Në çiftin e tyre, modelet apo recetat e gatshme thërrmohen sakaq! Sepse modeli më i mirë është ai që ata respektivisht kanë zgjedhur për të kaluar jetën. Janë të dy figura publike. Ai politikan i njohur, sot i përfshirë në një studio të tijën ligjore, ndërsa ajo një ekonomiste e zonja dhe vajza e një diplomati në karrierë. Valbona Zeneli dhe Igli Toska në lidhjen e tyre shtatëvjeçare nuk janë kapur pas gjërave sipërfaqësore, por kanë parë përtej ndjenjave brenda vetes dhe karakterit të tyre. Siç shprehet Igli, që një bukuri të zgjasë duhet të ketë karakter, pasion, inteligjencë. Në fillim të njohjes, ata janë prezantuar në emër: si Igli dhe Valbona, për të vazhduar po kështu… pa doreza, pa barriera apo pengesa gjatë rrugës… thjesht kanë qenë vetvetja! Teksa vitet kalojnë, familja e tyre ka forcuar themelet me ardhjen në jetë të Darios, djaloshit katërvjeçar të çiftit Toska. Për Valbonën, të qenit prindër nuk është thjesht fryt i një raporti dashurie, por mbi të gjitha përgjegjësi dhe zotësi për të krijuar një familje me baza të shëndosha. Sot ata ndihen një familje e lumtur, pa mohuar faktin se një fëmijë i dytë është gjithmonë i mirëpritur në gjirin e tyre për t’u ndjerë edhe më të plotësuar… pse jo!
VALBONA ZENELI: Unë dhe Igli… e mesmja e artë
Në formë postulati: ç’është burri për ju?
Burri është gjysma e botës, pa të cilën ajo nuk do të kishte kuptim. E pra, nuk është vetëm bashkëshorti, është babai, djali, miku, vëllai.
Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Duhet të jetë si Igli….(qesh). Për mua nuk ka receta fikse. Vajzat krijojnë imazhe imagjinare të partnerëve të tyre të ardhshëm, por që harrohen menjëherë sapo ato takojnë njeriun e zemrës, dhe ky i fundit mund të mos ngjasojë aspak me modelin. I rëndësishëm është karakteri i njeriut, dhe për mua personalisht nocioni që mashkulli ka për familjen. Në ditët e sotme shumë çifte martohen, por të paktë janë ata që krijojnë familje.
Më konkretisht… lidhur me imazhet që krijojnë vajzat… për të cilët sapo folët… A ka qenë babai juaj një lloj modeli për zgjedhjen e burrit tuaj të jetës?
Është e vërtetë që shumica e vajzave kërkojnë figurën e baballarëve, sidomos kur kanë një marrëdhënie të fortë dhe model të jetës së tyre. Mendoj se kanë të përbashkëta Igli me tim atë, në karakter, ndershmërinë dhe përgjegjësinë, prandaj kanë raport të fortë dhe janë miq të mirë me njëri-tjetrin.
Çfarë vjen pas pasionit, në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?
Një marrëdhënie mund të zgjasë 1 ditë, ashtu si mund të zgjasë 100 vjet. Për mua varet shumë nga fati, përkushtimi, kushtet, dëshira e mirë. Përvoja jonë është e shkurtër (kemi vetëm 5 vjet të martuar e shtatë vjet që njihemi), ndaj do të ishte mirë ta përsërisnim këtë intervistë pas 30 vjetësh e nëse do të na gjente në raportin që unë shoh që kanë prindërit e mi, që ecin akoma përdore me njëri-tjetrin, do të thosha “ia dolëm me sukses”. Gjithsesi, mendoj se respekti reciprok dhe dashuria për jetën në përgjithësi, mirësia për të gjithë është çelësi i sekretit, gjithmonë të bekuar nga Zoti.
Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhet të jenë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Ne nuk jemi as të njëjtë, as të kundërt, jemi në atë që quhet me të drejtë “e mesmja e artë”. Në temperament ndryshojmë pak, Igli më i qetë, unë më impulsive; ai më kokëfortë, unë më elastike; etj. Pëlqejmë të njëjtat gjëra, udhëtimet, lëvizjet me djalin dhe me familjarë e miq.
Pse gruas, në të gjitha kohët, i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme? A jeni ndier misterioze, enigmatike, e pakuptueshme për burrin tuaj?
Po burri a ka mister brenda vetes për gruan? Pak mister bën gjithnjë mirë për lidhjen, por praktikisht në rastin tonë nuk ndodh kjo gjë. Nganjëherë më vjen pak inat se jam si libër i hapur për tim shoq dhe më kupton me sy, pa pasur nevojën të flasim me njëri-tjetrin.
Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe bashkëshorti juaj? Sa tradicional është rasti juaj?
Jemi familje tradicionale e moderuar, këtë shprehje e përdorte gjithmonë Igli në fillim të lidhjes sonë. Jemi shumë tradicionalë në themelet bazë të familjes, ku ekzistojnë rregulla që të dy respektojmë; ndërsa për sa i përket roleve, jo aq shumë. Igli është ndihmë e jashtëzakonshme në familje, nuk është burri tipik shqiptar që punon dhe nuk merret me mbarëvajtjen e shtëpisë apo me rritjen e fëmijës. Është shumë i pranishëm. Që nga dita që ka lindur djali ynë është ai që e lan çdo natë, që e vë në gjumë (përveç rasteve kur Dario dëshiron të rrijë me gjyshërit dhe fle tek ata). E vetmja gjë që Igli nuk bën në shtëpi është gatimi.
Një grua përballë sakrificave të burrit ndihet e përkëdhelur, apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore?
Nuk do t’i quaja sakrifica këto të sotmet; sakrificë ishte kur gjyshja ime ndiqte me fëmijë të vegjël gjyshin tim në vitet `50-`60 në të gjithë vendin, në transferimet e punës së tij, apo gjyshja tjetër duhet të shiste pas lufte gjithçka kishte pasur, dhurata të çmuara personale nga familja e saj për të rritur fëmijët dhe ndihmuar familjen. Apo kur ime më 20-vjeçare ndiqte tim atë në transferimin e tij 8-vjeçar në Kukës, si pasojë e të vetmit fakt se kishte lexuar Frojdin. Përndryshe, të tjerat nuk i quaj sakrifica, janë kompromise të jetës së përbashkët. Sot jam unë që po i marr më tepër kohë familjes, me punën dhe studimet që po mbaroj, dje i merrte im shoq kohë jetës sonë të përbashkët me punën e tij… Kjo është jeta.
Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?
Ne nuk kemi shumë diskutime pune në familje, gjithmonë ka qenë kështu. Diskutojmë, por pa hyrë asnjëherë në detajet e punës së tjetrit, ndoshta ndikojnë edhe profesionet e ndryshme, ai jurist, unë ekonomiste. Ama vendimet e rëndësishme për punën tonë i marrim gjithnjë bashkë. Pastaj, koha e lirë është aq e pakët dhe ka aq shumë tema të tjera të rëndësishme… Së fundmi, pjesën më të madhe të diskutimeve e zënë ato shpjeguese të çdo lloji me djalin tonë, i cili është në periudhën e pse-ve.
Sa i vëmendshëm është burri juaj për “vogëlimat”, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë: për shembull, a ju bën dhurata? Po ju si jeni në këtë pikëpamje?
Kjo është një gjë jo e përbashkët me tim shoq, unë jam shumë e kujdesshme ndaj dhuratave dhe ndaj “vogëlimave” siç i quani ju, ai jo aq shumë. Justifikimi i tij “që nuk jam e lehtë në shije dhe nuk më pëlqejnë gjërat që më dhuron ai”. Gjithsesi e kam gjetur zgjidhjen për të mos pasur “sherr”. Ia kujtoj gjithmonë që duhet të më sjellë lule ose dhuratë një ditë para okazionit. Pastaj, tani kam aleat të fortë, Darion, i cili që tani më bën dhurata e i kërkon Iglit të shkojnë t’i blejnë bashkë.
Thuhet se… shekulli XXI është shekulli i grave…
Më duket më tepër “shprehje klishe”. Gratë janë gjysma e shoqërisë e të tilla duhet të ishin edhe në angazhime. E megjithëse nuk kanë qenë të vlerësuara, ato kanë dhënë kontributin e tyre në të gjitha drejtimet edhe në shekullin XX apo ato më parë. Pastaj, “pse duhet të kemi shekuj burrash apo shekuj grash”? Duhet thjesht të kemi respekt reciprok, vlerësim e bashkëpunim më të fortë.
Igli Toska: Burri & gruaja që bota të funksionojë
Në formë postulati: ç’është gruaja për ju?
Natyra ka krijuar burrin dhe gruan që bota të funksionojë. Pra, është gjysma e shoqërisë që bën të funksionojë dhe gjysma tjetër.
