Editorial

January 19, 2022 | 8:07

Tualeti si kryefjalë, shou që tregon shumë për higjienën tonë

 

Nga Orjona Tresa, gazetare

 

Që do të bëhej ndonjëherë kryefjalë tualeti, banjo apo thjesht WC-ja…, në një format televiziv, kjo nuk është për të bërë habi. Është mëse normale sepse herë pas here përbën temë. Sjell problematika provokuese, sidomos në një bashkëjetesë të sforcuar me persona të tjerë. Por padyshim në një shfaqje televizive vetë tema merr përmasa të tjera. Cenohet etika, aty, por edhe liria, gjykimi, nënshtrimi përmes fjalës që në vetvete trasmeton një akt… Megjithatë, diku duhet folur, sepse pesha e abuzimit me këtë mjedis intim, nuk mund të përdhosë cilësinë e jetës së tjetrit.

01

Higjiena është prioritet për të gjithë, – flas për njerëz të qytetëruar, – pavarësisht mënyrës së jetesës së gjithsecilit. Në grup merr edhe më tepër rëndësi. Ti nuk zgjedh të bësh si të duash, ti je i lutur të respektosh hapësirat publike të përbashkëta, bashkë me pastërtinë dhe rregullat e higjienës. Ka përgjegjësi dhe përgjegjshmëri për të treguar.

Shou televiziv “Big Brother” nisi me debatin e mbrëmjes së të martës së mes janarit, ku njëri prej banorëve, balerini i njohur Ilir Shaqiri, i tregon banorit tjetër, aktorit dhe piktorit Donald Veshaj, se nuk i pastron ato që lë pas. E shpifur e gjithë situata, bashkë me “denoncimin” dhe ngërdheshjen e fytyrës nga ana e të ofenduarit në këtë rast. Gjithsesi jo aq sa për t’u habitur, kur ne si shoqëri në fakt jetojmë në një vend e hapësirë… ku të vjen turp dhe pështirë të hedhësh një hap sepse mund të ndotesh.

Tanimë po flas për mjedisin jashtë shtëpisë më të famshme në Shqipëri”. Sepse ajo në fund të fundit është veç një simbolikë e vogël e treguesit të një shoqërie më të madhe.

Për ne që jetojmë në kryeqytet, “dinamika” e kësaj gjëje është kaq e shëmtuar, sa të vjen keq që jeton pikërisht në qytetin më të madh të vendit.

Sa del nga dera e shtëpisë njollosesh nga këpucët se banori katërputrosh i shkallës tënde ka zgjedhur të defekojë në hyrje. Dhe katërputroshët nuk janë më të pakët në çdo hyrje pallati. Ata janë shtuar si me magji, kudo mes nesh. Ca kanë si habitat apartamente të mira me ajër të kondicionuar dhe të tjerë jetojnë pranë kazanëve të mbeturinave, ashtu si u vjen jeta.

Por, sa ke treguar vëmendje me hapat e parë, duke iu shmangur mbetjeve të pështira, të pret në besë “rracioni” i radhës. Nuk është një pjatë supe sigurisht. Një tjetër katërputrosh, nga të shumtit që jetojnë brenda kompleksit që mbahet si territor i VIP-ve, i ka lëshuar mbetjet e tij pak më larg nga kolegu me detyrë “security zonjash”, në cep të pallatit.  Kësaj here je krejt i papërgatitur dhe pa vëmendje tërheq dhe i çon zvarrë mbetjet, deri sa të gjesh mundësinë të pastrosh tabanin e këpucës tek ndonjë pellg uji i rastësishëm. E zhyt këmbën në ujë mirë e mirë deri sa të largosh pjesën më të madhe të pisllëkut, por nëse nuk ia del, të duhet ta mbash ngjitur pas këpuce e të durosh aromën e hidhur, deri në mundësinë tjetër për të shpëtuar nga i gjithë ky makth. Sepse për pak metra duhet të futesh në zyrë, gjithashtu me ajër të kondicionuar, ngaqë të fillon orari zyrtar, pra duhet të çekosh në kohën e duhur nëse nuk do që të të hiqet dita e punës.

1

Ky është refreni i çdo dite. Nuk mbaron kurrë. Dhe as ka shpresa.

Çdo trotuar i Tiranës, pemë apo objekt qelbet nga mbetjet e qenve me zot, të cilët aspak për çudi, nëpër shtëpi trajtohen si mëkëmbës mbreti dhe lahen me shampo të importuar. Dhe këtu as etika dhe as cipa nuk hyn në punë. Njerëz të veshur mirë, të parfumosur, që nuk u bën përshtypje se kultura të tilla të treguara në publik, me botën shembull 30 vjet përmes modeleve, as që kanë dashur t’i mësojnë e aq më tepër t’i praktikojnë.

2

E pra, nëse kjo çështja e WC-ve u ngacmon sedrën disave, shumicës jashtë kamerave televizive, duhet t’i bëjë realisht përshtypje që jetojnë në një mjedis të ndotur me mbeturina ushqimore trupore të kafshëve. Dhe qentë nuk janë nga ato kafshë që prodhojnë pleh kimik apo humus, përkundrazi, mbetjet e tyre janë HELM.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top