luan një rol shumë të rëndësishëm në veprimtarinë psikofizike të individit. Trupin e njeriut e studion fiziologjia, biologjia, mjekësia. Trupi i njeriut është gjithashtu shumë i rëndësishëm për psikologjinë. Njohja e pjesëve te trupit, që ndikojnë dhe shprehin anën emocionale të individit, është e domosdoshme për psikologjinë. Edhe për muzikoterapinë, studimi i trupit ka një rol të madh për kurën me tingull dhe ritëm, që do të thotë me muzikë. Të gjitha pjesët e trupit kanë energji të caktuara që ndikojnë në veprimtarinë psikofizike. Trupi i akumulon këto energji dhe pastaj i vë në shërbim të funksionimit të individit. Trupi është edhe “instrument” dhe ka frikërat e tij, emocionet pozitive dhe negative. Për muzikoterapinë, studimi i emocioneve dhe frikërave të trupit është i domosdoshëm. Të gjitha pjesët e trupit kanë ngjyrë të caktuar dhe një tingull të caktuar, që është energji e cila ndikon te funksionimi i trupit. Muzikoterapeuti duhet të studiojë me vëmendje energjinë trupore dhe tingullin e trupit njerëzor dhe të përcaktojë mirë se cilët tinguj ndikojnë në përmirësimin e gjendjes psikoemocionale. Trupi i njeriut është gjithashtu i komplikuar. Prandaj kërkon një studim të mirëfilltë shkencor.
Qelizat e trupit të njeriut
Qelizat janë pjesa më e vogël përbërëse e trupit të njeriut. Në organizëm gjenden afërsisht 100 trilion qeliza. Uji përbën rreth 69% të trupit të njeriut. Nëse qelizat e gjakut do të vendoseshin njëra pas tjetrës, ato do të formonin një varg me gjatësi 96.500 km, pra aq të gjatë sa për t’i rënë rreth e qark botës më shumë se dy herë. Pjesët e rëndësishme të trupit janë: zemra, veshkat, mushkëritë, kockat, muskujt, koka, këmbët, duart, lëkura, duart, gjinjtë, fyti, fytyra etj.
Zemra
Zemra është pjesa më e rëndësishme e trupit ose “pompa” e tij. Në mënyrë që zemra të kryejë funksionin e duhur, duhet që muskuli i zemrës të jetë shëndoshë e mirë. Zakonisht zemra jonë bën 60-70 rrahje në minutë, mesatarisht rreth 2-3 miliard rrahje gjatë gjithë jetës. Zemra “pompon” gjakun në një rrjet damarësh, (enësh gjaku), me një gjatësi të përgjithshme prej 120 mijë km. Sa më e madhe që të jetë mosha e një njeriu, aq më e ngadaltë është rrahja e zemrës së tij.
Veshkat
Veshka e majtë është e vendosur prapa shpretkës, pankreasit dhe lukthit. Ndërsa veshka e djathtë është e vendosur prapa mëlçisë dhe fshikëzës së tëmthit.
Kockat
Kockat janë struktura e trupit. Para lindjes dhe në fëmijëri kockat janë të buta. Forcimi i tyre vazhdon deri në moshën 25 vjeç. Fëmijët e porsalindur kanë 350 kocka, të cilat me kalimin e kohës bashkohen midis tyre.
Lëkura
Lëkura është pjesa që mbulon mishin e trupit. Trashësia e lëkurës së trupit të njeriut ndryshon sipas vendit në trup.
Mushkëritë
Mushkëritë janë frymëmarrja e trupit. Në trupin e njeriut janë dy mushkëri, e djathta dhe e majta. Në anën e majtë ndahen në dy pulmonarë dhe në anën e djathtë në tre pulmonarë.
Muskujt dhe terapia e të qeshurës
Kur marrim një laps, në këtë veprim marrin pjesë të paktën 12 çifte muskujsh. Kur hedhim një hap marrin pjesë 200 çifte muskujsh. Kur rrudhim vetullat, 43 çifte muskujsh. Kur buzëqeshim, 17 çifte muskujsh. Harta e emocioneve mund të ndihmojë zhvillimin biomakersave (elementëve bio) për çrregullime të ndryshme dhe luan një rol në trajtimin e çrregullimit, si terapi e buzëqeshjes për ata me simptomat e ankthit.
