Shumë njerëz kur kalojnë njëfarë moshe fillojnë të kenë frikë nga pasqyra. Pse?
E thjeshtë: pasqyra na i tregon të gjitha ndryshimet dramatike të moshës: flokët gri, rrudhat, rënien e trupit… Megjithatë, ka disa mënyra me të cilat mund të përmirësojmë “marrëdhënien” tonë me pasqyrën.
Një nga mënyrat më të mira na e zbulojnë së fundmi një grup neuroshkencëtarësh. Ata kanë gjetur një mënyrë jo të dhimbshme dhe jo të kushtueshme, për të ngadalësuar procesin e plakjes. Studimi i publikuar në revistën “Frontiers in Human Neuroscience” gjeti se njerëzit mund ta ngadalësojnë procesin e plakjes së trurit, duke qenë aktivë fizikisht. Dhe aktiviteti fizik më efektiv, sipas studimit, është kërcimi.
Kërkuesit përzgjodhën 52 të moshuar, të moshës 63 deri në 80 vjeç, të cilët i ndanë rastësisht në dy grupe. Një grupi (grupi eksperimental) iu dhanë mësime kërcimi dhe grupi tjetër (grupi i kontrollit) u përfshi në sporte. Grupi i kërcimit mori mësime të ndryshme koreografie dhe atyre iu kërkua që t’i mbanin mend lëvizjet. Ndërsa programi për grupin e sportit konsistoi në trajnimin e fuqisë, qëndrueshmërisë dhe fleksibilitetit të pjesëmarrësve.
Hipokampusi, zona e trurit më e prirur për t’u dobësuar me moshën, u rrit në të dyja grupet. Kjo zonë e trurit është përgjegjëse edhe për kujtesën, ekuilibrin dhe të nxënit. Mirëpo, vetëm vullnetarët në grupin e kërcimit patën një rritje më të madhe të nënzonave të hipokampusit të majtë. Dhe vetëm grupi i kërcimit pati një rritje të një pjese të hipokampusit të djathtë, të quajtur subikulum.
Ky studim provoi se kërcimi është superior ndaj aktiviteteve të tjera fizike, si ecja ose çiklizmi. Sipas autores së studimit, Dr. Kathrin Rehfeld, kërcimi e ngadalëson, madje edhe e parandalon plakjen e trurit.
Burimi: http://psikologjia-shqiptare.com/kuriozitete/ushtrimi-numer-nje-qe-ngadaleson-plakjen-377/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.