Mirëqenie

November 18, 2016 | 8:05

Ushqimi për fëmijët e moshës 0-3 vjeç

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Foshnjat rriten rreth 7 cm. thuajse çdo 3 muaj. Ne moshën 1-vjeçare fëmijet fillojnë të rriten me rritn më ngadalë, rreth 7-10 cm. gjatë gjithë vitit. Ndërkohë që rritja e foshnjave me kalimin e muajve dhe viteve fillon të ngadalësohet disi, ushqimi mbetet prioritet. Pikërisht kjo është koha kur prindërit duhet të ndryshojnë taktikë duke kaluar në një fazë nga shishet dhe biberonët në ushqim normal.

Periudha 1-3 vjeç për foshnjat janë vite tranzicioni (sidomos 1-2 vjeç), kur ata fillojnë të mësohen me ushqime të tryezës dhe me shije dhe përbërje të reja. Gjatë vitit të parë qumështi ka qenë ushqimi kryesor për ta, ndërsa tashmë fëmijët kanë nevojë për një menu më të larmishme.

Qumështi i nënës është opsioni më i mirë i ushqimit, veçanërisht kur nëna ushqehet në mënyrë të shëndoshë. Produktet e balancuara ushqimore brenda qumështit të nënës janë ushqim ideal për çdo bebe. Një nga faktorët kryesorë është niveli i lartë i acideve të yndyrshme esenciale që është i domosdoshëm për zhvillimin intelektual. Qumështi i nënës është përzierja ideale e proteinave, karbohidrateve, mineraleve dhe vitaminave. Me anë të qumështit të nënës përmirësohet sistemi imunologjik.

Të gjitha foshnjat që ushqehen me qumësht të lopës para se të mbushin 6 muaj mund të kenë probleme me sistemin digjestiv dhe atë imunologjik për shkak të proteinave komplekse që përmban qumështi i lopës. Shpeshherë rezultati është alergjia. Zbulimet e fundit tregojnë se diabeti tek fëmijët paraqitet për arsye se sistemi imunologjik i fëmijëve bëhet alergjik në proteinat që përmban qumështi i lopës. Për këtë arsye nuk u rekomandohet foshnjave qumësht lope para muajit të gjashtë.

Fëmijet e moshës 1-3 vjeç duhet të marrin afërsisht 700mg kalcium dhe 600IU vitaminë D në ditë. Kjo sasi e kalciumit arrihet nëse fëmija juaj konsumon 2 porcione bulmet. Sasia e vitaminës D nuk përmbushet as deri në gjysmë. Rekomandohet marrja e një suplementi prej 400IU në ditë për fëmijët që pinë më pak se 1 litër qumësht në ditë (pothuajse 4 gota).

Nuk ka ushqim më të mirë se qumështi i nënës. Që foshnja të mësohet me shije të ndryshme është e domosdoshme që pasi të mbush pesë muaj në ushqimin e saj të shtohet një deri në dy lugë lëng të shtrydhur të mollës e më pas lëng të shtrydhur të karotës, por nuk duhet të jepen të dyja së bashku në fillim.

Kur foshnja nuk mund të flejë në mënyrë të qetë pasi që ushqimi i gjirit nuk është mjaftueshëm, kjo është shenjë e parë se në ushqimin e saj duhet të shtohet ushqimi i fortë. Procesi i përtypjes është një proces shumë i rëndësishëm. Me paraqitjen e dhëmbëve të parë, mësojeni fëmijën tuaj të hajë edhe ushqim tjetër, e sipas mundësisë të jetë i freskët. Për fillim mund të jetë karota dhe trangulli.1

Fëmijet në moshën 1 vjec duhet të marrin 7mg hekur në ditë. Pas moshës 1-vjeçare fëmijet përballen me riskun e mungesës së hekurit dhe shfaqje të anemisë. Qumështi i lopës është i varfër në hekur. Duke pirë shumë qumësht lope fëmija mund të rrezikojë të shfaqë mungese hekuri. Arsyeja është se ata mund të ngopen me qumësht dhe të konsumojnë pak ushqime me përmbajtje hekuri. Gjithashtu qumështi e pengon përthithjen e hekurit.

