Mirëqenie

November 3, 2018 | 9:31

Zbulohet pilula që parandalon dhe kuron diabetin

Në Shqipëri, numri i personave të prekur nga diabeti rritet nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare të marra nga Instituti i Shëndetit Publik rezulton se shifra e përafërt e diabetikëve është rreth 120-150 mijë. Po sipas të njëjtave të dhënave, grupmosha më e prekur nga diabeti në Shqipëri është ajo e 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç.

Deri dje, diabeti është konsideruar si një sëmundje që nuk shërohet por vetëm kurohet. Por një zbulim i ri shkencor duket se do të shënojë një kthesë historike në shërimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje. Shkencëtarët kanë arritur të krijojnë një pilulë të re e cila mund të shmangë shfaqjen e diabetit të llojit 2 që në fillimet e tij.

Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90% të rasteve me diabet. Kjo pilulë quhet semaglutide dhe sipas shkencëtarëve arrin të ndihmojë njerëzit edhe të heqin peshën e tepërt në zonën abdominale.

Testimi i pilulës dhe rezultatet

Pilula në fjalë u testua në 632 pacientë. 71% e të cilëve arritën të bien në peshë, duke nënvizuar suksesin befasues të një pilule që kryen dy funksione: ndalon diabetin dhe heq kilogramët e tepërt. Pjesëmarrësit u kuruan me këtë pilulë për 26 javë dhe rezultatet ishin shumë premtuese. Shkencëtarët janë entuziastë për rolin e semaglutidës në mbajtjen nën kontroll të diabetit. Ose siç njihet ndryshe ‘vrasësi i fshehur’, për arsye se mbipesha ushqen diabetin e tipit 2.

Përveç Semaglutidës, pacientët që morën pjesë në studim, i nënshtroheshin edhe një kure tjetër me Metforminë. Një ilaç që përbën linjën e parë të mbrojtjes për të mbajtur nën kontroll diabetin.

Zbulimet shkencore mbi pilulën anti-diabet 

Shkencëtarët zbuluan se Semaglutida jo vetëm që ndalonte progresin e diabetit, por edhe ulte nivelet e sheqerit në gjak dhe parandalonte nevojën për insulinë. Diabeti i tipit 2 mund të shkaktojë atak në zemër, verbëri, probleme me gjymtyrët që çojnë në amputimin e tyre e shumë sëmundje të tjera. Kjo sëmundje konsiderohet një bombë e vërtetë për njerëzimin. Vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit, obeziteti ka qenë shkaktar për rritjen me 65% të diagnostifikimeve të diabetit. Deri më tani numërohen 380 milionë pacientë në mbarë botën.

Autorët e studimit e cilësojnë atë shumë premtues edhe për faktin se pilula arrin të ulë nivelet e sheqerit në gjak. Studimi tregoi se pilula ul nivelin mesatar të sheqerit në gjak me 1.9%. Gjetjet e studimit treguan se shumica e pjesëmarrësve që konsumuan këtë pilulë arritën nivele optimale të sheqerit në gjak në më pak se 7%.

Niveli i sheqerit në gjak tek njerëzit e shëndetshëm është nën 6%. Ndërkohë që nëse ky nivel arrin në mbi 6.5 përqind, paraqet rrezik për shfaqjen e diabetit. Semaglutida është pjesë e një grupi të ri ilaçesh që injektohen në gjak por edhe merren nga goja. Ajo stimulon prodhimin e insulinës dhe pengon sekretimin e glukagonit, një hormon që rrit nivelet e insulinës. Kjo pilulë ka gjithashtu efekt në pakësimin e oreksit.

Studimi mbi efikasitetin e kësaj pilule u krye nga Qendra Leicester për Diabetin. Ndërsa studimet u publikuan në revistën prestigjoze JAMA. Të dhënat tregojnë se Semaglutida mund të dalë në treg brenda pak vitesh.

 

Burimi / AgroWeb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top