Në fokus

May 22, 2016 | 7:42

Truri në pubertet… një kantier i madh ndërtimi

rezartaPapritur duket sikur nga një planet i panjohur ka zbritur një qenie e çuditshme. Ku u zhduk fëmija i dikurshëm plot gaz dhe optimizëm dhe nga erdhi ky alien i pakuptueshëm? Më parë për sjelljet e çuditshme, shpërthimet emocionale të papritura, moskuptimin e interesave dhe kontradiktat me të rriturit në moshën e pubertetit, përgjegjës bëheshin vetëm hormonet. Vërtetë që këta të fundit janë shkaktarët e fillimit të sjelljeve pubertore, por ata nuk janë të vetmit përgjegjës të këtyre ndryshimeve madhore. Studiuesit kanë filluar të konsiderojnë edhe procese të riorganizimit të trurit si ndikues të fuqishëm të sjelljeve pubertore. Që në ditët e para të jetës e në vazhdim, përvojat dhe motivacionet bëjnë të mundur krijimin dhe stabilizimin në tru të një sërë lidhjesh të qëndrueshme midis qelizave nervore (të ashtuquajturat synapse). Deri në moshën e pubertetit (dhe pas kapërcimit të saj), pjesë të ndryshme të trurit koordinohen në mënyrë të ekulilibruar duke vlerësuar me saktësi përvojat, dëshirat, të rejat, kujtimet dhe emocionet. Në fillim të pubertetit këto lidhje midis qelizave trunore në fillim pësojnë një rritje të shpejtë, por në një moment të caktuar sasia e tyre ulet në mënyrë të menjëhershme: ato lidhje që nuk përdoren bllokohen tërësisht. Ky proces përfshin të gjitha zonat e trurit të adoleshentëve, vetëm se kjo nuk ndodh në mënyrë të njëkohshme. Ky fenomen mbart pasoja jo të vogla në shfaqjen e sjelljeve të caktuara. Kur ajo pjesë e trurit që është përgjegjëse për planifikimin, gjykimin e rrezikshmërisë dhe vlerësimin e situatës është në rikonstruksion e sipër, atëherë adoleshentët kanë vështirësi në marrjen e vendimeve racionale. Ndaj dhe për të marrë një vendim të caktuar ata mbeten nën ndikimin e zonave të tjera ende “të pandryshuara”, si p.sh i ashtuquajturi sistemi limbik. Ndër të tjera, ky i fundit është përgjegjës për ndjenja të tilla, si ankthi apo zemërimi. Disa studiues besojnë se në këtë fazë, një pjesë e këtij sistemi merr përsipër të kryejë edhe punën e atyre zonave të trurit që janë përgjegjëse për gjykimet racionale. Ndaj dhe adoleshentët, shpesh marrin vendime të cilat orientohen më shumë nga ndjenjat se sa nga llogjika. Edhe sistemi i shpërblimit në trurin e adoleshentëve funksionon jo në të njëjtën mënyrë si në rastin e një fëmije apo të rrituri. Kur truri shpërblen vetveten (p.sh pas arritjes së një suksesi), atëherë në organizëm çlirohet dopaminë. Por ky sistem-çlirimi nuk funksionon në mënyrë të ekuilibruar tek adoleshentët. Kur çlirohet një sasi e pakët dopamine, kjo bën që ata të mos ndjejnë asnjë lloj shpërblimi dhe të kërkojnë gjëra edhe më të pamundura. Ndërsa një sasi e madhe dopamine sjell një mbingopje të sistemit të shpërblimit dhe të rinjtë nuk ndjejnë më asnjë shtysë apo motivacion për të kryer diçka. Ata ndihen apatikë dhe të trishtuar. Dhe së fundi, ndryshimet në tru janë përgjegjës edhe për një fenomen të njohur: vështirësitë për të fjetur herët në mbrëmje dhe për t´u zgjuar në kohë në mëngjes. Shkaku për këtë qëndron në çlirimin deri në dy orë me vonesë të hormonit të fjetjes melatonin. Kështu më e llogjikshme do të ishte që në përgjigje të fiziologjisë trupore, edhe mësimi për këtë grup moshe të fillonte në një orë më të vonë.

 

Pubertet që në shkollën fillore

Me një “Natën e mirë” të thatë ngrihen nga tryeza për t´iu drejtuar dhomës, në derën e së cilës prej disa kohësh se nga është ngjitur një poster me fjalët: “Ndalohet rreptësisht hyrja!!!”. Një alaram i lehtë ju merr përkohësisht qetësinë, por gjithsesi përpiqeni t´i mbushni mendjen vetes se nuk ka se si të ketë ardhur ende “koha e vështirë”. Engjëlli juaj sapo ka mbushur 9 vjeç. I erdhi vërtetë fundi fëmijërisë …? Është fakt se në këto 150 vitet e fundit, tendenca e hyrjes në fazën e pubertetit në moshë gjithnjë e më të re, po e ruan drejtimin e saj. Kështu statistikat provojnë se ndërsa në vitin 1860 kjo fazë për vajzat fillonte mesatarisht në moshën 16, 6 vjeç, ajo më vonë ka ardhur vazhdimisht duke u ulur: 14, 6 vjeç (viti 1920), 13,1 (viti 1950), 12,5 (1980) dhe 12, 2 (1994). Për vitin 2010 mendohet se mosha mesatare e fillimit të menstruacioneve nuk do t´i kalojë 10-11 vitet. Edhe djemtë nuk përjashtohen nga ky rregull. Të dhënat e mbledhura në vendet e industrializuara tregojnë se për djemtë fillimi i pubertetit nga 12,6 vjeç në vitin 1994, është ulur në vlerën 14, 2 vjeç në vitin 1980. Shkencëtarët arsyet për këtë zhvillim i gjejnë tek mënyra gjithnjë e më e mirë e të ushqyerit dhe në përmirësimin e shërbimit shëndetësor të popullsisë. Të dyja këto çojnë në një rritje më të shpejtë të peshës dhe të madhësisë trupore që është një kërkesë themelore për fillimin e pubertetit dhe të proceseve të lidhura me të. Por edhe përdorimi gjithnjë e në rritje i produkteve yndyrore që çojnë në rritje të shpejta të peshës (ndër to ushqimet Fastfood), përbën një nga shkaqet e uljes së moshës së fillimit të pubertetit. Mbipesha në vendet e industrializuara është një fenomen gjithnjë e në rritje në moshat e vogla. Studiuesit mendojnë se sa më shumë yndyrna të zotërojë trupi i një vajze, aq më herët vijnë edhe menstruacionet. Ndërsa sjellja pubertore për disa fëmijë fillon aq herët saqë ajo mund të konsiderohet si një fazë “prepubertore”. Në rastin e vajzave kjo fazë mund të ndihet që në moshën 9-vjeçare, mesatarisht 1-2 vjet më parë se te djemtë. Më vonë ajo kalon rrjedhshëm në pubertetin e zakonshëm. Zakonisht pasqyra e sjelljeve prepubertore është e të njëjtit tip me atë të pubertetit, por me shfaqje më të theksuara papjekurie.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top