Edhe pse një ikonë bukurie, ish-missi i parë shqiptar Valbona Selimllari shfaqet shumë modeste në përditshmërinë e saj. E veshur sportive dhe plot buzëqeshje ajo rrëfeu në studion e Rudinës për pasionin e saj, pikturën, punën në Bashkinë e Tiranës dhe fëmijët.
“Penelin e kam marrë shumë vonë, diku nga ’96, ndoshta edhe më vonë. Joni Kraja më ka nxitur shumë, sepse më thoshte që lapsi dhe peneli janë shumë afër. Ai më shtyu ta nisja dhe ishte shumë interesante. Me kalimin e kohës m’u fut në zemër…”
Kohët e fundit Selimllari është emëruar si Këshilltare e Çështjeve Sociale pranë Bashkisë së Tiranës.
“Kur më thanë se një pjesë e punës do të ishte me fëmijët e rrugës, nuk munda t’i thoja jo. E vlerësoj shumë punën e Erion Veliajt. Nuk kam dashur kurrë që të tregoj ndihmat që bëj, por sot puna në Bashki ma kërkon ndryshe dhe duhet të tregoj se çfarë bëj. Bashkia ka qendra të mirë ngritura me edukatore, qendra sociale për fëmijët e rrugës të organizuara shumë mirë, për t’i mësuar që e ardhmja e tyre nuk është rruga. Kemi folur me të rinjtë e Gjimnazit ‘Qemal Stafa’ dhe ata do të na ndihmojnë me këta fëmijë duke u bërë më sensibilizues, duke i afruar e duke i bërë të mos ndihen të veçuar. Këta fëmijë duhet të ndihen më të afërt, më pranë nesh. Ata fëmijë nuk kanë faj që kanë lindur aty ku kanë lindur.”
Dukle folur për rolin si nënë ajo shprehet: “Fëmijët janë në rritje e sipër. Kanë filluar ato sikletet e veta të vogla, por është bërë i çik e vështirë, është shkollë më vete kjo puna e rritjes së fëmijëve dhe kam përshtypjen që shkolla më e vështirë e jetës është prindërimi. Djemtë janë 12 dhe 9 vjeç janë paraadoleshencë dhe kur kam ndonjë diskutim me ta më thonë: “Shiko mami, ne jemi në rritje dhe rritja i ka dhe këto problematika.” Nuk di çfarë t’u them!”, thotë ajo duke buzëqeshur.
Ndërsa, për të bijën, Valbona bën këtë përshkrim: “Ajo është …nuk di çfarë të të them! Në momentin që tregon një histori, që krijon historitë e veta se është tre vjeç e gjysmë, është një gëzim i paimagjinueshëm!”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.