Mirëqenie

January 15, 2019 | 12:54

Ushqimet që duhet të shmangni nëse keni trigliceride të larta

Nëse matni vazhdimisht tensionin e gjakut dhe nivelet e kolesterolit, ka edhe një gjë tjetër që duhet ta monitoroni: trigliceridet. Niveli i lartë i triglicerideve, një lloj yndyre në gjak, mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.

Trigliceridet janë një lloj yndyre (lipide) që gjenden në gjak. Gjatë ngrënies, trupi konverton kaloritë që nuk i duhen, për t’u përdorur pastaj në trigliceride. Ato ruhen në qelizat e dhjamit. Më pas, hormonet lëshojnë trigliceride për energji midis vakteve.

Mënyra e jetesës dhe e ushqyerjes luajnë një rol të rëndësishëm në uljen apo rritjen e niveleve të triglicerideve, ashtu si në shëndetin e përgjithshëm. Nëse keni trigliceride të larta, duhet patjetër t’i shmangni këto ushqime:

Gjalpi ose margarina

Përdorni vaj ulliri në vend të gjalpit dhe margarinës, të cilët kanë shumë yndyra të ngopura ose trans. Vaji kanola, i bajameve dhe farave të lirit janë gjithashtu alternativa të mira.

Mishi me shumë dhjamë

Nuk duhet të hiqni dorë tërësisht nga mishi. Megjithatë përpiquni të konsumoni atë pa shumë dhjamë. Gjithashtu, shmangni të gjitha llojet e mishrave të përpunuara, si proshutën, sallamin, pasi këto lloje mishrash mendohet se rrisin rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe diabetin.

Mjalti ose shurup panje

Mund të mendoni se mjalti dhe shurupi i panjës janë më të shëndetshme ose më natyrale se sheqeri i rafinuar. Por, ashtu si sheqeri, edhe ato mund të rrisin nivelet e triglicerideve. Nëse doni të ulni nivelet e trigilicerideve, duhet të kufizoni çdolloj ëmbëltuesi.

Pijet me sheqer

Niveli i sheqerit që mund të konsumoni vetëm me një gotë çaj të ftohtë, pije të gazuara ose lëngje frutash është shumë i lartë. Ju mund të merrni më shumë sheqer seç trupi mund ta përballojë, prandaj një pjesë të tij e kthen në trigliceride. Prandaj, kur të kufizoni sheqerin, mos harroni të përfshini edhe pijet gjithashtu.

Ushqimet me niseshte

Konsumimi i tepërt i makaronave, patateve ose drithërave bën që trupi t’i konvertojë në trigliceride. Duhet t’i konsumoni këto ushqime, por në proporcione të duhura, si një fetë bukë, 1/3 kupë oriz, gjysmë kupe makarona ose gjysmë kupe patate ose bollgur të gatuar.

Kokos

Përveç frutit të kokosit, kemi edhe qumësht kokosi, ujë kokosi apo vaj kokosi. Disa nga këto lloje kanë përfitime shëndetësore, por janë të pasura edhe në yndyra të ngopura, prandaj konsultohuni me mjekun nëse duhet t’i kufizoni apo shmangni krejtësisht nëse vuani nga trigliceridet e larta.

Alkooli

Mund të mendoni që alkooli është i mirë për zemrën. Por, abuzimi me të mund të rrisë nivelet e triglicerideve. Kjo për shkak të sheqernave që janë një pjesë natyrale e alkoolit, edhe nëse është verë, birrë apo ndonjë pije tjetër alkoolike. Nivelet e larta të sheqerit, nga çdo burim, janë problem për shëndetin. Mjeku mund t’ju rekomandojë që të hiqni dorë krejtësisht nga alkooli nëse keni nivele të larta të triglicerideve.

Peshku i konservuar në vaj

Peshku është i mirë për zemrën. Por, nëse blini peshk të konservuar, kontrolloni nëse është i paketuar në vaj. Do të ishte më mirë që të blini peshk të konservuar me ujë.

 

Burimi / shendeti.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top