Mungesa e hekurit mund të ketë efekt në rritjen e fëmijes dhe të çojë në probleme të aftësisë për të mësuar dhe sjelljes. Dhe mungesa e hekurit mund të çojë në shfaqjen e anemisë që do të thotë më pak rruaza të kuqe në gjak, më pak oksigjen për organet dhe përfundimisht çrregullim në funksionin dhe zhvillimin e tyre.

Për të parandaluar mungesën e hekurit:

  • Kufizoni sasinë e qumështit në 700ml/ditë.
  • Servirini më shumë ushqime të pasura me hekur si mish të kuq, mish pule, fasule, thjerrëza, peshk etj.
  • Së bashku me ushqimet që përmbajnë hekur ofrojini dhe ushqime të pasura në vitaminë C si domate, portokalle, luleshtrydhe, kivi, brokoli etj. Në këtë mënyre absorbohet më shumë hekur.
  • Drithrat për femije që janë të pasuruara me hekur mund të vazhdohen deri në moshën 2 vjec.

Ushqimi shtesë

-Fëmijës që ushqehet me gji, ushqimi shtesë i fillohet pas 4 muajsh n.q.se. fëmija ka një shtesë të mirë peshe mund të vazhdohet me gji 4-6 muaj dhe pas 6 muajve mund ti fillohet ushqimi. Gjatë kësaj kohe duhet parë pesha e fëmijës dhe duhet kontrolluar tek mjeku.

-Fëmija gjatë kësaj kohe duhet të mësohet me ushqime me vlerë të madhe ushqyese e shije të ndryshme. Në këtë periudhë ushqimi shtesë do të jetë si: pure frutash, pure zarzavatesh, muhalebi, kos, djathë, reçel, biskota, bukë, vezë.

-Ushqimi shtesë jepet me lugë ose me gotë e që fillohet në pak sasi 1-2 lugë kafeje deri sa të çohet në sasinë e caktuar. Gjatë shtesës kur fëmija merr sasinë e pakët i japim gji deri sa të ngopet.

-Kur fëmija është përshtatur me ushqimin e ri atëherë ai i jepet.

-Ushqimi i përshtatur jepet kur fëmija është i uritur dhe i përshtatur.

-Ushqimi shtesë duhet të përshtatet dhe të jepet brënda javës.

-Ushqimi shtesë mund të japë alergji prandaj duhet të kihet kujdes.

-Fëmijës asnjëherë nuk duhet ti jepet ushqim të gënjeshtër, të lyer me sheqer apo reçel.

-Kur fëmija nuk e pëlqen një ushqim të rëndësishëm atëherë i provojmë përsëri duke i dhënë kohë pas kohe në interval 2-3javësh.

-Ushqimi shtesë duhet të kihet kujdes ti jepet fëmijës i përpunuar(zjerë) taze dhe i pastër.

-Fëmijëve deri 18 muaj duhet dhënë ujë të zjerë.

-Lëngu frutave dhe pure frutash fillohet (në moshën 2muajsh)e që mund të jetë mollë, pjeshkë rrush, mandarina, banane,etj.

-Fëmijës për herën e parë i jepet frut sipas stinës si mollë apo pjeshkë.

Pregatitja:Frutat lahen dhe pasi qërohen, grihen në rende. Lëngu i frutit jepet 1 herë në ditë 40-50 gr. dhe 2 herë në ditë pas moshës 7 muajsh nga 50 gr. Lëngut dhe puresë së frutave nuk i shtohet sheqer. Puresë së frutave mund ti shtohet kos dhe të përdoret si një vakt.

Muhalebia fillohet( në moshën 4-6 muajsh). Në përgjithësi jepet në vaktin e darkës 18.oo-20.oo.Muhalebia bëhet me qumësht të pasterizuar të çfarë do lloji.

Pregatitja: 1 gotë qumësht lope të pasterizuar, 3 lugë kafe miell orizi, 2 lugë kafe sheqer. Mielli i orizit përzihet me një pjesë të qumështit të ftohtë dhe hidhet në pjesën e qumështit që zjen, pasi zjen i hidhet sheqeri.

