Secilit prej nesh i ndodh në jetë të ndiejë sikur truri nuk i mban më. Kjo vjen nga shumë arsye. Disa më kryesoret janë mbingarkesa e përditshmërisë, lodhja shumëdimensionale, apo ngaqë gjërat nuk po shkojnë sipas pritshmërive. Që të fillosh ditën me shumë forcë duhet të kesh fjetur mirë. Çlodhja e trupit dhe e trurit janë të domosdoshme. Një mëngjes i bollshëm me të gjithë përbërësit e duhur ushqimor janë pikënisja e një dite optimiste. Të ecurit në këmbë për në punë apo drejt destinacionit për ku je nisur, të bën më sportiv dhe të jep më energji për ditën në vazhdim. Vendosja e qëllimeve është shumë e rëndësishme. Kënaqësia që marrim nga përmbushja e tyre duhet të shërbejë si lajtmotiv i fillimit të ditës. Forca vjen duke e kërkuar atë brenda vetes, duke këmbëngulur dhe duke mos hequr dorë. Pas përfundimit të punës është e këshillueshme që stresin mos ta merrni me vete. Bëni një shëtitje në ajër të pastër, qëndroni në sinkroniket të plotë me natyrën. Qetësohu sa më shumë të mundesh. Trego sa më shumë dashuri ndaj vetes duke bërë gjërat që të pëlqejnë, pasi të gjitha këto shkarkojnë tensionin e mbledhur gjatë ditëve. Takohu me njerëz të cilët dinë të falin dhe induktojnë energji pozitive, me njerëz që dinë të të mbështesin dhe të inkurajojnë në rrugëtimin tënd. Në përditshmërinë tonë shpesh gjendemi të përhumbur, të lodhur e madje të nervozuar për aq sa dita na ka shoqëruar deri kur vëmë kokën në shtrat për gjumë. Pse ndodh ky ritëm? Ka njerëz që nuk i kuptojnë në situata të veçanta gjithë këto, andaj duke ua bërë të ditur i vëmë në dijeni më hapur dhe i ndihmojmë të kuptojmë veten për aq sa mund t’u ofrojmë me këshillat tona. Disa njerëz vrapojnë aq shumë në jetën e tyre për të arritur synimet me të cilat pretendojnë parakushtin e lumturisë, sa harrojnë vetë thelbin e jetës. Disa të tjerë mbetën për periudha të gjata të përhumbur në gjendje staniacioni. Si të parët dhe të dytët mund të ndihen të lodhur dhe të nervozuar nga gjendja aktuale ku ndodhen, pasi të dy këta individë janë duke e zhvilluar jetën e tyre në drejtim të ekstremeve, ose me ritme shumë të shpejta ose shumë të ngadalta. Të dy nga nxitimi apo të qëndruarit në vendnumëro, po e humbasin udhëtimin e mrekullueshëm të quajtur JETË. Urtësia më e madhe është që ta bësh shijimin e momentit, qëllimin suprem të jetës sepse ky është i vetmi realitet, çdo gjë tjetër është lojë e mendimit. Kur në fund të jetëve të tyre, pjesa më e madhe e njerëzve hedh vështrimin pas, zbulon se ka jetuar gjatë gjithë kohës ad interim. Ata do të çuditen, kur të shohin se pikërisht ato gjëra, të cilat kanë lejuar që t’iu rrëshqasin pa i vlerësuar dhe pa iu gëzuar përbënin pikërisht jetën e tyre. (Artur Shopenhauer, Parerga dhe Paralipomena, vëll. II.) Jo pa arsye, e kam shkëputur këtë fragment, për të kuptuar se sa e rëndësishme është të shijosh momentin, t’u gëzohesh gjërave që ke, t’i evidentosh dhe t’u gëzohesh atyre. Të mendosh pozitivisht! Kjo formë e të menduarit redukton ndjeshëm lodhjen, nervozizmin apo të qenit i/e përhumbur. Duke jetuar, jo sikur jemi të përjetshëm, por si të përkohshëm, do arrijmë të shijojmë mundësinë unike që na është dhënë, vetë jetën.
