Pika referimi

May 16, 2017 | 10:46

Vera e tingujve të heshtur

1

Stinët zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe njëkohësisht mbivendosja e tyre na zëvendëson edhe ndjesitë shpirtërore. Çdo çast të jetës e lidhim me një këngë, një film të vjetër, me një park, një vend, një libër, me një kulturë, me shiun, dëborën, detin, telefonin, me avionët. Pra, me objektet që ne kemi në përdorim e që janë pjesë e komunikimit masiv po aq sa dhe ndërpersonal. Çdo ditë riprodhojmë kujtime të reja dhe çdo ditë rikujtojmë ato të vjetrat, ato të parëndësishmet filtrohen në kujtesën afatshkurtër, kurse ato të qenësishmet janë baza për të vijuar riprodhimin e momenteve të reja e për të krijuar tërë botëkuptimin e të qenit njeri racional. Kjo është edhe arsyeja që na diferencon nga ‘Alzhaimeri Shpirtëror’ i disave.

Nga Dorina Hoxha Publiciste

Nga Dorina Hoxha
Publiciste

Kujtimet janë lënda bazë e njeriut, si artizan i veprave të veta. Nuk mund të gdhendim një të ardhme pa patur një parapërfytyrim, në të kundërt i bie të nisim një kohë zero ndjesish çdo ditë. Kjo do të ishte absurde, pasi ne nuk do të dinim çfarë të kërkonim, nuk do të mësonim çfarë është lumturia, dashuria, vdekja, por çdo ditë do të kishim një qëllim që do vdiste shpejt në kohë dhe kjo do të jetë edhe sfida më e madhe e shekullit në vijim.

A është kjo sfidë e ngjashme me virtualitetin apo është një përfytyrim që krijohet nga virtualja?!

Përpjekja e njerëzve është qëllimi që jeton gjatë në kohë, ndaj në fund të ditës, ne kërkojmë sa më shumë kohë të lirë për veten. Duke e manifestuar egon tonë në art, në letërsi, në ekonomi etj. Ne manifestojmë njëkohësisht jetëgjatësinë e qëllimeve tona. Ne çdo ditë kemi qëllim të arrijmë sukses, të fitojmë para, të dashurojmë mbi të gjitha të jemi të lumtur. Lumturia është ai qëllim në vetvete që bashkon e ndan shumë njerëz, sepse shihet në këndvështrime të ndryshme dhe interpretohet ndryshe nga secili prej nesh. Ne jemi në kërkim të lumturisë çdo ditë në atë që bëjmë. Shpeshherë vrulli i punës na shpërqendron nga vetja dhe ne mezi presim pushimet verore për t’ju rikthyer qëllimit tonë të vazhdueshëm, për t’ju rikthyer vetvetes me një udhëtim turistik apo për të takuar të afërmit që gjenden larg, mbase për të vizituar të afërmit që gjenden edhe më larg se distancat, ato që ‘flenë’ përjetësisht në kujtimet tona dhe që vetëm mund t’u vësh mbi varr një trëndafil të paçelur, ashtu të freskët, siç është malli juaj për një bisedë me ta, e etur dhe e pastër si lutja që bëhet në errësirën e plotë të shpirtit.

Pascal-i thotë se çdokush shpreson të gjejë lumturinë, nënkuptuar këtu edhe atë që nis nga varret. Përqasja me veten duhet të nis nga aty ku ka humbur besimi, aty ku ka humbur dashuria, aty ku shemben ekzistencat, nga aty ku lind mëshira dhe nga aty ku buron humanizmi. Frekuencat e racionalitetit ndryshojnë nga njëri individ tek tjetri, po ashtu edhe mënyra se si e shpenzojmë kohën e lirë, mënyra se si e kërkojmë qëllimin në vetvete, bën diferencën tek secili nga ne. Vullneti për të luftuar irracionalen ka sjell racionalen. Zhurma e hapave që kërciste mbi dyshemenë me dërrasa tek shtëpia-muze(Beethoven-Haus Bonn) ku kish lindur e jetuar kompozitori i njohur i muzikës klasike Ludwig Van Beethoven, më zgjoi nga letargjia vullnetin se, përpjekjet njerëzore janë rezultat i vëmendjes ndaj tingujve shpirtërorë të heshtur. Beethoven nëpërmjet notave të muzikës përforcoi qëllimin e tij, atë që tenton drejt vetvetes, mbase kjo është një përpjekje unike e jetëgjatësisë së qëllimit dhe tentativave drejt lumturisë.

A jemi ne një vullnet për t’u ndjekur?!

Përshkova hyrjen klasike dhe orenditë që kompozitori Beethoven i dha kuptim jo për cilësinë e tyre, por për faktin e thjeshtë, që i ktheu ato nga objekte të rëndomta, që mund t’i dispononte edhe një çirak i thjeshtë dhe askush mos të kishte kureshtjen për t’i parë, në qëllim në vetvete, duke u dhënë shpirt çdo objekti, duke i shndërruar në objekte shembuj. Violina origjinale, e vogël në pamje, një dërrasë e lëmuar por pa shkëlqim, aq sa përfytyroja supin dhe mjekrën që e mbante, ishin manifestueset e botëperceptimit Beethovian për jetën, dashurinë dhe vdekjen, për çdo sfidë të trishtë të shndërruar në art. Të shpenzosh pushimet vetëm për kënaqësi momentale është sikur të investosh për t’u vetëvrarë çdo ditë shpirtërisht. Mënyra më e mirë e shfrytëzimit të kohës së lirë është kur arrin të përdorësh vullnetin drejt objekteve, vendeve dhe njerëzve që të nxisin përtej kënaqësisë momentale dhe që shërbejnë si frymëzues drejt rrugës për të njohur vetveten. Jo më kot këtë shkrim e nisa me kujtimet, sepse janë ato që lënë gjurmë të pazhbëshme ndjesish. Pavarësisht suksesit në punë, shkollë, familje, dashuria gjithnjë na impresionon dhe na hedh në shtigje të reja e të panjohura. Vdekjes fizike ne mund t’i ruajmë kujtimet, notat e së cilët janë veprat e lëna pas, por vdekjes shpirtërore, asaj është vështirë t’i gjesh një gjuhë kuptimi, një notë shprehëse, nëse arrin në kohë t’ia dëgjosh tingujt e heshtur, mund të sjellësh kryevepra po aq sa Beethoven solli për ne dyqind vjet më parë “Moonlight” apo “Für Elise”. Fundja dashuria është inspirim!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top