Vitamina K luan një sërë funksionesh të domosdoshme për organizmin e njeriut. Ajo nuk duhet të mungojë asnjëherë në ushqimet që konsumojmë, pasi ndikon direkt në mbrojtjen e kockave, mpiksjen dhe kalcifikimin e enëve të gjakut.
Vitamina K është e domosdoshme në rastet e plagëve në lëkurë, për të parandaluar gjakderdhjen e tepërt. Vitamina K ndihmon në mpiksjen e gjakut, duke hyrë në veprim me disa enzima, të cilat bëjnë të mundur trashjen e gjakut dhe ndalimin e hemorragjisë. Vitamina K mbron kockat nga frakturat. Kush vuan nga mungesa e saj, është i rrezikuar nga fraktura e kockave, veçanërisht gratë në moshën e menopauzës.
Vitamina K bllokon formimin e osteoklateve të tepërta (qeliza kockore), të cilat janë përgjegjëse për demineralizimin e kockës. Ajo fikson proteinat në sistemin kockor dhe forcon indet.
Kur Kalciumi akumulohet në brendësi të arterieve, ato forcohen. Vitamina K është përgjegjëse për stimulimin e proteinës MatrixGLA, e cila pengon formimin e kristaleve në enët e gjakut.
Shumë i rëndësishëm është edhe funksioni antioksidues, sidomos në favor të qelizave nervore. Vitamina K ul nivelet e inflamacionit në organizëm, mbron trurin dhe sistemin nervor në tërësi. Tek të porsalindurit, Vitamina K rekomandohet në rastet e hemorragjisë dhe parandalimit të problemeve që lidhen me traumat gjatë lindjes.
Ndër ushqimet më të pasura me këtë vitaminë njihen perimet me gjethe jeshile si: spinaqi, lakrat, lulelakra, por edhe bizelet dhe shpargujt. Sasi të mjaftueshme mund të gjejmë edhe te fasulet dhe bathët në tërësi. Ushqime si avokado, mollët jeshile, rrushi, pjepri , kivi, limoni jeshil, dardha, asparagu, kastraveci, soja, ullinjtë, mishi, drithërat, qumështi dhe derivatet e tij kanë sasi më të vogla, por të rekomandueshme për konsum për ata që vuajnë nga mungesa e kësaj vitamine.
Vitamina K, ashtu sikur edhe Vitamina D janë thelbësore në parandalimin e kancerit, osteoporozës, sëmundjeve të zemrës dhe gati secili prej nesh ka mangësi.
Sa nga njerëzit kanë sasi të nevojshme të Vitaminës K? Thuajse zero.
Shumica e njerëzve arrijnë të marrin mjaftueshëm sasi të vitaminës K përmes të ushqyerit për të mbajtur në nivel mpiksjen e gjakut, por jo aq sa duhet për të ofruar mbrojtje kundër problemeve shëndetësore.
Lista e këtyre problemeve sa vjen e rritet:
- Kanceri i prostatës, i mushkërive, i mëlçisë dhe leukemia
- Kalcifikimi arterial, sëmundje kardiovaskulare dhe venat varikose
- Osteoporoza
- Problemet e shëndetit mendor, duke përfshirë këtu edhe çmendurinë, specifikat e të cilave janë duke u studiuar ende.
Vitamina K gjendet në dy forma dhe është me rëndësi të kuptohet ndryshimi në mes të tyre, para se të planifikoni planin ushqimor.
Vitamina K – Dy Lloje Bazë
Vitamina K mund të klasifikohet si K1 apo K2:
Vitamina K1: gjendet në perime. Ajo shkon drejt e në mëlçi dhe ndihmon në një sistem të shëndetshëm të mpiksjes së gjakut. (Ky është lloji i Vitaminës K që foshnjat kanë nevojë, për të parandaluar çrregullimet serioze të gjakderdhjes.)
Vitamina K ndihmon enët e gjakut të mos kalcifikohen, e gjithashtu ndihmon që eshtrat tuaja të mbajnë kalciumin dhe të zhvillojnë strukturën e duhur.
Vitamina K2: Bakteriet prodhojnë këtë lloj të Vitaminës K. Është e pranishme në sasi të mëdha në të brendshme (zorrë) por, fatkeqësisht nuk përthithet nga aty, e kështu, shumica e saj nxirret jashtë me jashtëqitje.
K2, përveç mëlçisë shkon drejt e në muret e enëve, eshtrave dhe indeve. Gjendet në ushqimet e fermentuara, veçanërisht në djathë dhe në ushqimin Japonez të quajtur natto, i cili është një nga burimet më të pasura me Vitaminë K.
Vitamina K2 mund të konvertohet në K1 në trupin tuaj. Si zëvendësues (suplement), K1 është më e lirë. Kjo është arsyeja pse kjo është forma që përdoret për të sapolindurit.
♦ Në vitin 2008 u zbulua se Vitamina K2 ofron mbrojtje substanciale kundër kancerit të prostatës dhe ata që merrnin sasinë më të lartë të Vitaminës K2 kishin 50 për qind më pak mundësi për të zhvilluar kancer të prostatës.
♦ Në vitin 2004, një studim për dobitë e Vitaminës K, tregon se ata të cilët konsumonin 45 mcg të vitaminës K2 në ditë jetonin rreth 7 vite më shumë sesa ata të cilët konsumonin 12 mcg në ditë.
Vitamina K ndihmon edhe kundër sëmundjes së trurit.
Vitamina K1 gjendet tek spinaqi, brokoli, lakra jeshile dhe lakrat e brukselit. Vitamina K2 gjendet te djathi dhe veçanërisht gjiza, të cilat janë burim i shkëlqyeshëm i Vitaminës K2. Kështu që, nëse hani 100 gram të këtij djathi në ditë, ju konsumoni 45 mcg të Vitaminës K2, e cila do të ulte kështu rrezikun për atak kardiak me afro 50 për qind të parashikimeve sipas studimeve ekzistuese.
Ju mund të përfitoni të gjithë sasinë e duhur të konsumimit të Vitaminës K2 (rreth 200 mikrogram) duke ngrënë 15 gram të natto në ditë. Është sasi shumë e vogël dhe shumë e lirë. Dhe mos u merakosni nëse do ta tejkaloni dozën e rekomanduar ditore, sepse disave u është dhënë mijëra herë më shumë sesa rekomandohet për një periudhë 3-vjeçare dhe asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur ndonjë efekt të dëmshëm.
Edhe pse doza e saktë është diçka që duhet të përcaktohet, rekomandohet nga 45 mcg deri 185 mcg në ditë për të rritur. Duhet të keni kujdes në doza të larta, nëse përdorni antikoagulant, por nëse je i shëndetshëm në përgjithësi dhe nuk je duke marrë ilaçe të tilla, atëherë sugjerohet 150 mcg në ditë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.