Natën që u lind Ronja një shtrëngatë e frikshme e rrahu malin. Eh, po, vetëtima e shkreptima nga të katër anët, duke bërë që edhe krijesat më të çuditshme që endeshin në Pyllin e Matiasit shkuan u strukën të llahtarisura në guvat e vendfshehjet e tyre. Vetëm harpitë e liga dhe egërshane që, më fort se çfarëdolloj moti tjetër, donin shtrëngatat, fluturonin rreth e qark kështjellës së kaçakëve, duke klithur e shkaktuar potere. Zallamahia e tyre e shqetësonte Lovisën që dergjej në shtrat në pritje për të lindur…
Virgjil Muçi është ndër autorët dhe kritikët e njohur të letërsisë, ndërsa me një veçanti magjepsëse ai vjen prej vitesh edhe në fushën e përkthimit, ku zë gjithaq një vend të konsideruar, pasi ka sjellë në shqip autorë të mëdhenj si Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari, Kagan, Edgar, Rothschild, Dickens etj. Këtë herë ai ka përzgjedhur krijuesen e “Pipi çorapegjatës”, Astrid Lindgren, me veprën e saj “Ronja, vajza e kaçakut”. T’i besosh përkthimeve të Virgjil Muçit është padyshim një zgjedhje e volitshme. Mënyra sesi ai e sjell një vepër të shqipëruar, përmban një fjalor të pasur, që në shqip zgjon njëherësh interesin për larminë e shprehjeve që ekzistojnë në të vërtetë, dhe pak i dëgjon të thuhen.
Ronja, e bija e Matiasit, kapos së kaçakëve, jeton në një kështjellë në mes të pyllit, ku i duhet të ruhet vazhdimisht nga burravegjlit-e-përhimë dhe harpitë e egra. Një ditë prej ditësh, ajo zë miqësi me Birkun, djalin e armikut më të egër të të atit. Kjo i sjell asaj mjaft telashe, aq sa për të ruajtur shoqërinë, të dy ata janë të shtrënguar t’ia mbathin nga shtëpia…
Po tani, të mbetur befas fare vetëm në mes të pyllit, a do të jenë në gjendje të kujdesen për veten, aq më shumë që dhe dimri po afron? A thua babai do ta pranojë ndonjëherë miqësinë e saj me Birkun dhe a do ta lerë të kthehet prapë në shtëpi?…
Shkrimtarja suedeze Astrid Lindgren, autore e mëse 100 librave, konsiderohet një ndër shkrimtaret më të famshme e më të dashura për fëmijët e gjithë botës. Veprat e saj janë përkthyer e botuar në 76 gjuhë. Ndër veprat e saj më të njohura janë “Pipi çorapegjata”; “Karlsoni njeriu që banonte mbi çati”; “Mio, biri im”, “Vëllezërit zemërluanë”, etj., “Ronja vajza e kaçakut” konsiderohet një ndër veprat e saj më të njohura.
Virgjil Muçi u lind në Tiranë më 18 gusht 1956. Veprimtaria e tij letrare e artistike është tejet e gjerë dhe e larmishme. Autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari që zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë dhe, së fundi, edhe në lëmin e kritikës letrare. Kontributi i tij është i ndjeshëm edhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm, si: Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari, Kagan, Edgar, Rothschild, Dickens, Christie, Candito, Salleo etj. Gjithashtu ai është aktiv edhe në shtypin e përditshëm e atë periodik me shkrime kryesisht nga fusha e kulturës.
Titulli: Ronja vajza e kaçakut
Autori: Astrid Lindgren
Përkthyes: Virgjil Muçi
Çmimi: 700 lekë
Botues: Botimet IDK/Linus
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.