Marrëdhënie

May 6, 2016 | 8:07

Zbuloni profilet e çiftit/ Cilit tip i përket çifti juaj?

Kur rritemi, ne zgjedhim partnerin e jetës dhe krijojmë çiftin tonë të bashkëjetesës. Por a mund të jenë të gjithë çiftet të njëjtë? Sociologu Jean Kellerhals na zbulon disa profile të ndryshme marrëdhëniesh në lidhjet e dashurisë.

DDuke lexuar këto stile të marrëdhënieve, ju mund të gjeni veten te ndonjë prej tyre, e ndonjë tjetër mund t’ju kujtojë një mike apo të afërm. Sidoqoftë, ngremë pyetjen nëse ne vetë, a mundemi ta zgjedhim modelin mbi të cilin ndërtojmë marrëdhënien tonë? Marrëdhënia është në proces, është një zhvillim me shumë etapa, një projekt… më shumë sesa një dhunti e natyrës. Kjo varet nga mosha, projektet, mjedisi social dhe nga partneri. Nëse jeni një çift i ri, të sapodiplomuar, në kërkim të arritjeve profesionale, keni shumë mundësi të jeni një çift “shoqërues”. Ndërkohë që prindërit tuaj ka më shumë gjasa t’i përkasin çiftit “të hekurt”, një skemë më tradicionale kjo që gjithsesi mund të funksionojë në shumë raste edhe tani. Mund të ndodhë që ju t’i përkisni një profili të vetëm apo dhe të jeni një përzierje profilesh njëkohësisht. Mënyra e jetesës në çift ndryshon me kohën dhe mendësinë e saj. Gjithashtu, ne shumë lehtë mund të kalojmë nga stili i çiftit “shoqërues” në stilin “përkrahës”… A ekziston modeli ideal A mund ta gjejmë formulën ideale në klasifikimin e marrëdhënieve në çift? Secili nga profilet e çifteve, sipas sociologut që ka kryer këtë studim, ka gëzime dhe pakënaqësi. Ata që i përkasin çiftit “përkrahës” duket sikur janë më të dashuruar, kanë më shumë respekt reciprok dhe janë më bashkëpunues. Në të kundërt, çifti “paralel” ecën drejt fitoreve personale. Por, edhe midis stileve “të hekurt” apo “përkëdhelës” jeta nuk është aq rozë, por sidoqoftë jemi më të kënaqur në dyshe. Cilido profili t’i përkisni, nevojitet dëshirë dhe përpjekje për të përballuar sfidat e jetës në çift Profili “shoqërues”, i cili njihet më shumë si një marrëdhënie e viteve të fundit, na ofron një realitet kontradiktor. Nga një anë është respekti për projektet e tjetrit dhe nga ana tjetër, prirja e secilit për të vlerësuar interesat vetjake. Në këtë rast negociohet pa pushim, ka shumë grindje dhe në fund pikërisht këtu kemi divorcet më të mëdha. Jeta në çift, e vështirë, por jo e pamundur Shtimi i divorceve, i formave të ndryshme të bashkëjetesës në ditët e sotme, riformimi i familjeve me partnerë që vijnë nga martesa të dështuara, kanë krijuar përshtypjen se historitë e sotme janë kalimtare. Por, cilido qoftë profili i çiftit tuaj, aftësia për të qenë të suksesshëm në marrëdhënie bazohet në kapacitetin për të komunikuar.

1-Çifti fortesë

PRIORITETET

Bashkëjetuesit janë bashkuar në të mirë e në të keq, me idenë për t’u pleqëruar bashkë. Ata aspirojnë të bëjnë gjithçka me të njëjtat shije, me të njëjtat preferenca dhe opinione. Individualiteti i tyre formohet nën përemrin “Ne”. Së bashku veprojnë për arritjet profesionale të bashkëshortit (shpesh gruaja nuk punon dhe merret me rritjen e fëmijëve). Konsensusi është një vlerë e rëndësishme. Për ta, një çift i mirë është një çift pa keqkuptime.

ROLET

Çifti fortesë përpiqet të reduktojë motivet që sjellin keqkuptime. Jeta e përditshme është e ritualizuar. Ka kohë dhe vend për gjithçka dhe rolet janë të mirëpërcaktuara. Femra merr përsipër përgjegjësitë familjare shtëpiake, ndërsa burri siguron të ardhurat ekonomike. Ata i marrin vendimet së bashku.