Kur përdoret qumësht pluhur merret 1 gotë ujë, 3 lugë kafe sheqer dhe 3 lugë kafe miell orizi përzihen deri sa të zihet, pastaj e heqim nga zjarri dhe pasi të ftohet pak, shtojmë 6 lugë kafeje qumësht pluhur.

Kosi mund të jepet si vakt më vete në vaktin e dytë ose në darkë dhe mund të zëvëndësohet me muhalebinë.

Pregatitja: Pasi zjen qumështi ftohet 40oC dhe për 1 litër qumësht 1-2 lugë gjelle maja kos hidhet në qumështin e nxehtë trazohet dhe lihet për 4 orë në një vend të qetë.

Supë dhe pure zarzavatesh fillohet në moshën (5-6muaj) në vaktin e drekës avash avash me 1-2 lugë, deri sa të merret sasia e caktuar.

Java e parë: 4 gota ujë, 2 karrota, 1 patate mesatare,1 lugë kafe oriz zihen 45 min. me kapak të mbyllur, (në tenxhere me presion) hidhet 1 gotë ujë dhe ziehet 15min. Pastaj e shkojmë në sitë ose blender.

Java e dytë:( Zarzavate pure të thjeshtë). Bëhet si më sipër po i shtohet më pak ujë dhe 1 lugë kafe vaj ulliri, pasi zihen patatet, karrotat i shtypim duke i bërë pure.

Java e tretë: (pure zarzavatesh të përzierë). Bëhen duke u shtuar edhe zarzavate të stinës si spinaq, majdanoz, pazi etj. Zarzavatet duhen patur kujdes që të konsumohen menjëherë. Në këtë periudhë supës i shtohet edhe lëng mishi.

Mëngjesi fillohet pasi fëmija përshtatet me ushqimin e mësipërm.

Pregatitja: Formulë qumështi pluhur ose qumësht lope i zakonshëm, djath, reçel, bukë ose djath pa kripë,reçel, i pëzjejmë dhe i shypim dhe zhytim bukën në këtë përzjerje, mund të shtojmë në këtë përzjerje edhe gjalp.Në vend të bukës mund të zëvëndësohen me 3-4 biskota.

Fëmijës deri 1 vjeç nuk duhet t’i japësh  mjaltë.

Veza fillohet 7-8 muajsh 1-2 lugë deri sa të bëhet një e verdhë e plotë brënda javës.

E verdha e vezës në fillim jepet e zier shumë dhe pas përshtatjes zihet më e butë, krahasuar me një kajsi të pjekur.

Mishi fillohet 7-8 muajsh me lëng mishi dhe 9 muajsh me mish të grirë, në formën e puresë si qofte, ose biftek të zier mirë, mish pule pa lëkurë dhe 1 herë në 15 ditë mëlçi, të gjitha këto të kaluara në makinë të mishit mund të jepet mbi purenë e zarzavateve.

Supa me drithra fillohet 8 muajsh për ti mësuar fëmijës shije të ndryshme si trahana,me miell gruri të thekur dhe kos, miell orizi ose me oriz dhe më pak me miell misri.

Makarona dhe pilafi me oriz fillohet 8 muajsh i perzier edhe me kos.

Peshku pa hala fillohet 9 muajsh në formë pureje në vend të mishit në vaktin e drekës.

Çaj – çaji nuk duhet të jepet sepse pengon thithjen e hekurit prej zorrës së fëmijës.

Fëmijëve të shëndoshë si edhe të rriturve të shëndoshë u nevojitet ushqim i freskët, ushqim i papërpunuar i cili nuk përmban aditivë, sheqer (pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për sakarozë, glukozë, dekstrozë, maltozë ose fruktozë), kripë dhe ushqim që është i varfër me yndyra. Me fjala të tjera bebja duhet të ushqehet me nutritive (ushqim) të cilët jenë më të përafërt me gjendjen e tyre natyrore. Pas muajit të gjashtë foshnja do të fillojë ta hajë të njëjtën ushqim si ju. Vetëm në situata incidente do t’ju rekomandoja të përdorni qullin si ushqim dhe nëse shfrytëzoni ushqimet e prodhuara për bebe, do të jetë më mirë nëse lexoni përmbajtjen e tyre në ambalazh. Pasi do të filloni të ushqeni foshnjën me ushqim të fortë, kujdesuni që ai të përbëhet nga nutritivë që zihen lehtë dhe që kanë mundësi të vogla për ndonjë reaksion alergjik.

