Sipas Jordan Shapiro, një nga ekspertët kryesorë në kulturën digjitale, nëse përdoren në mënyrën e duhur, video-lojërat dhe smartfonët mund të bëhen një mjet i rëndësishëm dhe ndihmë për rritjen e fëmijëve, sepse ato përfaqësojnë përrallat e sotme.
Fabula elektronike
Pajisjet e reja elektronike, siç shkruan Shapiro në librin e tij “Metoda për të rritur fëmijët në një botë digjitale”, po bëhen zhanri kryesor narrativ i shekullit tonë, tregimet e reja të zanave, mitologjia e re. Ky është një format që arrin lehtësisht fëmijët dhe funksionon mirë. Sipas Shapiros, video-lojërat janë bindëse, tregojnë histori, komunikojnë ide, katalizojnë emocionet. Megjithatë, kinemaja nuk ka eliminuar romanet, proza nuk ka eliminuar poezinë, poezia nuk ka eliminuar teatrin. Çdo formë e transmetimit është unike dhe secila ofron një sërë kontributesh për përvojën intelektuale njerëzore. Edhe video-lojërat, pra, mund të ofrojë të njëjtin lloj trajnimi mendor, megjithëse me mjete të ndryshme.
Formojnë identitetin e fëmijëve
Një pikë tjetër në favor të pajisjeve teknologjike, sipas Shapiros, është dobia e tyre në zhvillim: janë plotësisht pjesë e përvojës sonë të jetuar. Telefonat celularë, për shembull, luajnë një rol themelor në zhvillimin psikologjik dhe në formimin e identitetit të fëmijës. Për këtë arsye prindërit nuk duhet t’i shohin pajisjet teknologjike si diçka toksike ndaj të cilës fëmijët e tyre janë “të ekspozuar”. Përkundrazi, duhet të përpiqemi të mendojmë për to si pjesë e realitetit të fëmijës, si një vend tjetër ku fëmija duhet të zhvillojë pjekurinë etike, mirëqenien emocionale, intelektualitetin, autonominë dhe dinjitetin.
Mbështetja prindërore është e nevojshme
Fëmijët mund të rriten më mirë kur prindërit e tyre në mënyrë aktive ndërmjetësojnë përvojat e tyre digjitale duke luajtur video lojëra me ta; këshillë që vlen edhe për televizionin. Kur prindërit ulen me fëmijët e tyre dhe flasin për atë që është në ekran, fëmija mëson shumë gjëra, për shembull për të analizuar, interpretuar dhe kuptuar përmbajtjen e produkteve digjitale.
Është e rëndësishme të pyesni fëmijët tuaj rreth lojërave të tyre dhe të përpiqeni të luani me ta, një qasje që i ndihmon fëmijët të zhvillojnë sigurinë, vetëvlerësimin dhe mirëqenien sociale-emocionale.
Burimi / pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.