Gjatë pandemisë Covid-19 edhe shëndeti mendor profesional në Shqipëri, e sidomos ai privat, u mundua të hapë dyert që përmes internetit t’i gjendet në shërbim dhe kujdestari profesionale klientëve ekzistues dhe atyre fillestarë. Kjo lloj teknike u thirr në ndihmë për të përshtatur vazhdimësinë e punës dhe për të mbështetur familjarët e këtyre klientëve përmes teleterapisë në evitimin e terapisë në person, terapisë ballë përballë ose “një më një” siç quhet ndërkombëtarisht, terapi që në kushte epidemie merr formë të pasigurtë për shkaqe fiziologjike e psikosociale.
Por çfarë është teleterapia dhe a pati sukses teleterapia shëndetësore?
Teleterapia shëndetësore është një model shërbimi. Ajo është një shpërndarje profesionale nga klinika te klienti përmes teknologjisë telekomunikative.
Telefonatat inteligjente gjatë kësaj pandemie dhanë dhe po japin jo vetëm hyrjen e mundshme të komunikimit dhe kujdesit shëndetësor mental në kushte izolimi, por edhe po transformojnë bindjen e prindërve se sa rëndësi ka paraqitja balle përballë te personi, në zyrën e një terapisti.
Secili kontribues online dha e po jep më të mirën për terapinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara, por në këtë përballje vëmë re një ndryshim cilësor midis telepraktikës terapeutike dhe praktikës terapeutike gjatë normalitetit te personi të cilit po i parashtroj më poshtë nga përvoja ime si terapiste e të folurit.
(*Lexuesit dhe të interesuarit mund të më ndihmojnë në pasurim e shkëmbim materiali përmes rrjeteve sociale.)
Përparësitë e Teleterapive online:
1.Shërbim i shpejtë në kohë trazirash për t’u shërbyer vazhdimësinë, larguar frikën dhe izolimin shoqëror këtij grupi tejet të ndjeshëm, si dhe për të sfiduar krizën me të cilën përballen familjarët.
2.Dhënie e shërbimit përmes teleshëndetit terapeutik ndërton një ndjekje pune për një hapësirë më të gjerë se zyra, çka ndërgjegjëson familjarët skeptikë dhe të vetëkënaqur që të kryejnë ndërhyrje më të shpejta te fëmijët me aftësi kufizuese në kohë e moshë të hershme.
3.Hartim programesh më detajuese e dobidhënëse për kujdesin nga shtëpia nga ofruesit dhe specialistët e teleterapisë shëndetësore.
4.Reduktim të udhëtimeve nga shtëpia në institucion, klinikë apo qendër terapeutike, duke kursyer buxhetin familjar dhe respektuar distancimin fizikoshoqëror.
5.Përfshirja e prindit në seancat dëgjimore e vepruese, afrimitet ndërpalësh për konsulta e udhëzime në kushte shtëpie për vazhdimësi terapeutike.
6.Ndërtim platformash marrje e dhënie shërbimi tashmë jo vetëm person me person (one on one), por edhe grup fëmijësh, kujdestarësh e familjarësh.
7.Vendosja e një drite kalimi nga shkolla te shtëpia dhe mundësi hartimi programesh serioze dypalëshe terapist-prind në formën e ëebnarit (seminar online) për përparimin e fëmijëve me aftësi kufizuese. P.sh: aftësimi për lidhjen e këpucëve bëhet online përmes imitacionit, po ështu me këtë metodë bëhen shqiptimi i tingujve (articulations) përmes hapjes së gojës, ushtrimet e frymëmarrjes, të ritmit për rrjedhshmërinë e të folurit, (belbëzimin), diktimi për procesin e gabuar të të shkruarit dhe mësimin e gjuhës në të gjitha degët e saj (fonetikë, morfologji, sintaksë) apo shprehjet emocionale komunikuese përmes mimikës për efekt leximi teknik dhe të tjera metoda kërkuese.
8.Përdorim i një platforme pronësore toleruese, pa limit kohor nga personeli që mund të fillosh ku e kur të duash e të vazhdosh si të duash në dhënien e terapisë, pa pretenduar cilësi si opsionin e vetëm.
9.Dokumentim të punës kujdesore me seanca video për klientin, monitorim i teknologjisë familjare përballë terapistit, duke rritur punën ekipore dhe ndërgjegjësim i palëve të përbashkëta ndaj pagës kundrejt shërbimit.
10.Mbulim hendeku të mungesës së personelit profesional në terren (prania e disa qendrave kërpudha terapeutike joprofesionale për qëllime përfitimi në kurriz të atyre me përvojë përkatëse) dhe zbulim i terapistëve të vërtetë e të aftë për këtë partneritet punësimi e bashkëpunimi shoqëror.