RAPORTI ME BOTËN SOCIALE

Femra del pak. Përqendrohet tek gjërat e brendshme: butësia, mbështetja, siguria. Ajo ka prirjen ta perceptojë mjedisin, idetë e reja dhe të tjerët, si kërcënime. Burri është i ngarkuar me rolin e “ambasadorit”, me marrëdhëniet jashtë shtëpisë dhe integrimin social. Ky plotësim i fortë midis njëri–tjetrit përforcon varësinë midis tyre.

AVANTAZHET DHE DISAVANTAZHET

Rëndësia e kësaj marrëdhënieje qëndron te stabiliteti që i karakterizon. Ata jetojnë në harmoni dhe përpiqen t’i  shmangin grindjet.

2-Çifti përkëdhelës

PRIORITETET

Përkëdhelësit miklohen së tepërmi. Objektivi i tyre kryesor është të dhurojnë butësi, mbështetje ndaj vështirësive të jetës dhe pasigurive. Ky çift ndërton së bashku një “fole intime”, prej së cilës mbrohet nga irritimi i botës jashtë. Si çifti i hekurt, edhe përkëdhelësit kanë një marrëdhënie simbiotike. Ata ngjajnë në shije, aktivitete të ngjashme dhe nevojën e madhe për siguri.

ROLET

Ndarja e detyrave bëhet në mënyrë të barabartë. Me radhë ata kujdesen për vaktet e të ngrënit, punët e shtëpisë, fëmijët etj. Profesionet i kanë në funksion të bashkëjetesës. Më shumë se femrat, meshkujt struken në “fole” dhe me ritualet familjare për të kompensuar frustrimet e streset e përditshmërisë.

RAPORTI ME BOTËN SOCIALE

Ata karakterizohen nga një mbyllje në vetvete. Sepse përkëdhelësit nuk ndihen mirë me komunitetin që i rrethon. Kanë ndjesinë e të qenit vetëm në qytet, të pafuqishëm para pushtetit të të tjerëve dhe të përjashtuar nga kënaqësitë e jashtme. Ndaj e shpërfillin jetën sociale, nuk integrohen lehtësisht dhe pjesëmarrja në ngjarje sociale për ta është një gjë e parëndësishme dhe sekondare.

AVANTAZHET DHE DISAVANTAZHET

Përkëdhelësit janë duarbosh para vështirësive materiale. Sakaq e kanë të vështirë të kërkojnë ndihmë dhe konfliktet mbeten të pazgjidhshme, ngase përhapja e lajmit për ta është një kërcënim. Forca e përkëdhelësve është solidariteti. Nëse jeta nuk tregohet shumë e ashpër për ta, jeta e tyre do të jetë shumë e bukur.

3-Çifti paralel

PRIORITETET

Është profili që i largohet më shumë atij çifti që e etiketojmë si të “lumtur”. Ashtu si te çifti “shoqërues”, edhe në këtë rast secili nga partnerët ka ritmin e vet, aktivitetet e veta… Por kjo mënyrë jetese është e karakterizuar nga një indiferencë e partnerëve ndaj njëri-tjetrit. Secili i kushton vëmendje interesave të tij në varësi të gjendjes shpirtërore. Gjithsesi, ky çift qëndron së bashku, sepse nuk kanë zgjedhje tjetër më të mirë.

ROLET

Femra kujdeset për rregullin dhe shtëpinë. Burri pret nga ajo mbështetje logjistike për aktivitetet e tij të jashtme. Të dy partnerët kanë gjithmonë vështirësi dhe nuk dinë të përmbushin asnjë nga detyrat e rënda që kanë reciprokisht. Nevoja për njëri-tjetrin nuk është aspak sentimentale.

RAPORTI ME BOTËN SOCIALE

Marrëdhëniet e çiftit me botën jashtë janë thuajse të pamundura. Ata jetojnë të izoluar, duke injoruar kë kanë përreth dhe janë pasivë ndaj prindërve e të afërmve. Tek çifti paralel nuk ka intimitet. Por, duke mos pasur grindje, ata jetojnë të qetë mes tyre.

AVANTAZHET DHE DISAVANTAZHET

Është e vështirë të evidentojmë avantazhet e kësaj mënyre jetese. Partnerët nuk presin asgjë nga njëritjetri. Secili nga ata e di mirë ç’duhet të bëjë: rregullat janë të ashpra dhe të pandryshueshme. Kjo marrëdhënie ka rregulla, pa ndjenja dashurie, por që mund të funksionojë një jetë të tërë.

