Një studim i ri ka zbuluar se nëpërmjet imazheve me rezonancë magnetike mund të bëhet dallimi i lidhjeve anormale në trurin e fëmijëve me autizëm. Ky zbulim mund të jetë një metodë e re që mund të përdoret në të ardhmen për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve autikë.
Zbulimi u publikua më 27 mars në gazetën mjekësore “Radiology” nga autorja kryesore e këtij studimi, Dr. Lin Ma, një radiologe në spitalin e përgjithshëm të Pekinit. Zbulimi gjithashtu është vërtetuar dhe nga ekspertët amerikanë të cilët mendojnë se ky është një hap përpara në gjetjen e një metode të besueshme për të diagnostifikuar fëmijët me autizëm. “Kjo metodë jo vetëm që na jep një mënyrë të mirë për të zbuluar autizmin tek fëmijët por na tregon më qartë mënyrën se si funksionon truri i një fëmije autik”, tha Dr Matthew Lober, psikiatër në spitalin “Lenox Hill ” në New York.
Studiuesit kinezë përdorën rezonancën magnetike për të skanuar trurin e 21 fëmijëve normal të moshave 4-5 vjeçare dhe përdorën imazhet e marra për t’i krahasuar ato me imazhet e marra nga truri i fëmijëve autikë të së njëjtës moshë. Ata panë se truri i fëmijëve autikë ndryshonte shumë nga ai i fëmijëve normal në pjesët që ishin përgjegjëse për sjelljen.
Ekspertë të tjerë si psikiatrja Victoria Chen janë gjithashtu të gëzuar nga ky zbulim i ri pasi e bën më të lehtë diagnostikimin e autizmit, por ata ndihen gjithashtu të shqetësuar se ky studim është vetëm në hapat e parë dhe nuk përfshinte fëmijë me çrregullime të ndryshme të spektrit autik si mungesa e vëmendjes dhe hiperaktiviteti. Ndaj mendojnë se është ende herët për ta marrë si të mirëqenë këtë metodë të re.
Burimi / https://www.pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.