Nëse pemët dhe perimet mund t’i hajë të freskëta, atëherë ia jepni. Si për shembull: banane, mollë, dardhë, karotë, trangull. Çdo produkt të ri ia jepni në sasi të vogël dhe të dozuar. Në këtë mënyrë do t’i shmangeni ndonjë reaksioni alergjik mundësisë potenciale të paraqitjes së ndonjë alergjie nga ndonjë ushqim më vonë. Në listën e mëposhtme janë paraqitur ushqyesit dhe atë në bazë të probabilitetit të paraqitjes së reaksionit alergjik prej mundësisë më të ulët deri tek mundësia më e madhe.

Pra, bebes suaj si parë filloni t’ia jepni ushqim sipas radhës duke lëvizur nga fillimi i deri në fund:

* Perime

* Pemë (me përjashtim të portokallit)

* Fruta thelbore dhe fara të freskëta

* Mashurka dhe fasule

* Oriz

* Mish

* Elb, tërshërë, thekër

* Portokall

* Grurë

* Prodhimet e qumështit

* Vezë

Çdo ditë shtoni në ushqimin nga një apo dy produkte të reja dhe shënojini ndryshimet eventuale, siç mund të jenë përgjumësia e tepërt ose rrjedhja e hundës, ngërçe, etja e tepërt, deri tek shqetësimi i zmadhuar apo frymëmarrja astmatike.

Nëse vëreni reaksion prej ndonjë ushqim të caktuar, ndërpriteni përdorimin e këtij ushqimi derisa nuk kalon ky reaksioni dhe në të njëjtën kohë mos provoni ndonjë ushqim të ri për një kohë. Pas muajit te nëntë dhe dhjetë në ushqimin e foshnjës mund të filloni të përdorni portokall, grurë, prodhime të qumështit dhe vezë.

Në rast se njëri prej prindërve është alergjik në ndonjë ushqim të caktuar, i njëjti ushqim nuk duhet të i jepet deri sa fëmija të mbush një vit. Edhe pse keni filluar të ushqeni fëmijën me ushqim të fortë rekomandohet që të vazhdoni edhe më tutje t’i jepet gji.

Me supozimin se bebja juaj shumica e proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve i merr nëpërmjet qumështit tuaj rekomandohet që ushqimi i fortë të jepet në formë të pemëve dhe perimeve të cilat janë shumë të pasura me vitamina. Në mënyrë të thjeshtë kombinojini perimet dhe pemët duke bërë një lloj qulli, megjithatë mos shtoni sheqer dhe në fund shtypeni me lugë.

Ja disa kombinime të mira:

* Lulelakër dhe rrepa

* Vetëm karotë

* Lulelakër dhe rrepa

* Karrota, spinaq dhe lulelakër

* Lulelakër, karotë dhe pak selino

* Patate, karrota dhe spinaq

Por, mos u kufizoni vetëm në këto kombinime – eksperimentoni. Mos u zhgënjeni nëse fëmija juaj refuzon disa prej shijeve. Vazhdoni te insistoni. Pas zierjes shtoni në qull pak vaj të parafinuar të lulediellit apo ullirit të kulluar në mënyrë të ftohtë dhe shumë pak kripë. Gradualisht në qull shtoni edhe produkte të tjera. Provoni me thjerrëz të kuq, fasule të re të zier, oriz integral të zier mirë, pak qumësht, kos ose qumësht soje.

Pasi do ta mësoni beben tuaj që të hajë ushqim të shumellojshëm, bëni përpjekje që vaktet t’i marrë rregullisht dhe të njëjtat të jenë të ndryshme. Pas mbushjes së vitit të parë të jetës së saj mund ta mësoni ta hajë ushqimin e përditshëm të kuzhinës suaj, vetëm duhet të ndahet në 5 vakte: 3 vakte kryesore dhe 2 vakte te ndermjetme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top