Lifestyle

June 22, 2017 | 12:41

Vilma Hodo, aktorja tmerrësisht romantike, aktive dhe në teatrin amerikan

Aktorja e njohur dhe e dashur për publikun shqiptar, Vilma Hodo, është mjaft e përkushtuar në profesionin e saj, të cilin e ka me shumë pasion. Pas suksesit të “100 Fustanet” produksion i Teatrit Metropol me regjisore Jonida Beqo, Vilma ka qenë pjesë e disa eventeve në New York. Me 26 maj ishte pjesë e tapetit të kuq të Festivalit New York Albanian Film Week në New York, ku vazhdon të perfeksionojë artin e aktrimit duke u angazhuar me workshope të teatrit. Për Prishtina Press ajo tregon rrugëtimin e suksesit të saj në aktrim. 

 

Na tregoni më shumë rreth vetes. Çfarë ka ndikuar në zhvillimin e pasionit tuaj, aktrimin? 

Kam lindur në Tiranë, 31 mars 1988. Diplomuar për aktrim në Akademinë e Arteve në Tiranë (Sot Universiteti i Arteve) në vitin 2010. Zgjedhja ime e lirë për të studiuar aktrim është formësuar herët që prej fëmijërisë time. Pasioni i babit tim për librat dhe rritja në një shtëpi ku biblioteka brenda shtëpisë kishte vendin dhe hapësirën qendrore ka zhvilluar tek unë gjithmonë imagjinatën dhe procesin e të lexuarit si një proces i shenjtë. Fuqia e këtij procesi ka qenë në faktin se nuk më është diktuar verbalisht por e kam brendësuar duke e vëzhguar tim atë! Veprimet e tij, kujdesi për librat, dashuria për personazhet e tyre, pasioni në përshkrimin e  jetës së tyre ka zhvilluar tek unë një dëshirë  për të njohur dhe eksploruar personazhe, histori dhe, ngjarje…

Eksperiencat e mia të deri tanishme janë më së shumti në teatër dhe kjo jo rastësisht, sepse teatri është tempulli i të vërtetave magjia e së cilit pushton këdo profesionist që punon dhe bën Teatër. Pak pas diplomimit kam qenë pjesë e disa produksioneve teatrore në Tiranë  dhe një eksperiencë të veçantë njëvjeçare në Teatrin Kombëtar për fëmijë. Kam qenë pjesë e trupës së aktorëve në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës ku kam punuar në disa produksione teatrore të suksesshme, të cilat janë shfaqur në festivale teatrore brenda dhe jashte vendit. Së fundmi kam punuar në Teatrin Metropol në Tiranë si aktore dhe specialiste edukimi për teatrin.

Në fillim të këtij viti jam diplomuar edhe për psikologji (full time, bachelor degree) në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë. Psikologjia është fusha që e ka plotësuar ndjeshëm fushën time kryesore të interesit teatrin dhe më ka ndihmuar mjaft jo vetëm në punën time si aktore, por dhe në eksplorimin e fushave të tjera të lidhura me Teatrin dhe Psikologjinë siç është drama-terapia dhe psikodrama, të cilat janë fusha me interes për mua së fundmi.

vilmaFillimet në fushën e aktrimit…

Jam një aktore që dashuron teatrin dhe magjinë që ai krijon dhe përcjell te publiku, por dhe tek njerëzit që e bëjnë atë. Psikologët thonë që, të gjithë ne, te profesioni që zgjedhim projektojmë nevoja të pandërgjegjshme, të cilat na udhëheqin drejt profesionit që bëjmë ose kemi pasion të bëjmë. Sigurisht që kjo është e vërtetë për mua nëse bëj një flash back në fillimet e fushës së aktrimit. Ashtu si mami im thotë në gjuhë zhargon: “Nuk ka lënë konkurs interpretimi pa shkuar “ (qesh) kur kujtojmë sakrificat  e saj kur me ndiqte në çdo aktivitet në lidhje me aktrimin.

Disa kompeticione rinore aktrimi dhe jo vetëm (kërcimi dhe kënge) në televizionet shqiptare në periudhën kur unë isha nxënëse në gjimnazin “Ismail Qemali “e konsoliduan në njëfarë mënyrë zgjedhjen time. Kanë qenë eksperienca të rëndësishme për mua, mësoja shumë prej tyre, kam njohur për herë të parë njerëzit që më pas do ishin profesorët e mi, por mbi të gjitha, çmimet e para dhe këto “mini-suksese” të para më motivonin që përveç pasionit kisha dhe koefiçentin e rëndësishëm, talentin! Aktrimi është një fushë e gjerë, për të cilën janë me vlerë eksperiencat, madje mund të them që edhe përvojat e para në TV apo radio të vlejnë. Eksperiencat që lidheshin gjithmonë e më shumë me aktrimin më kanë ndjekur ose unë i kam ndjekur.

 

Në cilat projekte keni punuar së fundmi?

