Në fokus

March 29, 2017 | 10:25

Universiteti LUARASI, Suela Lala leksion të hapur me juristët e ardhshëm, sfidat te personat me aftësi të kufizuar

Suela Lala është diplomuar në shkencat juridike. Ngjarjet e rënda të ’97-ës ndryshuan rrjedhën e jetës së saj. Për shkak të një aksidenti fatkeq, ajo mbeti e paralizuar. Mirënjohëse ndaj ish-ministrit të Financave, Arben Malaj, sot rektor në Kolegjin Universitar Luarasi, ajo rrëfehet se ai ka qenë engjëlli mbrojtës që e bëri të dalë nga errësira në atë periudhë. Sërish bashkë për një kauzë të madhe, ata kanë mbajtur një leksion të hapur me të rinjtë që studiojnë për drejtësi te Luarasi.

17554328_10212620148326433_6403536912651463593_n

Si një njohëse e mirë e sfidave dhe vështirësive me të cilat një person me aftësi të kufizuar në shoqërinë shqiptare përballet përditë, Suela ka bashkëbiseduar me të rinjtë, duke kërkuar ndërgjegjësimin për situatën dhe të drejtat e këtij komuniteti. suela-lalaIniciativa e saj synon një ndërgjegjësim ndërinstitucional, shoqëror, mediatik e ligjor, me qëllim që të ndikojë në përmirësimin e jetesës së këtyre personave si dhe në integrimin e plotë të tyre në shoqëri. Suela Lala foli për nevojat e personave me aftësi të kufizuara, dhe kushtet që u duhen garantuar për të zhvilluar një jetë normale dhe pa privime.

17522784_10212620148366434_6502780131359241776_nKy model frymëzues do të pasohet edhe në të tjera takime me përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile dhe me figura kyçe në 10 qytete të Shqipërisë, si në Burrel, Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Vlorë, Berat, Elbasan dhe Korçë. Kjo nismë gjithashtu ka mbështetjen e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe prezenca e OSBE në Shqipëri. Ndryshimi nuk mund të ndodhë vetëm falë forcës dhe vullnetit të mirë të Suelës, por duhet mobilizuar një sistem i tërë i dedikuar ndaj kësaj kauze.

***

Suela Lala në një intervistë të botuar në shkurt të vitit 2012, ka rrëfyer për jetën e saj në kushtet ku gjendet. Intervistuar nga Ermira Isufaj, rikthejmë në vëmendje ndjesitë e kësaj të reje, që pavarësisht terrenit të vështirë, ka ditur t’ia dalë në jetë, duke i marrë asaj pozitiven për të ecur përpara.

suela-lala

Suela Lala: “Jetoj në një botë, që s’më ka marrë në konsideratë”

Botuar në 5 shkurt 2012 Gazeta Panorama Print

Një 28­vjeçare që bashkëjeton prej 14 vitesh me aftësitë e kufizuara fizike. Vështirësitë në terrenin ku shkel çdo ditë, herë të tjera paragjykimet e mjedisit përreth, i kujtojnë se ajo nuk është një vajzë si gjithë të tjerat… Edhe pse ajo i ka thyer të gjitha parashikimet. Studion në vitin e tretë në Fakultetin e Drejtësisë e sakaq ka nisur të ecë në rrugën e avokatisë. Babai i saj qëndron pas karriges me rrota. Një mesoburrë i thinjur, sojli për nga pamja, e ka shoqëruar të bijën në takim. Që në përshëndetjet e para e kuptova që biseda me të nuk do të ishte aspak e lehtë. Duke besuar versionin tim, njëherësh duke i shpjeguar Suela Lalës, vajzës tetraplegjike se nuk gjendesha përballë saj as për ta mëshiruar, dhe as për të ndier keqardhje, akulli nisi të shkrijë…

E kuptova arsyen e qenësishme pas qëndrimit stoik: më herët ajo ishte përballur me situata mediatike që e kishin vendosur në siklet. Por, motivi im drejtohej kah një nevoje më të ethshme për të kuptuar jetën e kësaj vajze 28­vjeçare, të cilën nuk e bëjnë të veçantë vetëm vështirësitë, edhe pse pikërisht tek to ajo gjen forcën për të jetuar natyrshëm me anomalinë e saj, njësoj si bashkëmoshataret e tjera.

Gjeneza e deformimit të saj trupor

Është një kapitull i hidhur në jetën e saj, të cilin as nuk rreket ta kujtojë. Sigurisht, për çdokënd që vuajtjen e ka kaluar në lëkurë, ndonjëherë shpjegimi dhe fjalët janë më munduese sakaq. Një ndodhi

aksidentale do i ndryshonte kryekëput jetën Suelës, duke e deformuar fizikisht dhe duke e vendosur në një karrige me rrota. “Pjesën e fatkeqësisë sime, të cilën e kam përjetuar, nuk kam preferuar ta ndaj me shumëkënd, sepse ajo është një fazë e jetës që për mua ka kaluar, ndonëse prej 14 vjetësh bashkëjetoj me këtë aftësi të kufizuar. Nuk është kjo mënyra si dua apo kërkoj të prezantohem te njerëzit. Tanimë kjo është jeta ime, të cilën e kam pranuar pa kushte, duke u përpjekur me forcat e mia ta vendos në shina normale”, thotë ajo.

