Koka e secilit nga ne bie një ditë, ashtu si të parët tanë kontribuuan me ide e mendime, e po me kokë ranë në tokë. Ne punojmë për të rënë, po aq sa punojmë për t’iu kënaqur përkohshmërisë që na ofron jeta. Sikur të kuptohej se misioni në këtë realitet është i shkurtër, me siguri, shumë fenomene nuk do të ekzistonin, varrezat e Sharrës e Tufinës nuk do të tejngopeshin me kufoma, lajmet do të torturoheshin për ndonjë dramë dhe, në fund, ne do të ishim në gjendje të planifikonim perspektivën e asaj që na pret.
Vdekjen mundohen ta shmangin nga bisedat dhe diskurset, por ajo është aq e durueshme sa nuk shmang askënd. Duam apo s’duam të flasim për të, ajo është aty të ndërpresë fillin e jetës në çdo çast. Nuk e kam kuptuar se përse të flasësh për vdekjen është frikë, kur ndërkohë frika më e madhe është të mos duash ta njohësh dhe të përballesh me të. Sa njerëz vdesin çdo ditë në rruzullin tokësor nga mania për t’ju kundërvënë vdekjes?! Mijëra ekzekutime bëhen në emër të falsitetit dhe qëllimeve të vogla. Të gjithë duam ta njohim vdekjen nëpërmjet tjetrit se na bën më human, më reflektues, na inspiron të vlerësojmë kohën në dispozicion, por ajo zgjat vetëm një javë, aq sa një ceremoni mortore, më pas kur kureshtja bie, vijojmë të jetojmë realitetin dhe të gënjejmë veten se, të flasësh më pak për vdekjen, nuk e rikujton atë të na marrë. Paradoks!!! Eventualisht shoqëria planifikon zhvillime urbane dhe projekte për një zhvillim avangard, ndërkohë po kjo shoqëri nuk kujdeset për të ardhmen e vet, që pa diskutim është vdekja! Më parë se të kontribuohet për jetën, duhet të kontribuohet për “vdekjen” dhe vendprehjen e qytetarëve. Çfarë perspektive ka shoqëria për ata që vdesin ose që priten të vdesin?! Unë si qytetare e botës nuk kërkoj rimbursim barnash, as përfshirjen e ndërhyrjeve kirurgjikale në rimbursim, nuk kërkoj rrugë, nuk kërkoj impiant uji, nuk kërkoj qiqra në hell. Unë si qytetare e vdekshme, me apo zgjatjen në kohë të jetës, kërkoj minimalisht një plan se ku do të prehem në të ardhmen. Më zë paniku kur mendoj se investohet më shumë për universitete private, botoks, pushime në Karaibe, Maldive, turizëm në Hënë, në një kohë kur asnjë nuk shqetësohet për të avancuar konceptin mbi vendprehjen e fundit, d.m.th, të krijohen parqe varrezash dhe jo gropa septike tualetesh apo pallate betoni kutizash për hire. Jeta vlerësohet më shumë nga perspektiva e vdekjes sesa nga perspektiva e jetës së shfrenuar për ora Rolex apo veshje firmato. Të vlerësosh atë që do të bëhesh, është sot sfida e shekullit për njerëzimin. Dëgjohet fraza klishe: “Kur të rritem do të bëhem mjek, avokat, arkitekt, astronaut”, pra i japim një vlerësim asaj që do të bëhemi. Përse kur rritemi s’e vlerësojmë atë që na pret të bëhemi, vdekjen?! Alegoria e “Gomarit të Buridanit” na tregon se, ashtu si gomari që e pa jetën nga perspektiva e ngrënies, ngordhi nga dilema e zgjedhjes, çdo ditë mijëra njerëz vdesin ngaqë e panë jetën nga perspektiva e jetës, jo se ato që e shohin nga perspektiva e vdekjes nuk do të vdesin, por do të jenë më të ndërgjegjshëm për atë që i pret. Nuk ke nevojë të udhëtosh nëpër Dubai për të kuptuar se sa të ndryshëm janë njerëzit dhe sa e larmishme është mendja njerëzore. Bëni një shëtitje në varrezat e Sharrës! Në hyrje të saj gjen tek-tuk varre të vjetër dhe të thjeshtë në pamje, kurse nëpër parcela të tjera shikon se si ngjitet vdekja me kate nga mermeri e graniti te skulpturat, pikturat e frikshme pa ngjyra apo thëniet: “Aty ku je ti kam qenë edhe unë, këtu ku jam unë do të vish edhe ti”; “Hej, ç’më shikon, kam qenë si ty”. Imagjinata nuk ka fre, e të afërmve të atyre që prehen aty, pra varrezat janë manifestimi i kreativitetit të të gjallëve për vdekjen. Të varfër, por me varre të kushtueshme. Kursimet e një jete për mermerë miliona eurosh. Një imagjinatë e shfrenuar ngjyrash për varre të lodh aq sa të shohësh Dubain apo NYC është e njëjta gjë. Përpjekjet njerëzore njohën traktate e pakte për të fituar të vendosur në jetë, si për të votuar, si për të zgjedhur lirshëm bashkëshortin apo bashkëshorten, për të trashëguar pronën etj. Ndërkohë për të vendosur për vendprehjen, e drejta u takon të tjerëve, familjarëve, miqve apo komshinjve. Testamenti është ligjërimi i së drejtës jashtëkohësisë, por që fatkeqësisht po trajton vetëm anën materiale. Nëse mendësitë mbi vdekjen do të ishin bashkëkohore, atëherë do të kishim më pak njerëz kokëboshë që ankohen për varret e të afërmve për 1001 arsye. Për të gjithë këtë kategori vlen një përgjigje: Merru me varrin tënd, planifiko një vendqëndrim të denjë për veten se është koha të ndërgjegjësohemi se askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në zgjedhjen për vendprehjen e tjetrit
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.