Në gjuhën popullore jemi mësuar t’i quajmë quka, ndërsa gjatë periudhës së plazhit, për shkak të mospërhapjes së melaninës siç duhet në dermën e lëkurës, ato zgjerohen duke marrë trajtën e njollave kafe. Problematike situata është në fytyrë, ku shenjat janë të dukshme edhe nëse i ke mbrojtur me krem me faktor të lartë mbrojtës, apo kremra kozmetikë.
Njollat kafe shfaqen në lëkurë sidomos gjatë periudhës së nxehtë të verës apo orëve të gjata në plazh dhe det. Kjo ndodh për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të melaninës në dermën e lëkurës nën veprimin e rrezatimit ultravjollcë. Njollat përveçse në fytyrë shpesh gjenden edhe në kurriz e në shpatulla. Më së shumti gjenden te njerëzit me flokë të kuqe apo portokalli dhe sy jeshile. Njollat kafe bëhen të pranishme në fëmijëri ose adoleshencë. Ndonjëherë ato zhduken pa lënë asnjë gjurmë, por te njerëzit që kanë lëkurë të zbehtë, mbeten gjatë gjithë jetës. Shpesh njerëzit me quka janë më të ndjeshëm ndaj diellit. Nën veprimin e diellit ato marrin ngjyrë më të theksuar. Në dimër njollat zbehen dhe bëhen më pak të dukshme.
A e dinit që uthulla e mollës, sidomos ajo e bërë vetë është idealja për zhdukjen e njollave kafe në fytyrë? Nga praktika e shumë femrave është vërtetuar se efekti është i menjëhershëm. Uthulla e mollës jo vetëm i eliminon ato, por ndihmon në rigjenerimin e lëkurës, sidomos te moshat e treta, duke hequr qelizat e vdekura. Për shkak dhe të masazhit të përditshëm, ajo i rikthen elasticitetin lëkurës, duke e mbajtur në formën e duhur. Uthulla përmban hidroacidet alfa, thënë ndryshe, acidi i frutave, të cilët konsiderohen shëndeti i vërtetë për lëkurën. Këto acide janë hidratues dhe pastrues në thellësi.
Nëse e përdorni për njollat kafe në fytyrë, aplikoni pak lëng në zonën ku do ta trajtoni me ndihmën e një tamponi prej pambuku. Lëreni të reagojë përreth 20-30 minuta, një deri dy herë në ditë përpara se ta shpëlani fytyrën.
Edhe lëngu i limonit është gjithaq një nga pastruesit më të mirë për njollat kafe në fytyrë, i cili mund t’i zbardhi ato dhe të largojë puçrrat. Vendosni lëng limoni në fytyrën tuaj dhe në duar ose qafë. Lëreni të veprojë mbi këto njolla përreth 20 minuta. Më pas shpëlajeni fytyrën. Ashtu si uthulla e mollës, edhe limoni përmban acide të cilat ndihmojnë në largimin e qelizave të vdekura të lëkurës, duke lënë pas një lëkurë më të shndritshme dhe të shëndetshme.
Përgatiti Orjona Tresa
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.