Seksi është një pjesë e rëndësishme e jetës sonë, në bazë të moshës, përvojës, statusit, aspekteve fizike dhe psikike karakterizon mirëqenien tonë. Tek disa persona, seksi nuk është vetëm pjesë e jetës, por bëhet një aktivitet i cili karakterizon çdo ditë, derisa personi humb tërësish mundësinë e të kontrolluarit vetveten. Varësia seksuale është një sjellje e cila karakterizohet nga iluzioni i të bërit diçka që largon apo i tejkalon vështirësitë e përditshme të jetës (V. Caretti, G.Di Cesare, 2005).
Individi që ka këtë varësi mundohet të largohet nga vështirësitë e jetës, nga dhimbja, ndjenjat e fajit apo turpi i ndjerë. Kjo sjellje i ndihmon gradualisht e më shumë për të fshehur ndjenjat e konfliktit. Sjellja seksuale e përsëritur i jep një ndjesi kontrolli tek trupi dhe e bën personin të ndjehet emotivisht i pushtetshëm. Ai mendon se largimi i përkohshëm nga problemet gjatë aktit seksual, është zgjidhja e problemeve, ndërkohë varësia rrënjësohet akoma më shumë. Sjellja seksuale kthehet në një stil jete, i cili karakterizon përditshmërinë e individit, duke e larguar nga personat e tjerë, dhe duke e larguar nga mundësia për të kuptuar ç’po ndodh brenda tij. Një person që ka një problem të tillë është fortësisht i stresuar emotivisht, psikologjikisht dhe fizikisht, duke hyrë në një rreth vicioz, ku nuk ka mundësi të shkëputet nga sjellja seksuale kompulsive. Personat e tillë kanë nevojë për diçka që vjen nga jashtë (filma porno, lidhje on-line, seks me prostituta) për të rregulluar ndjesitë negative të brendshme, sepse objektivi i këtyre individëve është të ulin nivelin e ankthit dhe dhimbjes që ndjejnë karshi realitetit që i rrethon. Në këtë rast seksualiteti përdoret si droga apo alkooli për të ikur nga problemet.
Neuropsikologët kanë skanuar trurin e personave të droguar dhe trurin e personave të varur seksualisht. Çuditërisht, zonat cerebrale të aktivizuara gjatë eksperimentit janë të të njëjtat, pra dëmet që seksi i tepërt shkakton, janë po të njëjtat e atyre që shkaktojnë substancat narkotike. Ndërkohë, kjo sjellje jep përkohësisht edhe ndjesi arritjeje. Nga njëra anë, seksi jep efekte pozitive, nga ana tjetër, personi nuk ndalon dot aktivitetin e tij, pra shpejt ndodhet në situata ku mbyllet nga bota përreth dhe kalon natën duke parë video porno, apo duke kërkuar njohje në rrjetet sociale, apo duke shpenzuar në mënyrë të pa konsiderueshme lekët për seks me pagesë. Ndonjëherë seksi përdoret për t’u ndjerë më pak vetëm ose për t’u ndjerë i pranueshëm në shoqëri, duke rritur riskun për takime të shpeshta on-line. Një studim i vitit 2011 nga “Society for the Advancement of Sexual Health” tregonte se janë 9 milion persona të prekur nga kjo varësi.
Aktualisht, përtej meshkujve 40-50-vjeçarë, ka edhe shumë gra, adoleshentë dhe të moshuar. Të njëjtat kërkime pohojnë se për Shqipërinë nuk ka akoma statistika të veçanta. Personi me varësi seksuale kalon ditën duke fantazuar seksualisht (shumë orë duke menduar sesi do kalojë aventurat e ardhshme seksuale); masturbimi (ndonjëherë orët e tepërta që kalon duke u prekur, sjellin dëme në organe gjenitale); rol seksual të ngacmueshëm (kalon kohën duke kërkuar aktivisht partner për të pasur raporte); seks anonim (me persona që nuk njeh dhe e njohin, duke bërë pjesë në orgji, raporte për një natë apo duke kërkuar vende që ofrojnë seks për një natë); seks me pagesë (prostitucion, linja telefonike erotike, revista që ofrojnë numra telefoni); seks i shitur (filma erotikë ose fotografi amatoriale me sfond seksual). Të gjitha këto aktivitete karakterizojnë ditët dhe javët e personit, derisa ai humbet punën, familjen dhe shoqërinë dhe gjendet vetëm.(M. Spaccarotella, 2016)
Personi për t’u diagnostikuar si Varësi Seksuale (hypersexual disorder) duhet të ketë këto sjellje për të paktën 6 muaj, dhe ndërkohë te familja, puna dhe miqësia të kenë arritur një modifikim të konsiderueshëm. Çfarë dëmesh shkakton varësia seksuale në jetën e një personi? Humbja e lidhjeve, zakonisht nëse janë të martuar, arrin shpejt në divorc apo ndarje; humbja e fëmijëve, abort apo humbja e kujdestarisë; fëmijët nuk janë pjesë të jetës së personit që është në varësi; humbja e miqësive; infektimi me sëmundje; humbja e sasive të konsiderueshme të lekëve; zhvillim i çrregullimeve seksuale; zhvillimi i turpit dhe ndjesisë së fajit; ndjesi izolimi; humbja e vendit të punës, humbja e vetëvlerësimit dhe integritetit psikik; tentativa vetëvrasjeje.
Trajtimi i varësisë bëhet nëpërmjet psikoterapive individuale, ose në grup, por në disa raste është i nevojshëm përdorimi i ilaçeve që rrisin serotoninën, antidepresivëve, ansiolitikëve dhe stabilizatorëve të humorit, sepse varësia është një problematikë që prek biologjinë, psikologjinë dhe kulturën. Për kurën e kësaj varësie nevojitet një ekip multi disiplinor si psikologu, psikiatri dhe seksololgu.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.