Ndoshta jo të gjithë i kanë njohur personat publikë, të cilët janë bërë viktima të përndjekjes nga fansat e tyre dhe që kanë rrezikuar edhe jetën. Të gjithëve u ka ndodhur të paktën një herë apo dy të fantazojnë mbi një lidhje roman-tike dashurie me ndonjë këngëtar të famshëm. Mirëpo, mes fantazisë dhe vënies në praktikë të sjelljeve të ekzagjeruara apo posesive për ta takuar me çdo kusht ka shumë ndryshim. Le të njohim disa nga personazhet e famshëm që kanë rënë pre e përndjekjes.
Jorida Rustemi
Psikologia e njohur Jorida Rustemi ka vuajtur për më shumë se një vit nga përndjekja që i bënte një i ri. Ajo nuk është mjaftuar vetëm me një padi në organet e policisë së shtetit, por ka bërë dy të tilla. “Kjo që po më ndodh mua është një situatë e tmerrshme dhe shumë e sikletshme, të cilën uroj që të mos e provoni asnjëherë, – ka deklaruar ajo. – I fiksuari po më ndjek sërish”.
Sipas denoncimit, përndjekësi e ka dëmtuar psikologen nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme, mesazheve në celular, mesazheve në rrjetet sociale, duke e fyer, kërcënuar dhe e ndjekur deri edhe në ambientet e punës së saj.
Veprimet e këtij personi, Rustemi i ka denoncuar si përndjekje me qëllimin që ta detyronte të bashkëjetonte dhe të kishte marrëdhënie intime me të.
Miley Cyrus
Këngëtarja trasgresive Miley Cyrus është një nga viktimat më të përndjekura. Në fakt, ia ka dalë të marrë, në vite të ndryshme, dy urdhra mbrojtës për dy fansa që kishin një sjellje obsesive ndaj saj. Në vitin 2011, Musa Danababe Ibrahaim u arrestua teksa po përpiqej të hynte në shtëpinë e Miley-t. I riu deklaroi në polici se kishte një takim romantik me këngëtaren. Për fat të keq, për Miley-n problemet nuk kishin të sosur, pasi dy vjet më vonë, iu desh të kërkonte urdhër mbrojtjeje edhe për Devon Meek. Ky i ri e kishte ngacmuar për shumë kohë derisa u arrestua pranë shtëpisë së këngëtares.
I riu, i cili më pas u shtrua në një spital psikiatrik, ishte i bindur se Miley komunikonte me të nëpërmjet teksteve të këngëve të saj.
Madonna
Këngëtarja 57-vjeçare nuk ka bërë përjashtim nga fenomeni i përndjekjes. Një stalker hyri në shtëpinë e saj, rasti i fundit nga një sërë “persekutimesh”. Makthi i Madonës përfundoi me sukses. Në fakt, policia angleze zbuloi e më pas arrestoi Grzegorz Matlok, përndjekësin që e ndiqte prej kohësh ikonën e muzikës pop. Ai u kap në banesën e këngëtares në Londër, ndërkohë që mbante në duar disa sende që i kishte vjedhur aty.
Jennifer Lawrence
Përndjekësi i Jennifer Lawrence, Han Cong Zhao, një 23-vjeçar kanadez, nuk u limitua të persekutonte vetëm aktoren, por filloi përndjekjen nga i vëllai i saj, Blaine. Më 4 prill 2013, ai filloi të telefononte me insistim në celularin e familjarëve të Jennifer, duke këmbëngulur se, nëse nuk do ta lidhnin me aktoren, do t’i vriste të gjithë. Më 19 prill, pas një udhëtimi nga Kanadaja në Louisville, më në fund u arrestua dhe nga gjykatësi u konsiderua si një subjekt i rrezikshëm.
Justin Bieber
Edhe këngëtari kanadez Justin Bieber është përballur me ankthin dhe stresin si pasojë e përndjekjes në vitin 2012. Një fans obsesiv i tij, 45-vjeçari Dana Martin i dënuar pasi në vitin 2000 vrau një 15-vjeçare, ishte i fiksuar mbas këngëtarit dhe së bashku me shokun e qelisë kishin projektuar vrasjen Justin. Fatmirësisht, policët ia dolën të parandalonin krimin dhe e arrestuan stalker-in.
Mark Zuckerberg
Edhe krijuesi e themeluesi i rrjetit social më të famshëm Facebook, nuk ia ka dalë të evitojnë praninë këmbëngulëse të një fansi tepër të apasionuar. Mark Zuckerberg, pasi duroi për shumë muaj përndjekje pa fund, vendosi ta denonconte fansin e tij e të merrte nga gjykata një urdhër mbrojtjeje, i cili e detyroi 31-vjeçarin Pradeep Manukonda t’i qëndronte sa më larg Zuckerbergut.
Greta Koçi
Ish-shoferi i Greta Koçit u dënua me 9 muaj heqje lirie, pasi e ka përndjekur për rreth 3 muaj këngëtaren, duke i shkaktuar gjendje ankthi dhe frike. Në akuzën e Greta Koçit thuhet se ai e përndiqte në çdo aktivitet apo koncert të saj, duke e ofenduar dhe pretenduar se ishte bashkëshorti i këngëtares dhe duke u kthyer në rrezik e shqetësim për këngëtaren. Kjo situatë u bë e papërballueshme për këngëtaren, aq sa u detyrua që të bënte denoncimin në organet e rendit. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri me veprimet e tij rezultoi se në mënyrë të përsëritur i ka krijuar këngëtares një gjendje pasigurie dhe ankthi.
Jonida Shehu
Gazetarja e mirënjohur, Jonida Shehu, në një intervistë për “Panorama Plus”, ka deklaruar se nuk e ka paditur përndjekësin e saj vetëm për mesazhet që i dërgonte në rrjetet sociale, porse ai e përndiqte kudo. “Mesazhet në Facebook ishin veprimi i fundit në darkë, pasi më kishte ndjekur gjithë ditën, kudo ku kisha qenë… derisa u bë vërtet stresuese për mua. Kjo histori zgjati për mbi 2 vjet. Ai më përndiqte sistematikisht, nga mëngjesi në darkë. Aq prezent ishte në përditshmërinë time, sa vinte edhe në vendin e punës”. Pasi u arrestua, ai pranoi se e kishte përndjekur gazetaren, pasi e kishte fiksim, porse nuk kishte asnjë qëllim të keq.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.