Jopërparësitë
1.Teleterapia nuk gjurmohet dot nga kontrolluesit shtetërorë ose privat.
2.Cungim i qëllimit arsimor të shënuar në programet e edukimit individual (IEP).
3.Ndërtohen abuzime në cilësi dhe sasi, p.sh: si dhe sa fëmijë mund ta marrin teleterapinë? Dalin statistika të fryra dhe boshe, pa përmbajtje nga mësimdhënësit për te mësimdhënësit (këtu po ndaloj pak në ndjekjet e programeve shtetërore online për shkollarët normalë, si një vlerë jopozitive e disa mësuesve kryesisht militantë, që reklamuan veten me postime tradicionale shablloniste në profile FB-u të vetëquajtur “Heronj”. I nderuar mësues, t’i bëre detyrën për të justifikuar pagën shtetërore që të është besuar? Çfarë heroizmi bëre ti shok/shoqe arsimtare? Me kë u ndeshe që dole hero? Përse provokon vetëkënaqësi? Ke bërë një detyrë të cunguar cilësisht, duke marrë lavde pa meritë!)
4.Telepraktika terapeutike, a mbulohet në kosto nga sigurimi shtetëror apo ai privat? A kanë status ekonomik përballues familjet shqiptare cep më cep të territorit shqiptar për këtë metodë pune?
5.Gjatë teleterapeutisë dëmtohet e folura dhe gjuha si mjet komunikimi dhe mërrëveshjeje për shkak të distancës virtuale, manipulimeve emocionale, edhe më rëndë akoma kur shoqërohet me gjendje patologjike si: ankthi, frika, djersitja, dhimbje stomaku, koke, etj., duke përkeqësuar diagnostikimin kryesor si dhe diagnozat e terapitë e tjera mbivendosëse p.sh: terapia fizike profesionale (oçupation therapy) bashkëshoqëruese.
6.A ruhet privatësia e strategjive terapeutike për një edukim të veçantë në familje ku funksionon vetëm një kompjuter, një tablet, një telefon për shumë pjesëtarë e në hapësira të ngushta banimi dhe ende më keq, huazimi i kësaj teknike komunikuese nga jashtë?
7.Problemet teknike me internetin, p.sh: një ndërprerje, një vonesë, një mungesë mjeti ilustrues apo pronësimi i një kompjuteri, tableti pa mikrofon e kamera, shkaktojnë një problematike shumë të madhe të pritshmërisë trajtuese edukuese .
8.Çdo mësimdhënie apo terapi ka një kurbë mësimore në terapinë tradicionale në person, e cila të lejon të bësh modifikime dhe shërbime manipuluese si specialiste me fëmijën kur klienti është i pamundur e jo në formë psikofiziologjike. Po online a bëhet kjo gjë? Jo aspak, mbyllet qarku. Stresohen të gjitha palët.
9.Teleterapia për prindërit që punojnë gjatë pandemisë është një supershqetësim e ngarkesë. E imagjinojmë dot ne, një gjyshe, komshi apo dado të pastërvitur të ndjekë specialisten dhe të kujdeset gjithashtu për fëmijën në çdo tregues teknik dhe emocional?!
10.Edhe për terapistin është një superstres teleterapia, pasi ai duhet të jetë i trajnuar dhe përgatitur mirë për këtë metodë, më pas vjen rehatia e tij akademike profesionale si dhe përgjegjshmëria e lartë e punës, sepse ai ofron paralelisht shërbim, arsimim, psikoanalizë të bashkëpunimit. Pra presioni dhënës është maksimal.
11.Për mua si terapiste e të folurit dhe mësuese e fëmijëve me nevoja të veçanta Dëgjimi & Shqiptimi janë dy procese të lidhura ngushtësisht për komunikim, andaj të dyja këto hallka do të mbesin pa oksigjenin e nevojshëm duke kryer një teleterapi anemike.
12.Distancimi fizik dhe social për t’u mbrojtur nga Koronavirusi do të krijojë distancimin social shërbyes komunikativ të specialistëve me familjarët për shkak të rënies së nivelit financiar të jetesës apo fobive që ndërtohen. Ky distancim kthehet në kërcënim të praktikimit t të të folurit të gjuhës dhe formësimit të aftësive e sjelljeve të duhura për përditshmëri nga ky grup i ndjeshëm shoqëror. Kjo formë pune detyrimisht do të sjellë zbritje e kthim prapa të përparimit dhe dobisë që pritet.
13.Marrëdhënia e xhamtë në formën më të arrirë “shpreson” të kulturojë popullatën e re në shpërblimin monetar ndaj shërbimit mendor kualitativ dhe mospërdorimit fizik të lekut (cash money) ku ky i fundit ndjell prishje ekuilibrash midis skeptikëve nevojtarë dhe profesionistëve terapeutikë të liçensuar aftësisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.