Si duhet të jetë një grua që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Pa diskutim që ajo që tërheq vëmendjen është e bukura. Por kjo bukuri që të zgjasë duhet të ketë karakter, pasion, inteligjencë. Për mendimin tim nuk ka modele. Modeli më i mirë është ajo që ke zgjedhur për të kaluar jetën.
E megjithatë do të flasim për modelet: konkretisht për një model që shpesh ekziston në nënvetëdijen e një burri, për gruan e jetës. A kishit ju një të tillë vite të shkuara?
Zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të modelit të nënvetëdijes? Ndoshta ky kompleks ekziston kur je i vogël. Me rritjen, absolutisht që ti kërkon tek partnerja të njëjtat vlera morale që ke marrë nga familja, por gjithsesi nuk ka recetë fikse, të përcaktuar për modelin e subkoshiencës.
Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?
Unë mendoj se një marrëdhënie burrë-grua ekziston dhe reziston kur ka motiv. Nga ky motiv varet dhe jetëgjatësia e saj. Natyrisht, pasioni është pjesë e qenësishme e një raporti, i cili ka nga pas tërësinë e aktivitetit njerëzor. Nga përvoja jonë unë e shoh çelësin e rezistencës së një marrëdhënieje tek përkushtimi dhe toleranca.
Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhet të jenë të njëjtë, apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Në rastin tonë nuk jemi as të njëjtë e as të kundërt. Jemi thjesht të ndryshëm në disa gjëra. Kjo nuk do të thotë që nuk funksionojnë ata që janë të njëjtë apo të kundërt me njëri-tjetrin.
Pse gruas, në të gjitha kohët, i është veshur imazhi i qenies së mistershme? A ia keni dalë ju ta njihni gruan, “seksin tjetër” në përgjithësi?
Po burri a ka mister brenda vetes për gruan? Kam përshtypjen që shprehja “e mistershme” është pak e ekzagjeruar. Është e vërtetë që shumë gjëra të reja zbulon gjatë bashkëjetesës e të tjera do të vazhdosh të zbulosh. Kjo gjë vazhdon për gjithë jetën. Kjo është e bukura e raportit.
A ndryshon gruaja në këndvështrimin e burrit, pasi ajo është bërë nëna e fëmijës së tij?
Me lindjen e fëmijëve ndryshon mënyra e të menduarit. Ka më shumë socialitet, më shumë partneritet, bashkëpunim, më shumë mirëkuptim, dashuri. E të gjitha këto përcillen natyrshëm tek fëmija, sepse “ç’të mbjellësh, do të korrësh”.
Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe gruaja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?
Unë luaj rolin e burrit, Valbona rolin e gruas. Kjo është tradita në familjen tonë (qesh). Fjalëkalimi: bashkëpunim.
Një burrë përballë sakrificave të gruas ndihet i përkëdhelur, apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore? Në ç’raste sakrifikon një burrë?
Nuk mendoj që sot mund të ketë burrë të përkëdhelur për brezin tim. Gjithsecili prej nesh sot njeh punën e detyrimet e tjera dhe këto nuk të lënë kohë për t’u përkëdhelur. Kuptohet, në familje ka momente që dikush për shkak të angazhimeve mund të jetë më pak prezent, por kjo nuk duhet të kthehet në dobësi për t’u shfrytëzuar nga partneri tjetër.
Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?
Sa më pak diskutime pune në shtëpi. Kjo është mënyra më e mirë për të ndarë kohën e punës nga koha e lirë. Këtë e kam nga përvoja ime e deritanishme. Kuptohet, pavarësisht se profesionet janë të ndryshme, situatat e rëndësishme profesionale ndahen bashkërisht.
Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? Për shembull, a bëni dhurata? E keni vëmendjen mashkullore ndaj “vogëlimave”? A pretendoni dhurata nga gruaja? A i merrni?
Për mua “vogëlimat” mbeten “vogëlima”, të tjera janë gjërat e rëndësishme. Në kuadrin e dhuratave, vendimet kohët e fundit i marr me tim bir. Pavarësisht se Dario është vetëm 4 vjeç, në këtë pikë unë ndjek intuitën e tij. Po më mëson gjëra të rëndësishme për të cilat duket sikur është shkolluar.
Thuhet se shekulli XXI është shekulli i grave…
Në shoqërinë që jetojmë roli i gruas është i shumëfishtë. Po të jetonim në shekullin e grave, do të kishte më pak luftëra. Shoqëria do të ishte më sociale, agresiviteti mashkullor më i ulët. Kuptohet, kjo do të ishte shoqëria e përsosur që do të donim të gjithë. Të shpresojmë të ketë “shekull grash”.
Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.