Juan Luis Vives dhe emocionet e trupit
Juan Luis Vives (1493 –1540) ka qenë dijetar dhe humanist nga Valencia, Spanjë, i cili gjithë jetën e tij e kaloi në Holandën Jugore. Vivesi ka studiuar fusha të ndryshme të zhvillimit njerëzor. Ai ka studiuar edhe emocionet e trupit. Vivesi përfshin pikëpamjet e tij mbi emocionin. Idetë e tij ishin të ndikuara nga ideologjitë e Hipokratit në atë se si emocioni lidh biletet në trup . Ai pajtohet me besimin se “ndryshimet e ngjyrave të bileve, (vrerit) sjellin ndryshimin e emocioneve”.
Bilet, (vreri)
Vivesi besonte se “disa ngjyra të bileve të emocioneve brenda trupit të njeriut dhe trupat e ngjyrosur gjithashtu ndikojnë në emocione”. Bazuar tek studiuesi Markus Norena, Vivesi përcolli rekomandimet e Galenit mbi atë, se si llojet e ushqimit që konsumon njeriu e përcaktojnë llojin e temperamentit. Vivesi ka shkruar gjithashtu, se të gjitha emocionet tona, edhe ato negativet, në të vërtetë, janë të dobishme në shumë mënyra. Ai sqaroi se ka një potencial të tërë për të mësuar dhe rritur nga emocionet negative në ato pozitive. Theksi i tij mbi animizmin apo shpirtrat e kafshëve, u ndikua nga filozofi Rene Dekarti. Vivesi citoi në punimet e tij, se çështja qëndron se sa fuqishëm beson një njeri në moralin e vet dhe ndikimin që ka ai në vetvete “forca mentale mund të ndikojë në forcën psikike”. Sipas Vivesit, emocionet, mund të ndahen në të “nxehtë, ftohtë, lagësht, thatë dhe kombinime të këtyre të katrave”. Çrregullimet emocionale të një personi mund të rregullohen kur të aplikohet temperatura e saktë në trup.
Trupi i njeriut dhe shpirti
Trupit të njeriut i jep ritëm dhe jetë shpirti. Ai e bën trupin të shëndoshë. Shpirti është pikërisht ajo frymë e fundit që njeriu e nxjerr nga trupi kur ndërron jetë. Prej nga vjen shpirti dhe ku shkon, këtë ende askush nuk e di me siguri. Megjithatë, një gjë është e sigurt, çdo sëmundje e trupit është shenjë e qartë se shpirti vuan. Mjekët e vjetër kinezë e kanë ditur mjaft mirë se emocionet luajnë rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut. Ato janë në gjendje të shkaktojnë sëmundje edhe te njerëzit shumë të fortë. Mjafton që të godasin në vende më të ndjeshme të organizmit dhe sëmundja fillon të përparojë. Të gjitha sëmundjet të shkaktuara prej gjendjes psikike apo çrregullimit të saj në mjekësi quhen sëmundje psikosomatike. Sëmundjet shfaqen në relacionin shpirt-trup.
Zemra dhe dashuria si ndjenjë
Mjekët dhe psikologët kanë ardhur në përfundimin se, “dashuria dhe mundimi (neveria) kalojnë nëpër zemër”. Por as organet e tjera të trupit nuk janë të kursyera nga “goditjet e shpirtit”. “Shpirti i lënduar” po ashtu edhe pjesët e dukshme të trupit shpesh janë nën goditje të fortë të shpirtit, si p.sh: lëkura, shpina, duart, gjinjtë etj. Është një e dhënë interesante për të verbrit. Ata vuajnë shumë më rrallë nga ekzemat, kruarjet në lëkurë si sukrepi etj., apo nga ndonjë sëmundje tjetër e lëkurës, dhe preken më shpejt në sistemin kardiovaskular si dhe atë të frymëmarrjes dhe të tretjes.
