Mirëqenie

September 23, 2016 | 7:34

Ushqimi i shëndetshëm, ilaç, për trupin

Ushqimet që konsumojmë ndikojnë në ‘nxehtësinë’ e organizmit dhe gjenezën e sëmundjeve”, ka thënë Hipokrati.

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Andaj në vlerësim të studimeve që rishtazi konfirmojnë këtë tezë, mënyra më e mirë është të jemi të ndërgjegjshëm për atë çka zgjedhim në tryezë. Ritmi ynë dhe stili sedentar i jetesës, duhani, alkooli dhe dietat e pabalancuara favorizojnë mbajtjen e mbeturinave dhe toksinave në qeliza. Sezoni i verës është periudha e duhur për të pastruar trupin dhe për të eliminuar toksinat dhe dhjamin e akumuluar. Rritja e konsumit të ushqimeve detoksifikuese është një mrekulli që do t’i ofronim organizmit. Sidomos pas të 30-ve, ku vihet re një shtim i masës dhjamore në zonën abdominale. Ky dhjam, që vendoset rreth barkut, lidhet me inflamacion në organizëm. Prania në këtë zonë rrit tensionin dhe kolesterolin. Në këtë fazë të jetës, hormoni i rritjes fillon të pakësohet.

Çfarë duhet të keni në tryezë

• Shalqiri, frut superhidratues. Përmban 90% ujë, ka pak kalori, vitaminë C dhe likopen, i njëjti antioksidant i fuqishëm që është gjetur edhe te domatja, i cili zvogëlon rrezikun e zhvillimit të disa llojeve të kancerit.

• Misri, një prej ushqimeve më të preferuara për piknik, megjithëse ju nuk e dini që gjithashtu përmban disa antioksidantë që mbrojnë sytë nga dielli. Të njëjtët antioksidantë ju ndihmojnë të zvogëloni rrezikun e zhvillimit të degjenerimit muskulor me kalimin e moshës.

• Manaferrat, të pasura me antioksidantë, kanë një substancë të vlefshme për kontrollin e peshës dhe pastrimin e trupit. Ato përmbajnë aminoacide esenciale, të cilat ndihmojnë për të rritur metabolizmin dhe për të djegur dhjamin e tepërt më shpejt.

• Panxhari është antioksidant natyror, shumë i përshtatshëm për sistemin tretës duke eliminuar elementet toksike, lufton kapsllëkun, përveç forcimit të sistemit tonë imunitar. Kjo, pasi është shumë i pasur me vitaminë C. Panxhari është ushqim shumë i rekomanduar për ata që vuajnë nga ritensioni hidrik dhe hipertensioni.

• Shafrani i Indisë, i përdorur në mjekësinë tradicionale indiane dhe kineze për detoksifikimin e trupit, veçanërisht mëlçisë, si dhe një antinflamator.

• Hudhra ndihmon në pastrimin e mëlçisë dhe në eliminim e toksinave nga trupi.

• Molla përmban pektinë, e cila ndihmon në pastrimin e toksinave në trup.

• Perimet jeshile: sallata, spinaqi, selino, çikoret janë të pasura me klorofil dhe detoksifikues nga metalet e rënda, ndotësit dhe toksinat në përgjithësi. Edhe radhiqet, të cilat kanë shije tipike të hidhur, nxisin pastrimin e traktit gastrointestinal dhe stimulojnë funksionin e mëlçisë.

      Shprehja “ushqyerja është ilaçi yt” e Hipokratit,

        i njohur si babai i mjekësisë,

      tregon një të vërtetë të madhe

Terapi pa kosto

Limoni, një antiseptik dhe baktericid ndihmon ata që kanë imunitet të ulët. Limoni, freskues dhe qetësues rrit prodhimin e qelizave të bardha të gjakut. Në mëngjes, me stomakun bosh pastron trupin dhe lufton celulitin. Lëngu me limon dhe mente është një nga terapitë për rënien në peshë, pasi rrit metabolizmin dhe eliminon yndyrnat, sidomos në zonën e barkut.

Mentja ka shumë vlera terapeutike për shkak të përbërjes së saj me vitamina, fibra, proteina, polifenole, aminoacide dhe minerale si: vitamina A, B, C, D, kalciumi, potasi, magnezi, mangani, fosfori, sodiumi etj. Efektet terapeutike të mentes janë: lufton çrregullimet e traktit tretës, është analgjezik për dhimbjet e migrenës dhe llojeve të tjera të dhimbjeve të kokës, është antiseptik dhe antiparazitar, qetëson problemet në aparatin e frymëmarrjes, si kolla, ftohja, rrufa etj.

Ndërsa limoni nga ana tjetër ka veti të forta për rënien në peshë dhe shkrirjen e yndyrave. Po ashtu ai ka vlera mjaft të mëdha terapeutike. Limoni është antioksidant shumë i fuqishëm, i cili lufton toksinat, është antiseptik, pastron mëlçinë, lufton skorbutin, ndalon gjakderdhjen, forcon mishrat e dhëmbëve, kuron reumatizmin etj.

Përgatitja: Në 2 litra ujë të vakët (ose të ftohtë) shtrydhim 2 kokrra limon. Kësaj tretësire i shtojmë 4-5 degë mente dhe e lëmë për gjithë natën. Gjatë kësaj kohe, mentja i ka lëshuar përbërësit e vet. Ky koktej pihet disa gota gjatë ditës rreth 1 orë përpara ushqimit. Kokteji ka një shije të pëlqyeshme dhe rekomandohet të pihet i vakët për një efekt më të madh në shkrirjen e yndyrave, kurse në stinën e nxehtë ai mund të shërbejë edhe si freskues mjaft i mirë, për shkak të vetive aromatike të mentes. Për këtë qëllim, kësaj përzierjeje para përdorimit i shtohet akull ose mbahet në frigorifer.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top