Specialistët përsërisin: Një “mama e mirë” lejon që një baba të “zërë vendin e vet”. Por si t’ia bëjmë që babait të mos i mbetet një rol dytësor?
Themi: sot baballarët kanë ndryshuar. Janë më të disponueshëm sigurisht, krahasuar me 30 vjet të shkuara, për të përgatitur biberonin e bebit, për ta ndërruar në zemër të natës, duke e minimizuar hapësirën në dispozicion të futbollit ose televizionit në favor të fëmijëve të tyre. Sondazhet thonë se 53.4 % e burrave e shfrytëzojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre të lirë për fëmijët. Koha është dyfishuar në 14 vitet e fundit: nga 27 shkon në 45 minuta në ditë. E megjithatë, baballarët sërish thonë se janë të përjashtuar nga raporti nënë-fëmijë dhe jo pak prej tyre ankohen se nuk janë më shumë sesa një bankomat. Ndjesi e zakonshme, pasi nga njëra anë mamatë, së paku në nivel të pandërgjegjshëm, janë më të lidhura me fëmijët, e nga ana tjetër edhe shoqëria nuk është plotësisht gati për këtë shndërrim mashkullor. E megjithatë, figura e babait mbetet themelore në rritjen e fëmijës: “I pranishëm ose jo, kompetent ose jo, është një pikë referimi që ndihmon në krijimin e identitetit të fëmijës së vet”. Nevojitet pra t’u lëmë hapësirë.
Babai mund të ketë pikëpamjen e tij që, jo domosdoshmërisht përkon me atë të nënës. Duhet të jenë të lirë ta shprehin. Është një “tjetër” prind, i njëjtë dhe i ndryshëm. Nuk duhet pretenduar të jeni babai ideal, mjaft të jeni një baba real. Nga këndvështrimi psikik, fëmija rritet si një sintezë e pikëvështrimeve të ndryshme.
Babai, “i treti i papërshtatshëm”
Çdo marrëdhënie dyshe priret të mbyllet e sidomos ajo nënë –fëmijë. Babai “i treti i papërshtatshëm” ndërhyn duke e ndihmuar fëmijën të zbulojë botën që ekziston përtej përqafimit mëmësor. Në substancë është i vetmi person që mund të presë kordonin ombelikal, para se fëmijës t’i shndërrohet në një lak. Por është edhe një edukator i plotësuar. Futbolli, automobilat… nuk janë një kohë e shkuar dëm, por edhe një mënyrë edukimi… Baballarët janë më “destabilizues” se nënat, i shtyjnë fëmijët të përballen me problematika të panjohura, duke respektuar rregulla të qarta. Nëse fëmijët shqiptojnë keq një fjalë, nuk sforcohen si gratë e tyre për t’i kuptuar, por japin formulimin e qartë. E detyrojnë fëmijën të përdorë një gjuhë të kuptueshme nga të gjithë.
Të përfshirë qysh nga lindja
Baba stimulues dhe mama mbrojtëse? Përcaktimi nuk është kaq i qartë, sidomos në kohët e sotme. Nëse dikur baballarët nuk përfshiheshin në çështjet e detyrave shkollore të fëmijëve të vegjël, sot përfshihen. Ndonjëherë babai ka nevojë për ndihmë që të luajë rolin e vet. Për shembull, duke ia bërë të ditur se fëmija ka vetullat e tij. Është një mënyrë që e ndihmon për të gjetur vendin e vet, pasi ndërgjegjshëm ose jo, një baba s’mund të jetë i sigurt që fëmija është i veti. Por nevojitet edhe t’i lihet kohë. Disa gra janë të shqetësuara se pse baballarët e fëmijëve të tyre tremben të merren me të vegjlit, nga frika se mos humbasin identitetin mashkullor. “Kur fëmija im lindi, isha unë që e preva kordonin ombelikal dhe i bëra banjën e parë. Pastaj unë dhe ime shoqe i ndamë detyrat” – thotë Edi. Fundja është një detyrim, por edhe kënaqësi.
Kthehuni në pozicionin tuaj si dashnorë
Disa gra tremben se mos burrat u shkelin kufijtë e territorit të tyre. Statusi i nënës shihet si një shenjtëri. Por mund edhe të kompensojë relacionin dashuror. “Pas lindjes së fëmijës, ime shoqe dukej fare e painteresuar për jetën tonë në çift. U bë një mama me M të madhe, gjithnjë në dispozicion të fëmijës, ndërsa mua sikur më fshiu me gomë” – dëshmon Agroni. T`i krijosh hapësirë baballarëve nënkupton të kujdesesh edhe për raportin dashuror dhe të vazhdosh të rrethohesh nga dëshira për marrëdhënien në çift. Përcaktoni disa momente për të dy…
Mos i merrni të gjitha kompetencat
Shpesh babai i lë fushë të lirë veprimi nënës në planin edukativ. Shumë vetë e konsiderojnë edukimin e fëmijëve si monopol të grave. Dhe pastaj flitet për “hiperpërgjegjësi” të nënave. Sipas studimeve të terapeutëve, vetë gratë ankohen se babai nuk di të marrë rolin e vet. Nga ana tjetër, burrat thonë se ka diçka që nuk shkon: “Ime shoqe kërkon që unë të merrem me djalin sa herë që asaj i intereson kjo gjë. Është si një lojë futbolli në të cilën unë kam ndjesinë se jam në stolin e rezervave”. Epo, kështu nuk funksionon.
Pranoni këndvështrimet e ndryshme
Babai mund të ketë pikëpamjen e tij që, jo domosdoshmërisht përkon me atë të nënës. Duhet të jenë të lirë ta shprehin. Është një “tjetër” prind, i njëjtë dhe i ndryshëm. Nuk duhet pretenduar të jeni babai ideal, mjaft të jeni një baba real. Nga këndvështrimi psikik, fëmija rritet si një sintezë e pikëvështrimeve të ndryshme. Është si një fëmijë me mama që privilegjon jetën intelektuale dhe një baba që privilegjon aktivitetin fizik dhe përfundon duke u bërë gazetar sportiv…
Në çdo moshë… nevoja e babait
Psikologet e sintetizojnë rolin e babait në tri etapa bazë të rritjes:
Foshnjëria: me praninë e tij, babai pret në mënyrë simbolike kordonin ombelikal, duke lejuar që i vogli të shkëputet nga nëna për të ndërtuar, hap pas hapi, ekzistencën e vet.
Fëmijëria: babai nxit kapërcimin e kufijve, duke e shtyrë fëmijën drejt horizonteve të reja dhe stimulon kureshtjen. Paralelisht e përball me realitetin, duke e bërë të dalë nga iluzioni për të qenë i gjithëfuqishëm.
Adoleshenca: babai luan një rol të rëndësishëm në identitetin seksual të fëmijës: për djemtë është personi me të cilin identifikohen dhe përballen. Për vajzat është ai që duke u hedhur një vështrim mashkullor, i siguron për feminilitetin e tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.