Aktualitet

June 28, 2021 | 12:52

Viktima e pafajshme e tragjedisë së Velipojës, gazetari Blendi Fevziu shprehet përmes një statusi se kjo është pasqyrë e asaj që do të ndodhë nesër

Myzerim Zeneli, 20-vjeçari i cili humbi jetën pas përplasjes me armë në Velipojë e kishte ditën e shtunë, ditën e parë të punës si kamarier. I rritur jetim pa baba në lagjen Bahçallëk në Shkodër, ai gëzonte se kishte gjetur punë në ketë sezon veror, se do te mblidhte pak para për nënën e tij, e kështu do të ndihmonte familjen e varfër.

I riu kishte filluar të punonte si kamerier në hotelin “Gocaj”, por rezultoi që dita e parë e punës, të ishte dita e fundit e jetës së tij. Punën duhej ta mbyllte pas mesnate pa e ditur se nuk do të kthehej kurrë më në shtëpi. 20-vjeçari kishte fituar edhe ca aftësi fillestare në kuzhinë, madje pronarët dhe stafi mezi i kishin mësuar dhe emrin atë ditë.

Në pusin e natës, ishte Myzerimi ai që u hapi derën të paftuarve. Lufta do të fillonte pak minuta më vonë, ku djaloshi mbeti i vdekur tragjikisht në vend nga plumbat e marrë. Ishte në vendin e gabuar, në ditën e gabuar, krejt i pafajshëm, nuk kishte as armë, as fuqi, as para. Djaloshi i pafat u kthye në statistikë për kronikat e lajmeve.

Në xhep iu gjetën vetëm 300 lekë të vjetra. Monedhat ndoshta i kishte  siguruar nga bakshishet e pushuesve të së shtunës që morën çadra e shezllon. Në lulen e rinisë u këput një filiz, për vetëm disa shezllone në buzë të detit të Velipojës. Myzerimi iku pa zë e krejt i pafajshëm. Djali vdiq nga një plumb në zemër.

Gazetari shqiptar, Blendi Fevziu i ka kushtuar një shkrim Myzerim Zenelit, djalit 20-vjeçar i cili me vrasjen e tij mbrëmjen e kaluar ka tronditur e pikëlluar opinionin publik. Fevziu thotë se djali të cilin të gjithë e thërrisnin ‘’Jetimi’’ dje duhet të ketë qenë i gëzuar, në ditën e tij të parë të punës, së bashku me nënën e tij.

Gazetari shkruan se djali, i cili u vra në Velipojë pati vetëm një mëkat në jetë, që besoi se do të çantë me punë të ndershme e përkushtim. Për Fevziun kjo vrasje është pasqyra e asaj do të ndodhë nesër, në Shqipëri, ku grabitësi quhet i zoti dhe punëtori e i ndershmi një “i paaftë”.

 

STATUSI I BLENDI FEVZIU-T

Myzerim Zeneli duhet të ketë qenë i gëzuar dje, në ditën e tij të parë të punës. Punës që i siguronte jetesën për vete dhe një ndihmë për nënën në gjendje tejet të vështirë. E gëzuar duhet të ketë qenë edhe nëna e tij, që e rriti jetim dhe që besoi se tashmë djali do t’i dilte krah. Asnjë nga të dy s’mund ta dinte që kjo do te ishte jo vetëm dita e fundit e punës, por edhe e jetës së tij. Jetës kaq të re dhe fare të pafajshme. Ai nuk çoi dot as rrogën e parë në shtëpi, ndërsa në xhep ju gjetën vetëm 30 lekë. Nuk ndihmoi dot as nënën që sot po kërkon nëpër të afërm dhe komshinj lekët e arkivolit me të cilin do të çojë të birin në varr. Do ta çojë me pishmanin e çdo prindi që nuk i siguroi dot djalit thuajse asgjë në jetë.

Myzerim Zenelin se thërriste askush në emër, thoshte sot një lajm. I thërrisnin “Jetimi”, sipas një mendësie neveritëse të shoqërisë shqiptare. Por sot, me siguri, kushdo që e ka lexuar emrin e tij, do ta ketë shumë të vështirë ta harrojë.

