Ushtari i Rojeve të Kalorësisë së Mbretëreshës ka veshur uniformën e tij dhe është gati për detyrën. Por sot, në mënyrë të pazakontë, ndodhet në teatër. Alex do të shfaqet në një produksion baleti bashkëkohor të titulluar “Pesë ushtarët”, një vepër e krijuar nga koreografia Rosie Kay rreth aspekteve të jetës ushtarake – trajnimi rigoroz, miqësitë dhe stresi i të përballurit me zonat e konfliktit. Si ushtar i trajnuar, Alex-i ka përvojë reale sesi duket jeta në Ushtrinë Britanike, por ai është gjithashtu balerin i trajnuar; ka studiuar balet klasik,tap, xhaz dhe balet modern dhe bashkëkohor.
“Nisa baletin kur isha 6 vjeç”, thotë ai. “Çdo javë shoqëroja motrën në kursin e baletit dhe pas ca kohësh kur rri ulur aty mërzitesh dhe i thua vetes “Ua, le të bëj diçka dhe unë”. E më pas kërkova një kurs për vete dhe mendova “Mund ta bëj, duket e lehtë”. Kjo është arsyeja pse iu bashkova”. I rritur në një qytet të njohur për lojën regbi, në Cwmbran, Torfaen, Alex-i shpesh e gjente veten si i vetmi djalë në një klasë baleti. “Balerinët meshkuj duan të hidhen më lart, të rrotullohen më shpejt dhe të duken më mirë se të tjerët në skenë. Por duke qenë se shkolla ime ishte në Uellsin jugor, zor se gjeje ndonjë djalë që donte të kërcente. Kështu synimi më i madh për mua ishte të tregohesha më fleksibël se vajzat, në klasë. Kjo ishte një nga gjërat më të rëndësishme që doja, kur isha i ri.”
Pas një kursi në shkollën e arteve performuese në Cornwall, Alex-it iu dha një vend në Shkollën prestigjioze të Baletit më 2015-ën, por në mes të kursit, vendosi ta linte. “Mendimi i gjetjes së një pune në fund ishte ndoshta një nga frikërat e mia më të mëdha”, thotë ai. Jeta e një balerini mund të jetë e paqëndrueshme, duke kaluar nga një kontratë në tjetrën, shpesh me periudha pa punë. Një mbrëmje, Alex-i po kthehej në shtëpi nga shkolla e baletit në Mançester, kur i vajti në mendje sesi të arrinte një siguri më të madhe në punë.
“Po kaloja në një qendër karriere të Ushtrisë dhe pashë nga dritarja për dy apo tri minuta dhe kuptova se ndoshta ky ishte hapi i radhës për mua, dritarja e radhës për të përmirësuar veten si individ”, thotë ai. Thotë se, pavarësisht paraqitjes, balerinët dhe ushtarët kanë shumë të përbashkëta. Vetë-disiplina është e rëndësishme në të dy rastet dhe këmbëngulja për t’ia dalë mbanë. “Balerinët shtyhen, motivohen dhe duan të kenë produktin përfundimtar, ata duan të kenë atë performancë në skenë që duket e përsosur. Dhe ke ushtarë që janë të përkushtuar, të shtyrë dhe duan të performojnë në më të lartin e niveleve”, thotë ai.
Duke qenë se të dy rolet kërkojnë nivele të larta të përgatitjes fizike, kështu Alex-i ishte i përgatitur mirë për testet fizike, që ai dhe aplikantët e tjerë duhet t’u nënshtroheshin. “Kisha me gjasë vrapimin më të shpejtë në ditë për një milje e gjysmë”, thotë Alex, “Mendoj se baleti më mbarti përmes përzgjedhjes dhe përmes trajnimit bazik, sepse isha fizikisht i stërvitur. Mund të mbaja pesha, sepse isha mësuar të ngrija vajza.” Në fillim, Alex-i i rrëfeu të dashurës, balerinë, se kishte aplikuar për t’u pranuar në Ushtri. Vetëm kur u pranua, i rrëfeu së ëmës se do ta linte shkollën e baletit dhe do të kthehej në shtëpi.“Sigurisht që nuk është se i pëlqeu”, thotë Alex. “Për shkak të gjithë asaj pune dhe gjithçkaje që kisha investuar në 18 vitet e jetës sime, ajo tha se po i flakja tutje, por nuk besoja në atë deklaratë sepse mendoj se më ka bërë njeriun që jam sot dhe më ka bërë njeri më të mirë.”
Alex-i thotë se çdo prind që ka një djalë apo një vajzë në shërbimet ushtarake kanë frikë se një ditë do të caktohen në një zonë lufte. Por e ëma e tij e ka pranuar tashmë karrierën e re, rrëfen i riu dhe, është e kënaqur që ai po e kombinon me baletin. Kur iu bashkua Ushtrisë, vendosi të mos e përmendë trajnimin e tij në balet, sepse nuk donte që ushtarët e tjerë të kishin paragjykime rreth tij. Nuk ia përmendi as audicionin për rolin në “Pesë Ushtarët”. Të gjithë balerinët e tjerë ishin profesionistë, kështu që nuk priti ta fitonte rolin dhe u trondit kur mori një telefonatë nga koreografja, ndërsa kthehej në kamp, duke i thënë se ia kishte dalë me sukses. Në mëngjes u tregoi shokëve ushtarakë gjithçka rreth shfaqjes, duke i zbuluar edhe talentin e tij të fshehtë.