Femrat dhe sëmundjet e ndryshme psikosomatike
Shpesh viktima të sëmundjeve të ndryshme psikosomatike janë femrat. Ato anojnë të besojnë se shkaqet e sëmundjeve të tyre trupore janë vuajtjet e natyrës psikologjike. Meshkujt besojnë më pak se, shkaktarë kryesorë të sëmundjeve trupore janë problemet psikike. Te meshkujt, zakonisht emocionet kanë afat të shkurtër të veprimit. Meshkujt në dallim nga femrat janë ekstraverte dhe zbrazen shpejt nga “mbushjet emotive”, përderisa femrat çdo gjë e mbajnë në vete dhe lehtësimin e arrijnë duke qarë.
Pjesët më të ndjeshme të trupit nga “goditjet e shpirtit”
Shpesh dikush thotë “Më dhemb shpina”. Kjo thënie ka një kuptim tejet relativ, ngase njeriu nuk e sheh shpinën e vet dhe në anën tjetër është vështirë të konstatohet se dikujt i dhemb shpina apo është reflektim i gjendjes së tij psikike. Ndjenja e vuajtjes, mundimit, pakënaqësisë, apatisë, mllefit të akumuluar, zhgënjimit, hidhërimit, shkaktojnë dhimbje në shpinë dhe rëndim në supe. Bronket dhe mushkëritë po ashtu janë nën ndikim të madh të problemeve të brendshme dhe të jashtme. Astmatikët shpesh theksojnë se diçka i zë frymën, u shtrëngon në gjoks. Arsyet janë gjithnjë të natyrës psikologjike. Edhe të sëmurët emocionalë i “shtrëngon diçka në fyt”. Ata ndihen kështu pas ndodhive dhe situatave të caktuara dhe nga njerëz të caktuar. Lëkura dhe trupi
Kruajtja e trupit, njollat e fytyrës tregojnë se personi “nuk e ndien veten mirë në lëkurën e vet”. Shikoni vetëm në sytë e dikujt që brenda ditës është zhgënjyer nga dikush që e do, dhe do të vëreni rrathë të murrmë përreth syve. Shenjat në lëkurë na tregojnë qartë se kemi dëshirë që të heqim dorë nga disa situata të jetës apo nga disa njerëz me të cilët jetojmë dhe rrethohemi.
Syri dhe shpirti
Është një thënie shumë e vërtetë antike. “Sytë janë pasqyrë e shpirtit”. Njeriu shumë gjëra mund t’i fshehë me sjelljet e veta, deklaratat, pamjen e vet, por asnjëherë nuk mund ta fshehë reflektimin e shpirtit në sy. Bebet e syve kontraktohen kur dikush na pëlqen, ndonjëherë mblidhen. Shkëlqimi në sy tregon gjendjen tonë emotive dhe atë psikike. Dridhjet, fokusimi i shikimit janë shprehje të gjendjes sonë të brendshme, por në të njëjtën kohë edhe reaksion në ngacmimet nga jashtë apo në personin që e vështrojmë. Në sytë tanë shihet gjithçka, gjendja emotive, shëndetësore, gatishmëria, etj.
Emocionet e trupit (frikërat e trupit)
Emocionet (frikërat) e trupit janë: Zemërimi, frika, neveria, lumturia, trishtimi, befasia, neutraliteti, ankthi, dashuria, depresioni, përbuzja, krenaria, turpi, zilia. Katërmbëdhjetë emocione të ndryshme si zemërimi, frika, dashuria dhe depresioni, tregojnë se cilat zona të trupit të përjetojnë emocionet më të forta. Hulumtuesit kanë gjetur se çdo emocion është shprehur ndryshe në trup dhe se në mes kulturave të ndryshme p.sh. të Evropës Perëndimore dhe Azisë Lindore reagimet kanë mbetur të njëjtë. Hulumtuesit e psikologjisë u befasuan kur zbuluan se ndryshe nga emocionet e tjera, që mund të identifikohen në pjesë të veçanta të trupit, siç është ndjenja në pjesën e fytit për neveri, gëzimi u ndje në të gjithë trupin. Ndërkohë, ndjenja e zemërimit dhe frikës sollën emocione të forta në gjoks, trishtimi dhe depresioni treguan ngacmime në këmbë dhe shputat e këmbëve.
Muzika dhe trupi
Muzika është gjuha e vibracioneve dhe në nivelin më të ulët. Vibracioni është baza e të gjithë realitetit të njohur. Muzika ka ndikim tek pjesët e trupit.
