Nga Orjona TRESA
Për këdo një fotografi mund të konsiderohet një shkrepje, dhe aq. Madje arrin deri aty sa ta keqinterpretojë sepse në thelb nuk i ka kuptuar dot përmbajtjen. Dhe kjo është normale për një joprofesionist apo dikë që nuk mund të ketë sy artistik. Ama, për një sy të stërvitur profesionist ose artdashës, në brendësi të një kuadri fotografie, qëllimi dhe botëkuptimi artistik mund të rrëfejë shumë. Mund të ndodhë që një shkrepje të jetë krejt spontane, por të transmetojë shumëçka nga syri artistik i fotografit, por ka edhe raste kur objekti apo personazhi që të qëndron përballë, nuk të jep kurrfarë motivimi për t’i qëndruar kauzës apo qëllimit. E si çdo gjë në art, i vetmi që i mëshon krijimtarisë fort si element kyç është frymëzimi. Pa të, asnjë artist nuk mund të tregojë veten.
Mbi 15 vite në profesion, ndoshta edhe më shumë se kaq, po ç’rëndësi ka kjo, ai ka ditur të gërshetojë talentin dhe pasionin me vlerën e të bërit profesionin e fotografit. Fillimisht në zhanrin klasik, lirik, thelluar mandej në atë të fotoreporterit. Shumë ngjarje dokumentohen me punën e tij të arrirë. Mund të konsiderohet si fotografi i plumbave, në ngjarjen famëkeqe të 21-janarit, fotografi i studentëve në protestat për rritjen e kërkesave në rimëkëmbjen e arsimit, fotografi i protestave civile për rritjen e çmimeve, por gjithashtu edhe fotografi i mjaft evendeve të rëndësishme që përkojnë me data historike, festivale apo teatro. Ai konsiderohet gjithashtu si fotograf karakteresh, ku në arkivën e tij numërohen me qindra personazhe publikë dhe jo publikë, nga jeta mondane dhe deri ajo e sheshtë, “personazhe” që kanë prekur zemrën e tij prej artisti, duke nxjerrë figura të papërsëritshme, të cilat janë vlerësuar me çmime prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare. Është fitues dhe pjesëmarrës gjithashtu i një prej katalogëve më në zë të fotografisë Imago Mundi. Vlasov Sulaj, i cili është kolegu ynë, fotograf i revistës “Psikologjia” prej 13 vitesh, dhe i gazetës Panorama, në një vit që ndoshta përkon me një numër fati për të, është gjithashtu fitues dy çmimeve në edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë “FOKUS AWARD 2022”.
Trofetë e radhës Vlasovi, apo Çovi siç e njohim nga afër, i rrëmbeu në qytetin e tij të lindjes, Fier, aty ku u zhvillua ky eveniment i rëndësishëm. Vlasov Sulaj fitoi në edicionin e 13- të të festivalit me temë: “Tjetri”! Ai mori çmimin e parë në kategorinë e lajmeve dhe çmimin e tretë në kategorinë e dasmave.
“Faleminderit për organizatorët, gëzohem shumë që Fokusi është aty ku meritonte, i nderuar që marr çmimin nga një ikonë. Shumë i gëzuar se jam fierak dhe e marr në qytetin tim”, u shpreh Sulaj.
Fotografia fituese e çmimit të parë, kategoria Press&News, Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë Focus Award 2022
Fotografia fituese e çmimit të tretë, kategoria Wedding, Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë Focus Award 2022
***
Festivali “FOKUS AWARD”
“FOKUS AWARD” është një festival i rëndësishëm i fotografisë artistike shqiptare dhe arrin në edicionin e 13-të të tij me shumë risi dhe evente, në Fier e në Tiranë. Çelja e Festivalit zyrtarisht kurorëzon konkursin e përvitshëm të organizuar me pjesëmarrjen e qindra fotografëve shqiptarë, nga trojet por edhe shumë fotografë dhe artdashës nga e gjithë bota, por në të njëjtën kohë hap siparin edhe të ekspozitave paralele dhe takimeve apo konferencave me fotografë ndër më të mirët në botë.
Sipas organizatorëve “Fokus Award, ndër vite ka qenë vazhdimisht vitrinë dhe shprehi e forcës, kompleksitetit dhe brishtësisë së fotografisë shqiptare, me një komunitet të gjërë artistësh rreth tij por akoma më shumë, me një fluks të qartë mendimesh, idesh dhe debatesh rreth ndjeshmërisë artistike dhe njerëzores së momentit.
E pikërisht momenti është për të shtuar forcat për ndërkombëtarizimin e fotografisë shqiptare po aq sa për marrjen e eksperiencës më të mirë botërore nëpërmjet shkëmbimit artistik që festivali mundëson, këtë vit akoma më shumë se çdo vit tjetër. E më tej, të rrisim e forcojmë atë komunitet i cili tashmë rreth Fokus Award, çdo vit mblidhet në një tribut ndaj artit të bukur të fotografisë. Konkursit të përvitshëm tematik të fotografisë artistike, në këtë edicion ju shtuan edhe konkurset për gjashtë kategori të tjera te cilat do të ekspozohen krahas temës kryesore dhe që janë: Fashion & Lifestyle; Nature; Portrait; Press & News; Wedding; Street Photography.
Pjesëmarrja shumë e lartë e fotografëve nga rajoni dhe bota tregon edhe një herë se interesi rreth Festivalit është përherë në rritje, nga 420 aplikime për të gjitha kategoritë, në ekspozitat pranë Galerisë së Artit “Vilson Kilica”, “Galeria Kalo”, “Teatri Bylis” apo ekspozita në natyrë pranë sitit arkeologjik Apolonia do të ekspozohen punë nga 146 fotografë nga e gjithë bota si edhe ekspozita persona e fotografit Francesco Cito, ekspozita “Masters of Italian Photography” me 26 autorë italianë, etj”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.