Mirëqenie

October 8, 2018 | 11:30

Zbulohet metoda më e shpejtë për diagnostikimin e ankthit dhe depresionit

Depresioni dhe ankthi, nuk janë gjithmonë të lehta për t’u zbuluar. Simptomat e dukshme si trishtimi apo shqetësimi i vazhdueshëm, mund të mos jenë të pranishme. Përkundrazi, një person mund të shfaqë simptoma të fshehta, si pavendosmëria kronike apo një përgjumje e tepruar. Diagnoza kërkon zakonisht një psikolog.

Përveç konsumit të kohës dhe papërshtatshmërisë, kriteret diagnostikuese janë shumë subjektive. Prandaj, do të ishte i preferuar një mekanizëm objektiv dhe lehtësisht i dallueshëm, për të identifikuar depresionin dhe ankthin. Tani, një ekip studiuesish kinezë besojnë se e kanë zbuluar një të tillë, duke përdorur testin e urinës.

Rezultatet e tyre, u raportuan në revistën “Translational Psychiatry”. Studiuesit nisën mbledhjen e mostrave të urinës nga 32 pacientë që vuanin nga depresioni dhe ankthi,  dhe nga 32 persona të shëndetshëm, të cilët më pas u krahasuan sipas moshës, gjinisë dhe indeksit të masës trupore. Urina u analizua duke përdorur teknikat standarde të kimisë, për të përcaktuar nëse ndryshimet në përqendrimet e metabolitëve të ndryshëm, mund të përdoren për të dalluar njerëzit e shëndetshëm nga pacientët me depresion/ankth.

Dhe në fakt të dhënat dëshmuan se kjo është e mundur. Hapi i radhës, ishte vërtetimi i modelit të tyre me më shumë mostra. Kështu, autorët mblodhën urinën e 16 njerëzve të tjerë të shëndetshëm, dhe 16 pacientëve me depresion/ankth, i analizuan dhe i krahasuan ato sërish.

Sërish u konfirmua aftësia e testit për të dalluar njerëzit e shëndetshëm nga pacientët me depresion/ankth – duke përdorur vetëm metabolitët e zbuluar në mostrat e urinës. Të 16 pacientët me depresion/ankth u identifikuan në mënyrë korrekte, ndërsa 13 nga 16 testet e njerëzve të shëndetshëm, u identifikuan si duhet.

Nëse rezultatet e këtij studimi vazhdojnë të konfirmohen, hapi tjetër do të jetë komercializimi. Një test i shpejtë i urinës nga mjekët, për të shqyrtuar pacientët që dyshohet se vuajnë nga depresioni dhe ankthi, mund të jenë një ndihmë e jashtëzakonshme për shëndetin publik.

 

Burimi / bota.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top