Muzika gjatë shtatzënisë dhe dhimbjet e lindjes
Muzika përdoret gjatë shtatzënisë, lindjes dhe (pas shtatzënisë), pas lindjes. Metoda Tomatis pakëson komplikacionet gjatë lindjes. Alfred Tomatis ka qenë një neurolog francez. Muzika që përdoret është ajo klasike kryesisht Moxart.
Muzika dhe të sëmurët spastik e me probleme të sistemit motorik
Muzika zvogëlon shtrëngimet muskulore, përmirëson lëvizjet dhe koordinimin e lëvizjeve të trupit. Muzika “New Age” dhe ajo klasike, popullore zvogëlojnë shtrëngimet muskulore dhe qetësojnë pacientin. Terapia vibroakustike përdor tingullin në formë të vibruar për të trajtuar disa çrregullime në trupin e njeriut. Tinguj të prodhuar më anë të vibracioneve ndikojnë tek një seri çrregullimesh fizike në trupin e njeriut. Përdorimi i tingullit është “ilaçi” që përdor kjo lloj terapie, e cila ka patur efekt të madh kohët e fundit. Në fakt, në qendrat tona të rehabilitimit nuk kemi mundësi ta kemi këtë aparat, por në vendet e zhvilluara ka përdorim të madh.
Vitafon, instrumenti vibroakustik
Teknologjia në botën aktuale ka një zhvillim shumë të madh. Edhe përdorimi i tingullit në mënyrë teknologjike ndihmon në trajtimin e një seri çrregullimesh psikofizike. Vitafon është një aparat shumë modern që përdor tingujt dhe vibracionet akustike për trajtimin e çrregullimit. Kjo terapi bëhet në vende me teknologji dhe mjekësi shumë të zhvilluar. Vitafon është zgjidhja e vetme teknologjike në terapinë vibroakustike. Kjo terapi konsideron mikrovibrimet në frekuencat 20-18000 Hertz, me amplitudë deri në 100 mikrone. Mikrovibrimet ekzistojnë tek çdo qenie njerëzore: bimët, kafshët dhe njerëzit. Burimet e mikrovibrimeve mund të jenë të brendshme te (të rrahurat e zemrës, pulsi arterial dhe aktiviteti muskulor) dhe gjithashtu të jashtme (fëshfërima e bimëve, dushi, masazhi, aktiviteti fizik për njerëzit). Duke ditur faktet, është e qartë se terapia vibroakustike harmonizohet me vibrimet bio dhe shpëton organizmin njerëzor. Vitafon kuron edhe diabetin. Me këtë shembull të teknologjisë kuptohet qartë fuqia e tingullit, muzikës për kurë për patologji dhe çrregullime të caktuara psikofizike.
Terapia vibroakustike
Terapia vibroakustike është terapia e së ardhmes. Kjo lloj terapie trajton një seri çrregullimesh, madje edhe gjendje patologjike, sëmundje të caktuara. Kjo terapi trajton: Dhimbjet të ndryshme të pjesëve të trupit, shtrëngimet muskulore gjithashtu të pjesëve të trupit, spazma të caktuara. Sëmundjet e mushkërive (astma, fibroza cistike, emphysema e mushkërive). Vuajtje të përgjithshme fizike (qarkullimi jo i mirë i gjakut). Terapia vibroakustike trajton edhe qarkullimin jo të mirë të gjakut. Tingulli ndikon për përmirësimin e nivelit të qarkullimit të gjakut. Kjo terapi bëhet në formë vibracionesh. Vuajtje psikike (ankth, pagjumësi, autizëm, depresion). Terapia vibroakustike trajton edhe këto çrregullime psikofizike me ndihmën e aparatit që vibron tingujt. Shpina, legeni, kofshët, këmbët, gjoksi, qafa, koka dhe muzika. Muzika me frekuenca të ulëta, 40-66 Hertz rezonon në pjesën e poshtme të shpinës, te legeni, kofshët, këmbët. Kur rriten frekuencat, efekti ndihet më shumë në pjesën e sipërme të gjoksit, qafës, kokës. Trupi i njeriut akumulon energji të caktuara, të cilat janë ndjenjat dhe emocionet e trupit. Këto energji ndikojnë shumë tek trupi i njeriut. Terapia e muzikës ndikon në përmirësimin e këtyre çrregullimeve të pjesëve të trupit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.