Disa këshilla praktike për dekorin e shtëpisë sonë:
Një nga simbolet më të rëndësishme të festave të fundvitit është bredhi i vitit të ri. Në varësi të hapësirës që keni në ambientin e ndenjes, mund të zgjidhni madhësinë dhe formën e duhur. Është e rëndësishme që mjetet dekoruese të përzgjidhen në dy ngjyra të vetme, të cilat të jenë të përshtatura me dekorin rrethues të ambientit.
Poçat, fjongot, yjet, zilet e kambanat janë objekte zbukuruese që vendosen te bredhi, por disa prej tyre mund të vendosen edhe në ambiente të tjera rreth shtëpisë, mjafton të zbulojmë kreativitetin tonë.
Merrni disa kuti boshe, të cilat mund t’i vishni me letra shumëngjyrëshe dhe vendosini përreth bredhit. Improvizoni një kënd pranë bredhit për të vendosur dhuratat që do të shkëmbeni me njëri-tjetrin.
Varni çorape të kuqe që personalizojnë Krishtlindjen, në pjesë të ndryshme të shtëpisë, duke shkruar në to mesazhin tuaj për secilin pjesëtar të familjes. Është simbolike dhe përçoni një urim origjinal për të dashurit tuaj.
Përdorni sa më shumë qirinj dekorues dhe aromatikë në ditët e festave. Ato jo vetëm lëshojnë një aromë të këndshme, por nën dritën e tyre atmosfera e shtëpisë është më e ngrohtë sesa nën ndriçimin e llambave. Vendosini ato në kënde të ndryshme të shtëpisë dhe në tavolinën e darkës së madhe. Mos harroni engjëjt, që mund t’i gjeni në materiale të ndryshme dekoruese. Qoftë të vendosur mbi objekte, te bredhi, në mure e kudo.
Dritat në brendësi të dritareve. Reflektimi i tyre pas perdeve në ambientin e brendshëm ka një impakt të veçantë dhe të ngrohtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.