Arti si terapi është transformimi vetë. Shprehja përmes tij është mënyra më e përsosur për të ulur nivelin e stresit dhe jo vetëm. Në psikologji, teknika e artit përmes fotografisë është një urë e sigurt lidhëse që çon në rritjen e vetëbesimit, ndërgjegjësimit të njerëzve, rrit mirëqenien, përmirëson marrëdhëniet në familje dhe me të tjerët, redukton përjashtimin social, ndihmon në rehabilitimin psikofizik, forcon komunitetet, thellon marrëdhëniet ndërkulturore, pakëson konfliktet dhe arrin të mprehë aftësinë e të lexuarit. Jo rastësisht në komunitetin që ai bën pjesë e përfaqësohet, Zeng Yi, fotograf kinez me famë botërore, sjell artin e tij si dëshmi të kohës, sipas këndvështrimit vetjak, atë të një personaliteti të suksesshëm edhe në fushën e psikologjisë së artit.
Artisti Zeng Yi gjithnjë ka qenë kureshtar të shohë se çfarë ndodh në mendjen e moshës së tretë, të njohë më thellë jetën e zakonshme, përditshmëritë me të papriturat, pse jo dhe dimensione autentike të ngjarjeve që shënjojnë histori të jashtëzakonshme në jetë. Për këtë ai ka një arkivë të çmuar të periudhave të cilat ka dokumentuar dhe i sjell si dëshmi të arrira në një ekspozitë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
Zeng Yi, ky fotograf mjaft i njohur në të gjithë botën, ka çelur ekspozita kudo: në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Francë, Itali, Belgjikë, Qipro, Korenë e Jugut, Tajvan etj. Por këtë herë stacioni i tij është Tirana dhe Muzeu Historik Kombëtar. Artist i njohur kinez hapi një ekspozitë personale, duke u mbështetur nga Muzeu Historik Kombëtar, Bashkia e Tiranës, Bashkia Pietrasanta në Itali dhe Ambasada e Republikës Popullore të Kinës. Në ceremoninë e përurimit të kësaj ekspozite merrnin pjesë personalitete të kulturës shqiptare, piktorë e fotografë. Gjatë fjalës së tij në hapjen së kësaj ekspozite, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Melsi Labi pasi e cilësoi ekspozitën si një reflektim mbi të shkuarën dhe të ardhmen, tha: “Ekspozita “Homeland” vjen në kryeqytetin shqiptar, pasi vetë autori i saj mbart nga karriera e tij e gjatë dhe e suksesshme dhe një numër të konsiderueshëm çmimesh vendore e ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, vetë Tirana kthehet në një pikë kureshtje, pasi një fotograf si Zeng Yi tërheq vëmendjen e botës kulturore dhe të mediave kudo që ai hap një ekspozitë. Gjatë karrierës së tij të gjatë dhe të pasur, Zeng Yi i është dashur të përballojë dhe disa pozicione drejtuese administrative, drejtor e president shoqate, por ajo që vërtet të magjeps nga ky njeri ka të bëjë me dimensionin real të fotografisë së tij. Zeng është nga ata fotografë që fokusin e objektivit e ka drejtuar tek ngjarjet që lenë shenjë të pashlyeshme në historinë e një vendi. Në këtë mënyrë ai kërkon të paraqesë një imazh autentik të popullit kinez. Për këtë ai përdor më pak ngjyrat dhe më shumë sfondin bardhë e zi. Një mision të tillë ai jo vetëm e ka marrë me shumë seriozitet, por dhe e bën me një përgjegjësi të madhe. Duke u përqendruar tek e përditshmja dhe e jashtëzakonshmja e saj, ai ka dokumentuar jetën e fshatit, të njerëzve të thjeshtë, të problematikës së përhershme. Ndërsa ekspozitat e realizuara prej tij tanimë janë shumë të rekomanduara për ata që duan të njohin më thellë jetën e zakonshme. Megjithatë, ai tani nuk është më thjesht një fotograf. Me talentin e tij të derdhur pa kursim në çdo imazh që ka mbetur mbi celuloid, në çdo shkrepje aparati që ka fiksuar një çast magjik e të papërsëritshëm, e ka kthyer këtë fotograf popullor dhe në një ambasador kulture të Kinës. Tanimë fotografitë e tij përbëjnë një arkivë të çmuar të periudhave kur ai ka dokumentuar. Dhe padyshim ato janë pjesë e historisë”.
Vetë autori i ekspozitës Zeng Yi në falën e tij i mëshoi shumë faktit se bashkëpunimi në vite mes njerëzve të kulturës të të dy vendeve, Kinës dhe Shqipërisë, duhet të vazhdojë të njohë arritje të reja. E në këtë kuadër do të influenconte edhe ekspozita e hapur prej tij në Tiranë. Nga ana e tij kuratori i projektit z.Alfred Milot Marashi, tha se ishte fat për të që kishte njohur një artist kaq të madh sa Zeng Yi. Ai shtoi se së bashku me drejtorin e Muzeut Kombëtar, z.Melsi Labi kishin ndërmarrë një iniciativë të përbashkët, që ta sillnin fotografin e madh kinez në Tiranë. Dhe një gjë e tillë u bë e mundur.
Edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Abaz Hado, gjithashtu një piktor në profesion, foli për impresionet e tij rreth ekspozitës së fotografit Zeng Yi.
“Homeland” sjell 40 foto në bardh e zi të jetës së përditshme të të moshuarve dhe njerëzve që jetojnë në provincat kineze. Por duket se fotografia pa ngjyra e Zeng Yi tregon shumë.
Tirana e mirëpret një eveniment të tillë. Kjo e bën edhe më dinamike jetën e saj artistike. Ndërkohë që përvoja e këtij fotografi kinez do të ndahet me kolegët e tjerë shqiptarë. Duke e parë në një këndvështrim më të thellë, ndoshta shumë shqiptarë do ta ndjejnë veten të përfaqësuar në fotografinë e Zeng Yi, në atë fokus bardh e zi ku lumturia dhe trishtimi ndahen me një vijë gati të padukshme. Kjo është jeta e përditshme. Ndonjëherë e zymtë, por më shpesh me dritë e plot shpresë.
“Homeland”, do të qëndrojë në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar nga 22 Maj-22 Qershor.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.