Në fokus

August 2, 2017 | 9:16

Videoja e tradhtisë/ ‘Të zhduk ty e gjykatën’, psikologia: Më kërcënuan nga SHBA, ja ç’më thanë fëmijët

Mimoza Gjurkaj, psikologia që i ka rekomanduar Gjykatës së Shkodrës të mos i hiqet përgjegjësia prindërore për dy fëmijët e mitur nënës Lula Nacaj, ka denoncuar dje në “News 24” kërcënimet me jetë të ardhura nga babai i fëmijëve, i cili prej 4 vitesh ndodhet në Amerikë.

Sipas saj, Peri Nacaj e ka fyer dhe kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme me qëllim që ajo t’i hiqte nënës kujdestarinë e fëmijëve të saj. Psikologia shprehet se gjatë vlerësimit, ka konstatuar elementë të alienimit, jo nga ana e nënës, por gjyshërve të palës tjetër. Sipas saj, fëmijët ishin mësuar nga të rriturit se “nëna ka bërë gabime”, “nëna fut burra në shtëpi”, etj.

1

Znj. Mimoza, raporti më i fundit i juaji është me datën 7.07.2017. Çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka dëshmuar vajza 8 vjeçe te ju?

Më 22 qershor, kam marrë detyrë nga Gjykata e Rrethit Shkodër për të vlerësuar një rast për të cilin nuk isha në dijeni që ishin caktuar edhe dy psikologe më parë dhe unë isha e treta. Për arsye të pagesës ato kishin refuzuar, sepse kishin kërkuar 1 milion lekë dhe pala paditëse nuk kishte qenë dakord. Në momentin e parë që unë pata kontakt me familjen e Peri Nacajt, aty filluan problemet dhe diskutimet e shumta për heqjen e përgjegjësisë prindërore të Lule Nacajt, për arsye se nëna ka bërë një vepër penale për të cilën as Prokuroria e as Gjykata nuk kanë marrë një masë paraprake për veprën e saj. Por, unë në këtë rast nuk isha për të vlerësuar veprën e Lules, por të fëmijëve në lidhje me raport me nënën, në raport me gjyshërit nga nëna, në raport me prindërit e Peri Nacajt, dhe raportet me familjarët që fëmijët kishin jetuar prej 7 muajsh, që në momentin që nëna ka qenë e dhunuar (sipas Lules) nga ana psikologjike. Në takimet që unë kam bërë, disa herë kam shkuar në fshatin që është 1 orë larg Tamarës, për të vlerësuar anën sociale e ekonomike. Gjyshja e fëmijëve, d.m.th. nëna e Lules, gjatë gjithë kohës që fliste qante dhe thoshte që të paktën t’i kemi fëmijët pranë. Më pas ka qenë kontakti që kemi bërë me prezencën e hallës dhe dy gjyshërve, të avokates dhe dy fëmijëve të mitur. Fëmijët ishin gjatë gjithë kohës të impresionuar. Në çdo çast ata vetëm shikonin figurën e hallës, shikonin figurën e dy gjyshërve, dhe shikimin tim e të avokates. Kur fëmijët ishin në prezencë të të gjithë pjesëtarëve të familjes, në atë moment u refuzua takimi i fëmijës me nënën. Sepse fëmija ishte mësuar në atë mënyrë, që nëna ka bërë gabime, nëna ka futur burrin e huaj në shtëpi, nëna ka edhe lidhje me një burrë 87 vjeç në Kukël. Pas disa minutash, në vizatimet që vajza po bënte dhe po interpretonte, ishte edhe figura e nënës. Po t’i marrim të gjithë psikologët dhe të vlerësojnë vizatimet e vajzës së mitur, vajza tregon se dashuria dhe atashimi për nënën është, pavarësisht situatës së ndodhur. Më datën 13 korrik, më ka telefonuar z. Peri Nacaj nga Amerika, duke më kërcënuar dhe duke më akuzuar që unë kam qenë bashkëpunëtore në marrjen e fëmijëve. Në këtë rast më ka akuzuar edhe zonja Mimoza Rrukaj, me të cilën unë kam të gjitha mesazhet e kërcënimeve, duke më provokuar. Gjithashtu edhe avokatja. Megjithatë, detyra ime është që të vlerësoj atashimin e fëmijëve dhe të mos jem e njëanshme me asnjërën palë. Z. Peri Nacaj më ka dërguar SMS në “Skype”, fyerje të pafundme, duke më akuzuar dhe kërcënuar me jetën time. Duke kërcënuar edhe gjykatën. Në datën 16 korrik duhej që unë të dorëzoja në gjykatë raportin. Por duke qenë se fëmijët nuk i sollën në Shkodër, kam kërkuar shtyrje disa ditë kohë që të shikoja atashimin nënë- fëmijë, pasi nuk mund të dilja në konkluzione. Duke qenë një rast specifik, pasi nuk kemi të bëjmë me një zgjidhje martese, por heqje të përgjegjësisë prindërore për një vepër penale, siç e quan prokuroria dhe gjykata dhe jo psikologu, sepse unë nuk jam këtu për të vlerësuar Lulen apo zotin Peri Nacaj, që është që katër vite në Amerikë. Zoti Peri Nacaj ka deklaruar para meje se fëmijët e mi do të rriten me njerkë dhe ty s’ka ç’të duhet dhe ti bëj detyrën tënde si psikologe. Në qoftë se i jep fëmijët nënës, unë do të të zhduk ty bashkë me gjykatën.