Së fundmi kam përfunduar një cikël shfaqesh të një produksioni teatror për të rinj dhe adoleshentë “ 100 Fustanet” produksion i Teatrit Metropol me regjisore Jonida Beqo. Ka qenë një eksperiencë e rëndësishme, sepse shfaqja ka pasur jo vetëm vëmendjen dhe vlerësimin e publikut, por ka pasur në qendër të saj dhe një dimension edukues për publikun më të rëndësishëm të teatrit që janë të rinjtë dhe adoleshentët. Ata jetojnë sot në një kohë ku teknologjia zhvillohet çdo ditë dhe ti impresionosh ata me teatër cilësor nuk është e lehtë, t’i ofrosh një eksperiencë unike në teatër do të thotë që ke investuar në publikun e së ardhmes dhe ke përmbushur fuqinë dhe misionet e teatrit. Kam qenë pjesë e një kasti kolegësh mjaft të talentuar dhe energjik, të cilët e duan me shpirt punën e tyre. Gjithashtu kam qenë pjesë si aktore sërish e një produksioni televiziv në Digitalb me aktorin dhe komedianin e njohur Elvis Pupa.

 

Kush është personazhi që ju ka sfiduar më shumë profesionalisht deri tani?

Një aktor te secili karakter gjen copëza nga vetja, rindërton, rikujton eksperienca, projekton dhe krijon. Gjithë procesi i krijimit e përmban sfidën, veçanërisht për aktorin kur interpreton karaktere që pak ngjasojnë me të. Është shumë intriguese se si nëpërmjet një personazhi të ri, ti zgjeron dimensionet e vetes dhe këtu është sfida më e madhe. Personazhet, të cilat në pamje të parë nuk kanë pasur aspak ngjashmëri me mua, kanë qenë më sfiduesit dhe më të rëndësishmit profesionalisht. Personazhi i Krisotemës në tragjedinë “Elektra “ ka qenë një personazh sfidues, i cili edhe psikofizikisht ka qenë mjaft impenjativ dhe i rëndësishëm.

 

Si lidheni ju me këtë personazh?

Procesi i krijimit të personazhit, mishërimit të tij është i tillë që lidhja mes unit tënd dhe unit të personazhit nuk janë pastërtisht të ndara. Ky është edhe momenti që ne aktorët jemi edhe të bekuar më këtë profesion. Ndërkohë që aktrojmë, që bëjmë punën tonë ashtu si Mark Zukenberg programon, ne nuk bëjmë miliona dollarë me teatër, por ama bëjë terapi, realizojmë teatro-terapi. Kjo është arsyeja pse disa aktorë thonë që nuk jetoj dot pa bërë teatër, sepse të aktruarit është një proces që përfshin procese psikike dhe shpirtërore. Unë me çdo personazh lidhem mjaftueshëm sa për ta mëshiruar… gjithmonë e më shumë sa herë ngjitem në skenë dhe s’jam më Vilma.

 

Si është lidhja juaj gjatë punës me regjisorin?

Është një marrëdhënie besimi mbi të gjitha, sepse regjisori është krijuesi që ka të ndërtuar të gjithë aspektet e shfaqjes dhe e sheh shumë herë më herët se aktori raportin e personazhit me shfaqen dhe personazhet  tjera. Një regjisor i mirë të zhvillon, sepse është ai që ka distancën dhe i distancuar vrojton atë që aktori vepron.

 

Eksperiencat tuaja në film?

Eksperiencat e mia më së shumti në teatër e kanë kufizuar pjesëmarrjen time në filma. Roli im i parë në film ka qenë në një produksion me metrazh të shkurtër nga regjisori italian Mimmo Mongeli, filmi “Watch” dhe së fundmi kam qenë pjesë më një rol episodik në filmin “Lule Plastike” nga regjisori Ylljet Aliçka ku në sheshxhirim kam pasur fatin të jem me ikonën e filmit dhe teatrit shqiptar Robert Ndrenika.

 

Çfarë lloje filmash ju pëlqen të jeni pjesë?

Do doja shumë të isha pjesë e një romance, unë jam tmerrësisht romantike …është zhanri i duhur për mua.

 

Çfarë roli luan arti në shoqëri?

Unë si individ kam një marrëdhënie shumë të shenjtë me lirinë dhe të vërtetën në raport me veten dhe të tjerët. Për mua liria është gjëja më e shenjtë dhe e rëndësishme për zhvillimin dhe vetaktualizimin e individit. Nëse sistemet politike i “hedhin hi syve njerëzve” arti dhe teatri i zgjon, i përball me të vërtetat që askush nuk guxon t’ia thotë. Arti emancipon, të fuqizon, të jep lirinë, të bën më shumë human … veçanërisht në këtë kohë të frikshme, marramendëse të zhvillimi teknologjik arti do na shpëtoj …

 

Çfarë talente të tjera keni?

Unë dashuroj të kërcej, të këndoj, të vrapoj, të ushtrohem fizikisht, sepse janë të gjitha pjesë të profesionit tim, që më dhuron liri…

 

Këshilla juaj për dikë që dëshiron të ndjekë këtë karrierë?

Shumë pasion, mjaftueshëm talent dhe vendosmëri…në çfarëdo mënyre gjithmonë është e vështirë, por për kënaqësinë që merr ja vlen …

teater

Çfarë mund të presim nga ju për vitin 2017?

Këtë periudhë po shoh shfaqje dhe aktivitete artistike të mrekullueshme këtu në New York, po ndjek workshope në lidhje me aktrimin dhe teatrin dhe mbi të gjitha po frymëzohem që është shumë e nevojshme për një artist. Një rol i ri në një produksion teatri që pritet të filloj sezonin tjetër.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top