Në fokus

April 29, 2016 | 10:32

Zamira Kita: Ora ime biologjike… vullnet i Zotit

Të lindësh në moshën 40-vjeçare! Ky është rasti i Zamira Kitës, aktores së bukur nga Korça. Nuk është mirëfilli trokitja e orës biologjike. Të kish qenë 30 vjeç, ndryshe mund të gjykohej. Është një moshë që qëndron më afër orës biologjike të çdo gruaje. Ose më saktë është brenda saj. Madje, po të kish qenë për Zamirën, pikërisht atë kohë do të ish bërë nënë. Por ja që kish ndodhur ndryshe. Ora biologjike trokiste, ajo së brendshmi e ndjente se ishte në kohën e duhur, emocionet ia përkëdhelnin idenë, psikologjikisht ishte e përgatitur… kurse fëmija, nuk lajmëronte mbërritjen. U desh të kalonin vite. Dhe, teksa ora biologjike ishte në të perënduar, Enira dha sinjal… Nëna e saj ishte plot 40 vjeç.

Këmbëngulje, besim dhe sakrificë Zamira Kita rrëfen: “Për vite të tëra kam kryer vizita mjekësore, dhe gjinekologët asnjëherë nuk mi prenë shpresat se mund të bëhesha nënë. Thjesht duhej të trokiste çasti fatlum”. Për vite të tëra, me Arbenin, jeta dhe vrulli i punës i mbështolli pa mëshirë, teksa vitet i linin vendin njëri-tjetrit dhe ndonjë thinjë ngrinte krye mbi flokë. Në jo pak situata, e sëmbonte edhe kureshtia e njerëzve përreth, e shoqëruar shpesh me habinë se pse ata të dy, pas kaq vitesh bashkë, ende nuk ishin gëzuar me një fëmijë. Por, për Zamirën dhe Arbenin, më shumë se zgjedhje ishte vullnet i Zotit që gjërat rrodhën ashtu, pasi për një fëmijë të tyrin, foleza e dashurisë kishte qenë gjithnjë e hapur. “Kur mësova se isha shtatzënë, çdo gjë më pas tek unë jetonte për atë fëmijë, – pranon Zamira. – Isha në moshë të madhe, megjithëse ishte gjëja më e bukur dhe transformimi më i këndshëm që mund t’i ndodhte trupit tim. Kam pasur shumë probleme gjatë shtatzënisë, por të gjitha i kalova me forcën dhe dëshirën e madhe për t’u bërë nënë…”. Fundja, një orë biologjike e mbërritur paksa vonë, vinte edhe me kërkesën për të sakrifikuar. Fëmija dhe karriera Po karriera? A thua të ketë qenë, në mos vetëm ajo, një ndër pengesat? Dihet që për artistët karriera është diçka me të vërtetë e rëndësishme. Porse s’kish qenë ky rasti i Zamira Kitës. Sepse s’ishte karriera arsye për vonesën e Enirës. Aktorja e di mirë; edhe tani, nëse i duhet të flasë për prioritete, duket e qartë: “Të qenit artiste, apo etja për karrierë asnjëherë nuk ma ka zbehur dëshirën për t’u bërë nënë. Karriera për mua nuk renditet para familjes, ndonëse ka rëndësinë e saj. Unë edhe më herët do kisha dashur të bëhesha nënë, madje jam e bindur që do kisha më shumë fëmijë e do ishim një familje e madhe, por ende besoj se disa gjëra në jetë janë të shkruara dhe ne jemi të pafuqishëm për t’i ndryshuar. Edhe lindja e Enirës në moshën 40 vjeçe, ishte një nga ato shanse që nuk do mundesha kurrë t’i prisja rrugën. Kjo, sepse pas lindjes së saj jeta ime ndryshoi kryekëput”, vijon Kita. …Të bërit nënë në moshën 40-vjeçare nuk është diçka e lehtë, e as për Zamirën. Sidoqoftë, në kushtet e saj ishte një moment hyjnor! Një bekim për të dhe bashkëshortin, e sot bashkë me Enirën ata janë një familje e plotë, mbi të gjitha e lumtur!

Kur bëhesh nënë

Ardhja e Enirës në jetë, duket se ndryshoi shumë gjëra te Zamira. Ajo nuk jetonte si më parë. Edhe marrëdhënia me Benin nuk ishte më ajo e para! Ky ndryshim ishte kaq i madh për të, sa nuk mundi ta përballonte dot dhe për 40 ditë me radhë kaloi një depresion (ajo fazë që rëndom quhet post partum) tejet të rëndë që i rrezikoi jetën. Vetëm pas 40 ditëve, ajo filloi t’i gëzohej të bijës për të cilën kishte pritur kaq shumë vite për ta parë, prekur e përkëdhelur me dashurinë e një nëne. “Edhe në atë gjendje kaq të vështirë që përjetova, unë përsëri luftoja, sakrifikoja për vajzën. Ashtu duke qarë gjithë ditën, pa ngrënë, pa fjetur, duke u shprehur ‘’nuk e dua vajzën’’, unë nuk e lëshoja nga dora, por e zgjoja çdo 4 orë për t’i dhënë gji. Brenda meje ishte më e madhe dëshira për ta rritur… Dhe e kam rritur. Ajo tani është 8 vjeç…” Ndoshta më të lëhtë do ta kish pasur nëse mbërritja e të voglës dhe ora biologjike do të përkoni… sidoqoftë, pas lindjes së vajzës në datë 28 nëntor (datë të cilën e vendosi vetë, për të qenë një ditë e shënuar) ajo ka jetuar çdo ditë me atë qenie të vogël.

Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top