Marrëdhënie

June 6, 2016 | 9:38

Vëllazëria/ Kur rivaliteti vazhdon edhe në moshë të rritur

Nga Elona Kormaku Psikologe Klinike

Nga Elona Kormaku
Psikologe Klinike

Vëllazëria: Përse disa prej tyre “urrehen” gjatë gjithë jetës?

Sipas pedopsikiatres Marcel Rufo, konfliktet e fëmijërisë midis motrave dhe vëllezërve zgjidhen përgjithësisht në adoleshencë. “Është një mundësi e dytë që të bëhesh vëllai apo motra e vëllait dhe motrës tënde”, shprehet pedopsikiatrja. Por ndodh që ata të jenë të ashpër midis tyre, duke mos toleruar për asgjë e duke na krijuar përshtypjen se këta protagonistë familjarë nuk janë rritur asnjëherë. Përse është kaq e vështirë për disa njerëz që të bëjnë paqe në moshë të rritur? Psikanaliza shpjegon se e pandërgjegjshmja jonë e zhvlerëson kohën. Rivalitetet dhe hatërmbetjet e fëmijërisë mbeten të paprekura, por në një moment specifik kur ne tashmë jemi të rritur, nuk ngurojmë të veprojmë nëse nxitemi nga boshllëqet e krijuara në të kaluarën. Sidomos nëse marrëdhëniet familjare kanë qenë të vështira dhe problematike, individi i rritur ka prirjen të përdorë armiqësinë fëminore në vazhdimësinë e marrëdhënieve vëllazërore. Duke refuzuar të tolerojnë dhe duke u sjellë me kyeneçësi, njësoj si të ishin ende të vegjël dhe duke penguar njëri-tjetrin të zhvillohen. Disa situata tipike jetësore vërtetojnë fenomenin e rivalitetit midis vëllezërve dhe motrave, të cilat pasojnë urrejtjen midis tyre edhe përgjatë viteve të jetës. Sipas psikiatres Sylvie Angel, kujtimet e fëmijërisë nuk përbëjnë thelbin e mosmarrëveshjeve, sepse është e pamundur që ato të ruhen në detaje. Sipas saj, është e pamundur që një fëmijë të krijojë një urrejtje të fortë për vëllanë apo motrën në një moshë të vogël, duke kujtuar momente dhe ngjarje të mërzitshme lidhur me ardhjen e fëmijës së dytë në familje. Janë prindërit ata që e kanë kompozuar historinë duke krijuar kështu një mit familjar dhe në të njëjtën kohë, me pavetëdije, ata kanë prodhuar këtë armiqësi midis fëmijëve të tyre. Kur fëmijët vazhdojnë të kenë kontradikta në mendime, në zgjedhjet e jetës që ata bëjnë, prindërit padyshim që vuajnë për mospërshtatjen midis fëmijëve që tashmë janë të rritur. Ëndrra e çdo prindi është të shohë në harmoni fëmijët mes tyre. Pavarësisht moshës, dëshirave, interesave dhe botëkuptimeve që ata mund t’i kenë të ndryshme, një kontrast i tillë mund të sjellë konflikte dhe ftohtësi emocionale. Kohët e fundit, mendësitë njerëzore janë përpjekur të japin mesazhin se fëmijët e sotëm janë më të ftohtë dhe të largët me njëritjetrin. Kontradiktat dhe konfliktet kanë gjeneruar pa kursyer dhe pa toleruar faktin se jemi pjesëtarë të së njëjtës familje. Sipas psikologut Marcel Rufo, është e gabuar të mendojmë se fëmijët janë të dhunshëm midis tyre. Kjo është një ide e pabazë, sepse janë pikërisht prindërit ata që i kushtojnë më shumë vëmendje këtyre ndjenjave. Më parë, duke u nisur nga fakti se autoriteti prindëror nuk i lejonte fëmijët të shprehnin rivalitetet midis njëri-tjetrit, sot ata janë më të lirë për të shprehur ndjenjat dhe qëndrimet karshi vëllait apo motrës. Zilia dhe xhelozia janë pjesë e marrëdhënieve fëminore në vëllazëri, por nëse kjo marrëdhënie vazhdon të jetë e tensionuar edhe në moshën e rritur, ndodh si rezultat i cilësisë së jetës që ndërtojnë secili në mënyrën e vet. Kur nuk ndahen të njëjtat vlera apo kur interesat për jetën janë kontradiktore nga njëri tek tjetri, lind mundësia e një marrëdhënie armiqësore midis tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top