4-Çifti përkrahës

PRIORITETET

Si çifti fortesë, edhe përkrahësit kanë bërë betimin për shumë gjatë bashkë. Ata pranojnë njëherë e përgjithmonë idenë e një fati të përbashkët. Marrëdhënia është simbiotike, ka gatishmëri dhe nuk ka sekrete. Ajo që e diferencon çiftin “përkrahës” nga i “hekurti” dhe “përkëdhelësi” është pjesëmarrja e rëndësishme e të dy partnerëve në jetën e jashtme sociale.

ROLET

Si në stilin e çiftit shoqërues, edhe këtu vlerësohet fleksibiliteti dhe praktikimi i rregullave dhe ritualeve. Oraret dhe interesat e secilit i përshtaten projekteve të momentit. Por, ndryshe nga çifti “shoqërues” që vlerëson projektet personale, këtu partnerët kanë në plan të parë interesat e përbashkëta. Për familjen apo komunitetin, çifti “përkrahës”, është i gatshëm të bëjë sakrifica, duke ndërprerë karrierën për të mirën e partnerit tjetër, rritjen e fëmijëve etj.

RAPORTI ME BOTËN SOCIALE

Çifti “përkrahës” është shumë i hapur ndaj botës dhe të tjerëve. Nuk është një çift mondan ashtu si çifti “shoqërues”, por partnerët janë të vëmendshëm për të kontribuar në mirëqenien dhe të ardhmen e të afërmve dhe grupeve të cilëve u përkasin.

AVANTAZHET DHE DISAVANTAZHET

Janë tri karakteristika që përbëjnë formulën e kënaqshme të mirëqenies dhe jetëgjatësisë së këtij stili çifti: Asgjësimi i interesave personale përballë interesave të përbashkëta; hapja ndaj botës sociale; fleksibiliteti në marrëdhënie. Kemi të bëjmë me ata çifte që shqetësohen për njëri-tjetrin, janë të kujdesshëm për realizimet e të dy palëve dhe janë të kënaqur për jetën e përbashkët. Ka mundësi shumë të pakta për ndarje.

5-Çifti shoqërues

PRIORITETET

Ajo që i lidh këto çifte, në mënyrë paradoksale, është autonomia që vërtetë e dëshirojnë. Tek këto çifte ekziston ideja se jetojnë të lumtur edhe kur secili mbron opinionet vetjake dhe ndjek projektet personale. Vetësakrificën dhe jetën nën tutelën e partnerit e vlerësojnë si një dështim për veten, por edhe për marrëdhënien.

ROLET

Secili nga partnerët aspiron të jetë i kompletuar, të realizohet në shumë aspekte (profesionale, familjare, kulturore etj). Ata refuzojnë ta organizojnë jetën në varësi të gjinisë dhe duan të jenë të barabartë. Komunikimi është i domosdoshëm për të vlerësuar emocionet, interesat e secilit.

RAPORTI ME BOTËN SOCIALE

Ashtu si diferencat individuale, edhe kontaktin me jashtë e vlerësojnë shumë. Të dalësh (vetëm apo bashkë), të udhëtosh, të ftosh familjarë apo miq në shtëpi ka rëndësi për pasurimin e dialogut dhe projekteve në çift. Ky çift nuk e toleron rutinën, mërzitjen dhe shqetësimet. Ata kanë mundësitë ekonomike, kulturore dhe dëshirën për një jetë urbane dhe një profesion gjithnjë e më shumë në zhvillim.

AVANTAZHET DHE DISAVANTAZHET

Avantazhi më i madh i kësaj formule është se lejon kënaqësinë e jetës në çift dhe mundësinë e realizimit personal. Fleksibiliteti i kësaj marrëdhënieje mundëson një përshtatje më të lehtë me dëshirat dhe pakënaqësitë e partnerit. Pavarësisht kësaj, problemet lindin, përderisa interesat personale shfaqen kontradiktore dhe shumë të ndryshme. Çifti bëhet pengesë për realizimin e individit. Shpeshherë mohimi zëvendësohet me kompromis. Nëse partnerët nuk bëjnë sakrifica, është më e thjeshtë që të vendosin të ndahen.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top