Universiteti “Luarasi” organizoi në Tiranë konferencën e parë shkencore ndërkombëtare, mbi ekonominë, globalizmin dhe identitetin. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Luarasi, Profesor Sherif Bundo shprehet se kjo konferencë i kalon kufijtë e Shqipërisë, pasi në të marrin pjesë ekspertë dhe kërkues shkencorë nga universitete prestigjoze europiane.
“Partner kryesor në organizimin e kësaj konference është Universiteti i Poitiers në Francë, janë dy fakultete me orientim ekonomik në Universitetin e Poitiers, Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Instituti i Administrimit të Ndërmarrjeve. Kemi referues që vijnë nga Universiteti i Hong Kongut, nga Universiteti i Torontos në Kanada, nga Lozana në Zvicër, nga La Sapienza në Romë, por edhe nga London School of Economics, por edhe partnerë vendas”, tha Bundo.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përgëzoi Universitetin Luarasi për organizimin e kësaj konference, teksa paraqiti shifrat më të fundit të ecurisë së ekonomisë shqiptare.
“Gjej me vend të përgëzoj Universitetin Luarasi për kontributin e vyer në edukimin e brezit të ri, duke u shndërruar brenda një horizonti të shkurtër kohor në një nga institucionet prestigjioze të edukimit në vend” tha guvernatori i BSH.
Zëvendësministrja e Turizmit Ilva Gjuzi, bëri një pasqyrë të shifrave të rritjes së flukseve turistike të këtij viti, që e rendisin Shqipërinë të parën.
“Të dhënat e 2024 tregon që jemi vendi i parë në Evropë për rritjen e flukseve në Evropë dhe i dytë në botë”, tha zv.ministrja.
Idetë janë ato që i çojnë përpara shoqëritë u shpreh profesor Fatos Tarifa, e ku më mirë se në Universitet, mund të diskutohet për ide të tilla. “Jo vetëm idetë akademike, por edhe idetë shoqërore janë ato që e kanë çuar përpara zhvillimin shoqërore. Ne mund të prodhojmë shumë gjera, por pak ide. Nuk e dimë cilat ide tërheqin publikun shqiptar” tha Tarifa.
Ndërsa zv/rektorja e Universitetit Luarasi, Anni Dasho, e cilësoi këtë konferencë si një laborator idesh, që mund të vihen në jetë, qoftë nga biznesi apo nga qeveria.
“Konferencat janë laboratorët e gjenerimit të ideve, biznesmenët i kthejnë idetë e këtyre laboratorëve në misioni biznesi, ndërsa politika dhe qeveritë në politika publike”, u shpreh Dasho.
Profesor Et’hem Ruka, rektor i Luarasit, gjatë fjalës së tij e vuri theksin te roli që edhe universitetet duket të kenë në aspiratën e Shqipërisë për t’u integruar në BE.
“Rreth ekonomisë rrotullohen të gjithë sektorët e jetës. Një ekonomi e fortë do të thotë mirëqenie, siguri, arsim më i mirë, një turizëm më i mirë. Axhenda 2030 kërkon impenjim në të gjitha sektorët, përfshi edhe arsimin e lartë”, u shpreh rektori Ruka.
Konferenca të tilla, janë një kontribut i çmuar për ekonominë shqiptare, pasi japin mendime dhe ide që i shërbejnë jo vetëm rritjes së cilësisë akademike, por përfundimet e diskutimeve mund të vihen në zbatim nga institucionet, në funksion të qëllimit të përbashkët për rritjen e ekonomisë shqiptare.
Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka, në fjalën e tij në Konferencën Ekonomike të Universitetit Luarasi foli për atë që ishte diskutuar në Konferencën Ndërqeveritare, në praninë edhe të kryeministrit shqiptar.
Ruka deklaroi se në Konferencën Ndërkombëtare u vendos që të krijohet një ligj, që quhet Lidhja e Sipërmarrjes në Arsim. Et’hem Ruka tha se me këtë ligj, synohet që në Shqipëri të vijnë më tepër studentë të huaj. “Ekonomia është e rëndësishme jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë globin, pasi ndikon mbi të gjithë sektorët e jetës. Një ekonomi e fortë do të thotë mirëqenie, siguri, do të thotë arsimim më i mirë, do të thotë turizëm më i mirë, do të thotë infrastrukturë më e mirë. Kërkoj ndjesë që nuk isha në prezantimin e parë, por ne sot kishim një konferencë ndërqeveritare, me praninë e kryeministrit, ministrit të Jashtëm, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit. Ngado ta rrotullojmë, prapë dalim te ekonomia. Arsimi i lartë ka shumë sfida, me të cilat ballafaqohemi.
Agjenda 2030 kërkon impenjim nga të gjithë sektorët dhe fushat e vendit, duke përfshirë dhe arsimin e lartë. Ne kemi nevojë të rrisim cilësinë e arsimit të lartë, të rrisim kërkimin shkencor dhe komunikimin me ndërkombëtarët. Fokusi kryesor në konferencë ishte “studenti ndërkombëtar”. Shumëkush do pyesë se çfarë lidhje ka kjo me ekonominë. Ne të gjitha universitetet e sektorit jopublik kemi krijuar një ligj, që quhet Lidhja e Sipërmarrjes në Arsim, që ka për detyrë të bëjë studime, të rrisë bashkëpunimin e kohezionin mes universiteteve tona dhe të ngremë disa probleme, që lidhet kryesisht me sjelljen e studentëve të huaj në Shqipëri. Mbretëria e Bashkuar ka 700 mijë studentë të huaj dhe kuptoni të ardhurat që vijnë nga këta studentë. Edhe fqinjët tanë kanë shumë studentë të huaj.
Numri i studentëve të huaj në Shqipëri është shumë i kufizuar. Jemi në një kohë që turizmi ka shkëlqyer dhe ishte një punë e shkëlqyer e qeverisë, me anë të projektit Rilindja Urbane, pa të cilin nuk do ta kishim këtë standard. Studentët janë para që i vijnë Shqipërisë. Kemi ecur shumë edhe në turizmin detar. Edhe kirurgjia plastike ka njohur rritje të mëdha. Edhe ne duhet të futemi në këtë treg, që t’i sjellim të ardhura vendit, gjithashtu promovohet vendi. Duhet të ndjekim shembuj nga vendet perëndimore. Kemi rregulla që janë absurde për studentët e huaj, i themi se duhet të ketë llogari në bankë të nivelit të dytë, ndërsa ai ende nuk ka marrë vizën ose kërkohet një shumë e caktuar.
E dimë që ndoshta nuk marrim studentë nga vendet e zhvilluara, por mund të marrim nga vendet e treta. Më vjen mirë që konferenca është serioze, që trajton një temë delikate, siç është ekonomia. Ju të pranishmit këtu jeni specialistët më të mirë të vendit sa i përket fushës së ekonomisë. Falënderoj sidomos prof. Sherif Bundon, që është miku ynë, është emëruar dekan i Fakultetit të Ekonomisë tek Luarasi. Që në ditën e parë që prof. Bundo shkeli në universitet, kërkoi që të bëhet konferencë, shenjë kjo që gjërat janë marrë tepër seriozisht. Me pasion gjithçka është e mundur.
@Gazeta Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.