“Të jem i sinqertë, nuk ndryshoi gjë, sepse kisha fituar tashmë respektin e të gjithëve, sepse isha në formë të mirë, një ushtar i mirë, kokulur dhe e dija se ç’duhet të bëja”, thotë ai. “Kur iu thashë “Meqë ra fjala, do shkoj të vallëzoj”, shumë prej tyre ishin xhelozë.”
Nuk kishte ngacmime, thotë ai. “Mendon se ushtria ka ndryshuar vitet e fundit. Askush nuk do të të bezdisë sepse jemi të gjithë së bashku në këtë kauzë dhe sigurisht që secili ka arsyet e veta pse i është bashkuar. Disa hyjnë në ushtri për të harruar jetët e kaluara dhe disa hyjnë për të përmirësuar veten, si unë. Është si shkolla; një mjedis për të rritur, ku bën çfarë do të bësh, për aq kohë sa në fund të ditës detyra kryhet. Nuk ka rëndësi se çfarë bën në kohën e lirë apo çfarë ke bërë në të shkuarën tënde.” Në shkollë, kujton i riu, ishte krejt ndryshe. “Kishte ndonjë idiot të çuditshëm që mendonte se ishte gazmor”, thotë.
“Kam shkuar në një shkollë mesatare uellsiane dhe mësuesit nuk ishin ndonjë ndihmë e madhe, ata thjesht mendonin “Oh, po, ata thjesht po ngacmohen”. Alex-i thotë se kjo pati ndikim në studimet e tij. “Nuk kisha shumë interes për të mësuar. As nuk doja të isha atje”, thotë. “Por tani që jam më i rritur, nuk e vras mendjen – njerëzit mund të thonë ç’të duan. Secili ka opinionet e veta, nuk kam pse shqetësohem për këtë.” Gjatë provave për “Pesë ushtarët”, Alex thotë se e gjeti veten duke përdorur muskujt që nuk i kishte përdorur prej disa kohësh, Ndërsa jam këtu, ende shkoj për vrap dhe bëjmë nxemje në mëngjes ku bëjmë ulje-ngritjet dhe gjëra të ngjashme me këto”, thotë ai. “Mendoj se do të kthehem në ushtri si një ushtar edhe më i stërvitur, të them të drejtën.”
Thotë se po e shijon të qenit balerin sërish, por që nata më e tensionuar e jetës së tij do të jetë kur skuadra të vijë ta shohë duke performuar. “Ata janë ushtarë në detyrë dhe dua ta ndiejnë si të vërtetë – po aq të vërtetë sa në kamp”, thotë ai. “Nuk dua të vijnë dhe të ikin me idenë ‘Epo pamë një balet”. Sepse nuk është balet, është një pjesë kërcimi që sjell jetën e një ushtari në kamp dhe në shërbim. “Tek skena ku patrullojmë – në mendjen time ndihem si, “Po jam në patrullë dhe po punoj me shokët ushtarë dhe jo me katër balerinë të tjerë”.
Ai thotë se ky balet do të rrëzojë disa stereotipa. “Nuk ka të bëjë me disa djem që hidhen përpjetë me puante, streçe dhe grim, ka të bëjë me burrat që bëjnë rolin e burrave në skenë.” Ushtria më ka mbështetur shumë, thotë ,duke i dhënë kohën e duhur për të marrë pjesë në prova dhe në produksion. Ai do t’i kthehet regjimentit në korrik, pasi turneu i shfaqjeve të ketë përfunduar. “Ambiciet e mia për momentin janë të kthehem dhe të shoh sa larg mund ta çoj karrierën time ushtarake, të shoh sa larg mund ta shtyj veten, sepse jam shumë ambicioz”, thotë.
“Punoj fort për atë që dua dhe nëse dua diçka përpiqem të bëj më të mirën për ta marrë dhe, mendoj se Ushtria ma ka rrënjosur këtë me stërvitjet.” Nuk është ende i sigurt se çfarë ka rezervuar e ardhmja për të me baletin, por është i bindur ta zbulojë nëse ka të tjerë ushtarë balerinë. “Për momentin po përpiqem të shijoj “Pesë ushtarët” dhe të jetoj me këtë ëndërr, për të cilën kam punuar në 18 vitet e fundit”, thotë ai. “Jam shumë vlerësues që e gjithë stërvitja që kam bërë dhe të gjithë mësuesit – të cilëve u jam shumë mirënjohës – ishin në gjendje të më vendosnin në këtë pozicion.”
Burimi / www.gazetasi.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.