Vajza ka shprehur shqetësime të ngacmimeve seksuale te ty?

Vajza ka shprehur disa gjera të vogla, por që nuk kanë lidhje me ato të psikologes më para. Më ka thënë nuk kam dëshirë të flas. Kaq është shprehur e mitura para meje.

Pra ka shprehur disa dyshime me emra konkretë besoj, dhe flasim për zotërinë 83-vjeçar? Por ju keni parë atashimin e fëmijëve me nënën dhe keni vendosu t’ia lini asaj?

Po, kjo është më se e dukshme, jo vetëm unë si psikologe, por të mblidhen edhe psikologët e të gjithë Shqipërisë që të shohin lidhjen në raport nënë-fëmijë. Unë kam shkuar në Tamarë, me qëllim që të mos mundoheshin fëmijët dhe kam parë atashimin prind-fëmijë pa qenë ata fillimisht në dijeni se kisha shkuar atje. I kam dërguar më pas një SMS në “Viber” babait dhe i kam thënë: Ke dëshirë të komunikosh me fëmijët, meqë ke 1 javë pa folur me ta? Më ka thënë po. Biseda mes vajzës dhe të atit ka qenë e qetë. Vajza i tha të atit a do të na marrësh edhe mua dhe mamin atje? Ma premto i tha, dhe ai tha që po. Ai i tha se mami ka bërë disa gabime, por unë e kam falur për ato që ka bërë.

Po si ka mundësi që një vajzë 8-vjeçare të flasë për gabimet e nënës?

Kështu u shpreh vajza: mami ka bërë gabime. Kështu shprehej disa herë, pa dhënë të tjera sqarime, vetëm thoshte mami ka bërë gabime dhe unë ia kam falur.

Nuk do të ishte më mirë që ju si psikologe apo edhe psikologë të tjerë që merren me fëmijët të flisnin më të sigurt në lidhje me ngacmimet seksuale, sepse duke ia rikthyer nënës mund të përsëritet e njëjta gjë? Mos do të ishte më mirë që fëmijët të jetonin veç nënës e veç babait deri sa të vendosë gjykata?

Këtë gjë e kam kërkuar edhe unë…

Kujt ia keni kërkuar?

Ia kam kërkuar edhe gjykatës, që fëmijët të vendosën në një qendër rehabilitimi, që fëmijët të jenë veçmas figurës së nënës, babait e gjyshërve. Kam kërkuar që fëmijët të vlerësohen nga psikologë të tjerë. Unë si psikologe kam vlerësuar se meqenëse fëmijët kanë një atashim me nënën, deri në ardhjen e babait, të qëndrojnë me nënën. Duke qenë se babai ka katër vite në Amerikë, nuk ka si ta marrë ai kujdestarinë e fëmijëve, kur ai nuk ndodhet në Shqipëri. Ku do t’i rrisë ata fëmijë ai?

Po nëse pala tjetër është e rrezikshme për ngacmimet seksuale?

Në këtë rast kërkohet një vlerësim psikologjik edhe nga psikologë të tjerë…

Rekomandimi juaj kryesor për këtë çështje cili është? Përpos problematikave e alienimit që ju keni vënë re, sigurisht nga ana e gjyshërve dhe jo nga ana e nënës, mendoni ju se ata prindër janë të denjë për fëmijët, ku njëri është në distancë dhe tjetri paraqet rrezikshmëri?

Unë rekomandimin e kam dhënë duke qenë se babai nuk është në Shqipëri dhe këta fëmijë të mos lëvizin si top futbolli. Këta fëmijë të rehabilitohen në një qendër dhe nëna të jetë pjesë e kësaj terapie. Unë kam kërkuar që nënës t’i kryhet edhe një vlerësim psikiatrik, dhe nga informacionet nga ana e babait del se ajo nuk ka probleme psikike. Ne duhet t’i mbrojmë këta fëmijë, pasi ata po dhunohen për së dyti herë nga ana psikologjike.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top