Bashkëbisedimi me veten
Biseda me veten fillon kur je e gatshme ta dëgjosh zërin tënd të brendshëm, kur ndalon së vrapuari dhe pyet veten si je, si po ndihesh? Kur bie në kontakt me veten, kur bashkëbisedon me të, sigurisht që ti po kryen një akt dashurie ndaj saj. Po e dëgjon mesazhin që do të japë. P.sh. truri na jep sinjale kur është mbingarkuar dhe ti e ke në dorë për ta çlodhur atë në shumë mënyra. Trupi na flet kur diçka nuk shkon si duhet. Thjesht duhet të ndërgjegjësohemi për ta dëgjuar këtë gjuhë të brendshme, këtë sistem të ndërtuar mrekullisht, që na tregon për gjithçka. Bashkëbisedimi me veten gjithashtu të ballafaqon me shumë konflikte personale të cilat nga nxitimi apo arsye të tjera i anashkalojmë. Duke i vetëkopsitur problemet, ti aftësohesh dhe merr energji për të vazhduar më tej. Në këtë mënyrë kjo të ndihmon në organizimin e ideve dhe vendosjen e qëllimeve, të cilat & vihen në funksion të përmbushjes vetjake.
E ke pyetur ndonjëherë veten çfarë dëshiron më shumë të bësh apo të kesh? Çfarë të fal ty kënaqësi? Po ja jep vetes privilegjin e të qenit i/e lumtur? Pyetje të tilla të ndihmojnë që t’i ridimensiosh energjitë personale, pasi të fokusojnë ty, tek thelbi yt. Te gjërat që do më shumë! Sill shpesh ndërmend se jeta është shumë e shkurtër dhe të gjithë jemi kalimtarë të përkohshëm. Ndaj fliti vetes me pozitivitet e dashuri, motivoje atë, relaksoje, jepi mundësi çlodhjeje, mos e mbingarko. Atë do e kesh deri në fund të udhëtimit tënd. Ndërto dhe zhvillo këtë formë sjelljeje me veten. Është e këshillueshme të formohet si zakon. Nuk ka rëndësi nëse bashkëbisedon me veten që në mëngjes, gjatë ditës apo para gjumit. Mjafton që të jesh në kontakt me të, pasi kjo mënyrë sjelljeje e lehtëson ditën tënde.
Ruaj ekuilibrin ushqimor
Ekuilibri mendor, qëndrueshmëria, qetësia e brendshme, harmonia, paqja janë të gjitha të realizueshme. Mjafton të jemi këmbëngulës për t’i patur ato. Thënia: “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë”, duhet kujtuar shpesh që të na motivojë të ushqehemi siç duhet, të ecim mjaftueshëm, të kemi aktivitet fizik si vrapi apo sporte të ndryshme. Regjimi ushqimor, regjimi në të fjeturin në të njëjtin orar e duke u zgjuar i çlodhur e me energji të reja, na jep mundësinë për të qenë të kthjellët e të zhdërvjellët për ditën që na pret. Ekuilibri mendor arrihet kur individi krahas shëndetit të mirë fizik, të përmbushet dhe në rolet e tij në familje, në shoqëri, në punë. Kur ndërtojmë marrëdhënie të mirë me veten dhe të tjerët, ndodh që kjo të reflektohet pozitivisht brenda dhe jashtë nesh. E njëjta gjë ndodh, kur ju jeni duke patur realizime të suksesshme në drejtimin profesional. Natyrisht të njëjtat gjëra vlejnë edhe për shëndetin mendor të fëmijëve ku mbingarkesa në shkollë apo në shumë drejtime të jetës së tyre duhet reduktuar që ata të kenë një ekuilibër të mirëfilltë mendor. Ku qetësia psikologjike dhe shpirtërore duhet të jenë kushtet kryesore që ata të ecin përpara.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.