Pas një ndërprerjeje të paprecedentë prej 10 ditësh, rikthimi i News24 në transmetim shënon jo vetëm një rifillim teknik, por një qëndresë të fortë ndaj çdo përpjekjeje për të mbyllur zërin e një prej burimeve më të rëndësishme të informacionit në vend.
News24, një dritare e përditshme dhe e besueshme për mijëra qytetarë, është sërish pranë publikut të saj, pas një periudhe të vështirë ku sinjali u ndërpre në mënyrë të imponuar. Megjithatë, përpjekjet për të ndalur këtë zë nuk e kanë penguar misionin e këtij televizioni të rëndësishëm në vend. News24 rifilloi sot, sikundër dhe mediat e shkruara, më të njohura në vend, gazeta Panorama dhe panorama Sport (e vetmja), në një hapësirë të re dhe me energji të plota, për të vijuar punën pa u ndalur.
Ky rikthim është një dëshmi e qartë se fjala e lirë, e drejta për të informuar dhe për t’u informuar, nuk mund të mbyllen me vendime arbitrare apo barriera të sajuara. Për gazetarët, që nuk kanë reshtuar së bëri me stoicizëm punën e tyre, ky rikthim është rezultat i forcës që i ka dhënë mbështetja e publikut, që në ditët më të vështira ka qëndruar në krahun e tyre.
News24 rikthehet më i vendosur se kurrë për të çuar përpara misionin e tij: të ofrojë informacion të pavarur, të paanshëm dhe të pandikuar. Sepse e vërteta ka nevojë për një zë. Dhe ky zë do të vijojë të dëgjohet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.