Myzerimi ishte një nga mijëra e mijëra të rinjtë e Shqipërisë që aspironte një jetë normale. Ishte një prej atyre që punojnë nga mëngjesi në darkë, që sakrifikojnë, që japin gjithçka dhe paguhen aq pak. Ishte një prej të rinjve që me punën e tyre mbajnë mbi supe këtë vend. Që vuajnë padrejtësi dhe që s’dinë ku ti denoncojnë ato.

Myzerimi pati vetëm një “mëkat” në jete. Besoi, se do çante në jetë me punë të ndershme dhe me përkushtim. Nuk u bë as trafikant; nuk futi një revole në brez të bëhej vrasës me pagesë; as kërcënoi njeri, as grabiti kënd. Thjeshtë punoi. Ose tentoi të punojë sepse jetën ja morën që ditën e parë të punës së tij.

Ai ra viktimë e mendësisë së ngulitur në këtë vend sot e 30 vjet, që prona merret me dhunë, që territori zihet me force, që gjithçka grabitet, ndërtohet pa leje, kthehet në pasuri dhe në fund, legalizohet sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Që gjithçka bëhet fakt i kryer dhe përpara faktit të kryer, ligji dhe shteti nuk funksionojnë, Madje për arsye elektorale, shteti është kthyer në një makinë legalizimi, që ndëshkon qytetarin e ndershëm, qytetarin model, qytetarin që respekton ligjin dhe shpërblen atë që ka vjedhur, ka thyer ligjin, ka ndërtuar pa leje, ose siç thuhet në jetën e përditshme, “Ka forcë”. Dhe në këtë botë të forcës ligjin e bëjnë armët, ato armë që i morën jetën një 20 vjeçari, që askush se thërriste me emër, por që sot, familja po e zbret poshtë në varr. Kanë vrarë një të ri, kanë vrarë një qytetar të këtij vendi, kanë vrarë një njeri që respektonte ligjin. E kane vrarë kot. E kanë vrarë sepse nuk zgjidhnin dot kush do vinte 4 shezlong më shumë në plazh, po aq vend sa do marrin sot në varreza të katërt bashkë.

Myzerim Zenelin se njihte askush. Por ai mund të ishte secili nga ne. Mund të ishte secili që ulet në një kafe plazhi a qyteti me dëshirën të shijojë thjesht një ekspres. Myzerimi është akuza e gjallë ndaj kujtdo që mund ta ndalte këtë vrasje dhe se ndali dot. Është pasqyrë e asaj që mund të ndodhë edhe nesër, në një vend, ku grabitësi quhet i zoti dhe ai që respekton ligjin dhe punon “i paaftë”. Zoti qoftë me ty Myzerim. Ti ishe padyshim më i zoti nga të gjithë ne, edhe pse plumbat ta prenë jetën dhe ëndrrën në mes…

Gjithashtu edhe Shoqata e Jetimëve ka reaguar me një status në faqen zyrtare të saj:

Musaen Zeneli sot iu largua gjirit të familjes, nënës të përvuajtur që e kish dritë të syve dhe që me të drejtë shpresoi qëdo ti bëhej krah e shtylla e shtëpisë. Gjetja e një mundësie punësimi është një hap më shumë për të jetuar me dinjitet e për të mos shtrirë dorën për lëmoshë. E thirrnin “Jetimi” ndonëse në ligjin e shtetit nuk quhet i tillë edhe pse i mungon një nga prindërit, megjithatë për shoqërinë ishte Jetim.

Pak-kush mund të dijë se nevojat minimale për të jetuar i detyrojnë nënat që kanë barrën e rëndë të kryefamiljares ti lejojnë dritat e tyre të syve të sakrifikojnë në punë të ndryshme për të siguruar jetesën pasi pensionet prej 700 lekë të reja nuk vlejnë as për një ditë jetë. Nuk duam të marrim shkas sot pasi thirrja jonë ka vite që kërkon ligj efikas për Jetimët, mbështetje ekonomike, arsimore, strehim dhe lehtësim për këtë kategori që djem vajza sikurse Musaen sot të mos jenë kontigjent i rrezikuar, i shtypur, i trysnuar i bullizuar e mbi te gjitha i diskriminuar.

Ti djal i mirë shko në Paqe tek Zoti Yt dhe ne shprehim ngushëllimet tona për familjen tënde. Shteti dhe shoqeria ta kthejmë pak më shumë vëmendjen së bashku për këtë kategori për një të ardhme të mirë e më të sigurtë

#prehunepaqe #muasenzeneli

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top