Përballë realitetit

Asaj i duhet të planifikojë në detaje edhe një kafe me mikeshat, edhe një ditë leksioni në fakultet apo një takim pune… Ngase kushtet e terrenit përreth nuk i vijnë aspak në ndihmë, përkundrazi ndodh që t’ia vështirësojnë lëvizjet e kontrolluara. “Të jetosh në Shqipëri si një person me aftësi të kufizuara është tepër e vështirë. Duhet të programoj edhe për të pirë një kafe, sepse duhet të gjej një vend që minimalisht nuk ka shkallë në hyrje, që karroca ime mund të ngjitet kollaj. Për pjesën e shkollimit kam të tjera problematika, nuk mund të ndjek leksionet apo seminaret përditë, andaj mjaftohem të shkoj deri në katin e parë të fakultetit për të mësuar datat e provimeve dhe për të marrë literaturën. Me pedagogët përballem me të tjera vështirësi, sepse ata kanë shumë pak përvoja me individë me aftësi të kufizuara dhe, sado përpiqem t’u shpjegoj që nuk mund të shkruaj, por vetëm të shprehem, ata vijojnë me metodat e tyre. E të gjitha këto situata më çojnë në një përfundim: për mua është si të jetoj në një botë, që nuk më ka marrë në konsideratë”, thekson vajza tetraplegjike.

Model vullneti dhe suksesi

Nevoja për të mos vrarë ditët një nga një, për të mos vegjetuar duke u mbyllur në shtëpi, e ndërsa sodit katër muret, e u bën edhe një zapp­ing emisioneve televizive, qëndron mbi çdo përpjekje të çmuar të vajzës 28­vjeçare për t’i dhënë kuptim jetës së saj. Vullnetin për të mbijetuar e gjen njësoj siç do njeri tjetër që ka dëshirë të ndihet i plotësuar. “Jam shumë e re për t’u dorëzuar. Secili nga ne ka nevojat e veta të përmbushjes. Dhe, përveç izolimit që shoqëria të ofron, duhet të luftosh për të vënë në jetë synimet personale”. Një prej këtyre synimeve të kahershme të saj ka qenë pikërisht shkollimi. E drejta e studimeve të larta nuk iu mohua as asaj, ndonëse e dinte se vështirësitë ishin më të mëdha. Pas ciklit të parë të studimeve në distancë, në profilin e të drejtës angleze në Britaninë e Madhe, Suela vendosi që të plotësonte edhe më tej kuadrin e dijeve personale, çka e drejtoi kah Fakultetit Juridik këtu në kryeqytet. “Studioj në vitin e tretë të Fakultetit Juridik. Sigurisht që nuk është një sipërmarrje e lehtë. Rrallëherë shkoj në leksione apo seminare, por tregohem korrekte në pjesën e testimeve, provime të cilat unë i jap gjithnjë në katin e parë të fakultetit, për shkak se karroca nuk mund të ngjitet në ato të mësipërme. Shpesh më duhet të thyej mendësitë e pedagogëve dhe njerëzve përreth, se kam shkuar në shkollë për të studiuar, e jo për të kaluar kohën. Situata paragjykimi që shpesh më vendosin në siklet”, vijon 28­vjeçarja. Ashtu siç një situatë e ngjashme i vërtitet ndër mend, para disa vitesh kur ajo vendosi të certifikojë dijet e saj në gjuhët e huaja. Ndërsa, e ëma shkoi për të bërë regjistrimin, u shpjegon sekretareve se e bija gjendej në një karrige me rrota dhe e vetmja lehtësi që kërkoi, ishte mundësia e të dhënit provim në katin e parë. “Sekretaret e kishin mëshiruar, duke i ofruar versionin që të mos shkoja fare, se një copë pesë do ma vendosnin ato. Kjo gjë më mërziti shumë, dhe ditën kur dhashë provimin, trondita çdo parashikim tyrin, sepse u vlerësova me notën 10”, pohon Lala, duke shtuar se ka zgjedhur të bëjë një jetë normale, për të dhënë shembull pozitiv tek gjithë bashkëmoshataret e saj që jetojnë në kushte të ngjashme me të. Përpos aspektit intelektual, edhe në atë profesional Suela Lala ka gjetur veten. Prej disa vitesh është e angazhuar si juriste në organizata ndërkombëtare, që punojnë në drejtim të kauzave për personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë, është aktiviste e njohur në shoqërinë civile, ndërsa thekson se ndihet krenare që është aktore në procesin e ndryshimit të kësaj kategorie shoqërore, pjesë e së cilës është edhe ajo prej thuajse 14 vitesh.

Ermira Isufaj

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top