A është bërë puna gjëja më e rëndësishme në jetën tonë? Më keq akoma, puna është jeta jonë. Sa kohë i kushtoni punës? Dhe sa kohë ju mbetet për t’ua kushtuar njerëzve të dashur (familjes, miqve)? Po ndieni pasojat e para edhe në shëndetin tuaj? Shëndosheni, dobësoheni? Probleme me gastritin? Nuk flini mjaftueshëm?
Nëse e gjeni veten në përshkrimin e mësipërm, atëherë me shumë gjasa vuani nga ajo që psikologët amerikanë e quajnë “workaholism” (ose varësia nga puna).
Dhe si gjitha llojet e tjera të varësisë, varësia nga puna mund të komprometojë seriozisht marrëdhëniet me të tjerët, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dhe në një afat më të gjatë, produktivitetin në punë.
Kur nuk ndalni dot së punuari…
Varësia ndaj punës shpesh nënvlerësohet, nuk besohet se mund të jetë një problem serioz, pikërisht sepse shoqëria jonë i jep një vlerë të madhe arritjeve profesionale. Ndërsa të gjithë llojet e tjera të varësisë dënohen, në përgjithësi ata që punojnë shumë marrin vlerësimin e të tjerëve.
Po cili është kufiri mes përkushtimit ndaj një pune që ju pëlqen shumë dhe të jeni i fiksuar pas punës? Këto të dhëna mund t’ju ndihmojnë të bëni një dallim midis një përkushtimi normal në punë dhe një përkushtimi të sëmurë:
• Nuk mendoni për gjë tjetër veçse për punën; para se të flini, sapo zgjoheni në mëngjes, në kohën tuaj të lirë. Nuk arrini që të çlodheni: mendja juaj është gjithnjë në kërkim të zgjidhjeve të problemeve në punë.
• Kur nuk punoni, ndiheni i pavlerë, mërziteni dhe për këtë arsye, nuk ndjeni nevojën të bëni pushime apo të hiqni spinën në fundjavë.
• Lini pas dore shëndetin tuaj, flini pak, hani keq, shkoni në punë edhe kur jeni sëmurë.
• Nuk keni një hobi apo interesa të tjera jashtë pune.
• Lini pas dore miqtë vetëm e vetëm që të mos ngadalësoni ritmet tuaja të punës
Arsyet psikologjike të varësisë nga puna
Për shumë njerëz, shpesh puna shndërrohet në varësi, pasi janë rritur në një ambient ku dashuria dhe vlerësimi nga prindërit ishin në varësi të arritjeve të tyre.
Në raste të tjera, njerëzit që punojnë shumë, kanë pasur prindër, pritshmëritë e të cilëve ishin të ekzagjeruara dhe shpesh joreale për ta. Në fëmijërinë e tyre shpesh kanë ndier që gjithçka që bënin nuk ishte “mjaftueshëm mirë” për prindërit e tyre. Gjatë procesit të rritjes ky mesazh është shndërruar në “Ti vlen si njeri vetëm nëse bëhesh i suksesshëm, të jesh më i miri, të bësh figurë të mirë”.
Për rrjedhojë, do të ndiejnë se vlejnë diçka vetëm nëse do të arrijnë një pozicion të lartë në punë, duke u përpjekur në këtë mënyrë të arrijnë të marrin vlerësimin e shumëmunguar kur ishin fëmijë.
Ata që punojnë shumë shfaqen edhe shumë ambiciozë: për ta, një punë normale është një dështim, në momentin që vetëvlerësimi i tyre varet nga faktorë të jashtëm si suksesi dhe paratë. Varësia nga puna është një çrregullim dhe si gjithë çrregullimet e tjera të këtij tipi lidhet më një vetëvlerësim të ulët dhe një ndjesi e madhe boshllëku në jetë.
Të kesh gjithnjë diçka për të bërë është një mënyrë për të mos menduar, mbi të gjitha për të mos dëgjuar. Të jesh gjithnjë i zënë është një mënyrë për të mbajtur larg emocione si zemërimi, ndjenja e fajit, frikën se vlen pak, frikë nga intimiteti.
Disa këshilla për të gjetur hapësirën tuaj
• Kthehuni në shtëpi pak më herët dhe ndalojini vetes të punoni në fundjavë. Për habi, do të shihni që rendimenti juaj do të rritet, pasi do të jeni më të çlodhur dhe më të përqendruar.
• Kushtojini së paku 30 minuta në ditë miqve tuaj. Mund të telefononi një mik me të cilin nuk keni folur prej kohësh ose mund të kaloni pak kohë me kolegët tuaj (me kushtin që të mos flisni për punë).
• Nëse ndiheni në faj, kushtojini partnerit tuaj “kohë të vyer” gjatë ditëve të javës dhe më shumë gjatë fundjavës.
• Shmangni televizorin, por bëni diçka bashkë, për shembull një shëtitje.
• Kujdesuni për shëndetin tuaj. Mos harroni të hani, shkoni të flini në një orë të përshtatshme, merruni me një aktivitet fizik.
Burimi: Revista Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.