Me përparimin e teknologjisë, sjelljet e mira kanë qenë “të detyruara” që dhe ato të marrin trajta të reja. Dhe ja se cilat janë rregullat e reja të sjelljes.
Në vendin e punës
Nëse jeni në mbledhje dhe të gjithë kanë hapur laptop- ët për të marrë shënime, mos e lër veten të joshesh nga lundrimi në internet ose nga leximi i e-mail-eve. Nëse doni që të tjerët t’ju kushtojnë vëmendje, edhe ju duhet t’i kushtoni vëmendje të tjerëve. Mos bisedo, sidomos me zë të lartë, kur punoni me kolegë të tjerë në një hapësirë të përbashkët. Dilni në ballkon, në një vend ku të tjerët nuk do të jenë “të detyruar” të dëgjojnë thashethemet e fundit, të cilat lidhen me familjen tuaj apo rrethin e ngushtë shoqëror. Në një takim/mbledhje mos e vendosni telefonin mbi tavolinë, vetëm në rastet kur prisni një telefonatë të rëndësishme e cila mund të ketë lidhje me punën. Do të jeni të “joshur” të verifikoni orën ose nëse keni marrë e-mail-e të reja. Vendosni automatikisht mesazhin “jashtë zyrës” në ditët kur nuk jeni në punë. Kushdo që ju shkruan do ta kuptojë se duhet të kontaktojë me dikë tjetër në raste urgjente dhe nuk do të presë më kot një përgjigje nga ju.
Sjelljet ditore
Mos u stresoni nëse dikush nuk i përgjigjet menjëherë telefonatës suaj apo sms-së. Mos insistoni me dhjetëra thirrje të tjera. Lini një afat kohor, e nëse ende personi nuk është i arritshëm dhe gjërat për të cilat doni të bisedoni me të janë të rëndësishme, atëherë insistoni! Kur ndodheni në një sallë spektaklesh: teatër, opera, kinema, fikni telefonin ose të paktën vendoseni atë me dridhje. Në çdo rast, evitoni të verifikoni mesazhet e reja ose orën, sepse të gjithë do të ndihen të bezdisur nga drita e celularit. Mos dërgoni mesazhe me lajme të këqija. Në rastin më të keq, merrni në telefon. Mesazhet janë lehtësisht të interpretueshme dhe janë shumë “personale”. Mos u bëni pjesë e bisedave të gjata në hapësira publike, kur të gjithë mund t’ju dëgjojnë. Zonja e ulur afër teje në autobus, për shembull, nuk është aspak kurioze për të dëgjuar çfarë ke bërë ti dje në një takim privat.
Mediat sociale
“Mos e ndaj çdo gjë me botën”, është e barasvlershme për çdo rrjet social. Përndryshe, rrezikoni të mërziteni dhe të bezdisni miqtë. Megjithëse keni përshtypjen se atë çfarë keni shkruar është kuptimplote, mos u habitni se mund t’ju etiketojnë si “jo miqësor”. Kujdes kush mund të vizitojë dhe të shohë profilin tuaj në Facebook. Nëse vendosni të bëni friend shefin tuaj, duhet të filtroni me shumë kujdes informacionet që postoni. Është e udhës të mos e bëni këtë miqësi, përveç ndoshta Linkedin-it!
Media sociale, arma jote sekrete!
Jetojmë në vitet e mjeteve tip social media, dhe ti sigurisht, je i/e lidhur me këto. Çelësi është të dish si t’i përdorësh, jo vetëm për t’u argëtuar, por edhe për të zhvilluar personalitetin. Me siguri ke hapur një profil në një nga rrjetet sociale më në trend, si Facebook-u. Duke qenë se është bërë normalitet të kesh një të tillë, kryesisht për t’u zbavitur dhe për të krijuar lidhje me persona të rinj, është më interesante të zbulojmë si mund ta përdorësh këtë rrjet për “të shitur” më mirë imazhin tënd ose për të promovuar një aktivitet personal. Rrini të qetë! Nuk duhet të udhëhiqni një perandori që të përdorësh në mënyrë efikase median sociale, por me siguri do të ndihesh i inkurajuar të dish se mbi 69% të kompanive multinacionale e kanë përdorur këtë mundësi gjatë vitit 2012 për promovimin e produkteve të tyre. Shiko çfarë duhet të mësosh!
Sa më shumë mundësi, aq më shumë zgjedhje
Çdo media sociale përbën një mjet të rëndësishëm për të “shtrirë” sa më shumë njohjen e biznesit tënd, dhe intensiteti i vënies në dukje të tij, rrit shanset që produkti apo shërbimi që ti ofron të njihet më shpejt. Megjithatë, është mirë që rrjeti i zgjedhur si platformë për promovimin e biznesit tuaj të përputhet me profilin dhe grupin e saj. Ështe e rëndësishme të dish se, nëse ke ndërmend të zhvillosh markën personale apo biznesin në përgjithësi, duhet të zgjedhësh mjetet e përshtatshme për synimin tënd, dhe për më tepër, këto rrjete të jenë të ndërlidhura për të pasur mundësi të zgjerosh publikun, sugjerojnë specialistët në mediat sociale. Konkretisht, nëse ke një blog për modën apo me propozime për receta kuzhine, atëherë mund të promovohesh në Instagram, më pas fotot t’i postosh në faqen tënde në Facebook, Twiter etj. Një tjetër “sekret” për të apasionuarit pas modës, të cilët kërkojnë për t’u bërë emër i njohur, është portali: Ployvore.com – një mënyrë e shkëlqyer për të praktikuar aftësitë e tyre për sa i përket stilimit. “Nëse ju keni një bar-kafe apo një restorant, atëherë ju mund ta nxirrni atë në Facebook, Twitter ose Foursquare, një rrjet jo shumë popullor në Shqipëri, i bazuar në përcaktimin e vendndodhjes dhe i menduar si një lojë. Çdo rrjet ofron një “databazë” me njerëz me prejardhje të ndryshme, kështu që pasi të regjistroheni nëpër shumë të tilla, (Twitter, Tumblr, Pinterest, LinkedIn), lidhini ato me Facebook-un tuaj ose promovojini ato nëpër link-e të ndryshme për të bashkuar listat e miqve, të cilët mund të ndihmojnë në suksesin tuaj. Dhe këshilla më e rëndësishme kur hapni llogari të shumëfishta në faqet sociale: ju duhet të postoni vazhdimisht dhe në mënyrë konstante mbi to.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.