Kush thotë që pushimet kalohen më mirë me shoqërinë dhe njerëzit e dashur, gabohet! Të paktën, kështu beson Xhimi Lazri. “Shpesh preferoj që pushimet t’i kaloj vetëm. Por, ato nuk i konceptoj të lidhura ekskluzivisht me plazhin, siç bën pjesa dërrmuese e njerëzve. Në zgjedhjet apo shijet e mia, udhëhiqem nga vetja. Bëj atë që ndjej. Nëse lumturinë e gjej rrëzë një mali, e mbaj frymën atje, ashtu siç shkoj në ndonjë lum, liqen malor apo pikë turistike”, shprehet ai. Të kaluarit e pushimeve në shoqërinë e vetes dhe askujt tjetër, është si një dëshirë për relaks të plotë. “Kur je vetëm, besoj se ka më tepër shanse për të qenë i shkëputur nga mjedisi social dhe i zakonshëm. Gjithashtu ke në dispozicion të vetes më shumë hapësirë si dhe mundësi për të vendosur për atë çka dëshiron të bësh, më shumë terren për spontanitet e për aventurë, më pak detyrime për kompromise për zgjedhjet e ndryshme, më pak hatërmbetje…” Mandej vazhdon: “Ka njerëz që pohojnë se gjatë pushimeve, njeriu ka më tepër mundësi për të reflektuar dhe njohur vetveten. Por, kush vendos ta bëjë këtë nuk pret pushimet, apo evenimente të çfarëdo lloji. Njohja e vetes dhe në përgjithësi introspeksioni, janë prirje e kahershme tek një qenie sociale. Vetja mund të njihet edhe gjatë një spektakli me qindra njerëz, gjatë një krize nervash, i kredhur në mes të një turme frenetike, siç nuk është e thënë të njihet duke kundruar në vetmi detin apo një peizash…”. Ndaj, nëse niset vetëm për pushime, nuk ka qëllim introspeksioni… Sidoqoftë, në vend të komunikimit ai zgjedh izolimin, në vend të aventurave zgjedh monotoninë… Xhimi Lazri ka vite që prehet në këtë mënyrë, të cilën e etiketon thjesht: kënaqësi!
Botuar në revistën Psikologji, nr.39
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.