Mirëqenie

January 23, 2020 | 8:10

Zëvendësimet ushqimore që ju mundësojnë një shëndet më të mirë të zemrës

Kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës, janë zgjedhjet e vogla, të përditshme, që kanë impaktin më të madh në mirëqenie. Së bashku me aktivitet të përditshëm fizik dhe shmangien e duhanpirjes, dieta ushqimore është një mënyrë e rëndësishme se si mund të kontribuoni për një shëndet më të mirë të zemrës.

Për këtë arsye është e rëndësishme që t’i zëvendësoni disa ushqime që nuk kanë shumë vlera ushqimore më të tjera që janë të mira për zemrën.

  1. Zëvendësoni patatinat me arra

Ndonjëherë të shkon mendja të hash diçka të shpejtë. Por, patatinat kanë sasi të madhe natriumi dhe shpesh përmbajnë yndyrna të pashëndetshme (yndyrna të ngopura dhe trans). Ato kontribuojnë në krijimin e pllakave në muret e brendshme të arterieve dhe rritjen e riskut për sëmundjet e zemrës. Gjithashtu karbohidratet e përpunuara që gjenden në patatina mund të shkaktojnë rritje të tensionit të gjakut.

Për këto arsye, një zgjidhje e mirë është zëvendësimi i patatinave me arra. Njerëzit që hanë arra rregullisht kanë 14% më pak mundësi që të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare dhe 20% më pak mundësi që të zhvillojnë sëmundje koronare të zemrës. Arrat përmbajnë yndyrna të pangopura, fibër dhe lëndë të tjera ushqyese të mira për zemrën.

  1. Pi kafe ose çaj në vend të pijeve me gaz

Kafeja dhe çaji janë më të shëndetshme se sa pijet me gaz sepse nuk kanë sheqer në mënyrë natyrale dhe kanë në përbërje antioksidantë të mirë për shëndetin e zemrës si acidet klorogjenike, të cilat mbrojnë ndaj dëmtimit të qelizave që kontribuojnë në sëmundjet e zemrës.

  1. Kalo nga ëmbëlsirat e tjera tek çokollata

Ëmbëlsirat si biskotat, kekët dhe tortat e marrin atë shijen e mirë nga përbërës që nuk janë të mirë për shëndetin si sheqeri, mielli i bardhë , gjalpi, vajrat e hidrogjenuar etj., të cilët kanë përbërje të lartë yndyrnash trans. Që të plotësosh nepsin e diçkaje të ëmbël, provo një copë çokollate të zezë. Çokollata dhe përbërësi kryesor i saj, kakaoja, përmbajnë flavanole që ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut dhe përmirësojnë funksionin e enëve të gjakut.

Edhe pse çokollata ka yndyrna, sheqer dhe kalori, nëse merret në sasi të moderuar, është një ëmbëlsirë më e shëndetshme se sa zgjedhjet e tjera.

  1. Ha salmon në vend të biftekut

Bifteku përmban yndyrna që rrisin kolesterolin e “keq” LDL në gjak. Nivelet e larta të kolesterolit LDL janë faktor kryesor risku për sëmundjet e zemrës.  Zgjidhje më e mirë do të ishte peshku salmon apo tuna, të cilët kanë përmbajtje të lartë acidesh yndyrore omega – 3, të cilat mund të ulin sasinë e yndyrnave në gjak dhe të parandalojnë krijimin e pllakave yndyrore në arterie.

  1. Hiq dorë nga ushqimet shoqëruese të bardha dhe fillo përdor ato jeshile

Patatet, makaronat, orizi dhe buka janë zakonisht ushqime shoqëruese. Por ngrënia e shpeshtë e këtyre karbohidrateve mund të kontribuojë në tensionin e lartë të gjakut. Nivelet e larta të tensionit të gjakut rrisin riskun për sëmundjet e zemrës.

Ju mund t’i zëvendësoni këto ushqime me oriz kaf, makarona integrale apo edhe më mirë me perime të gjelbra. Perime si lakrat jeshile, brokoli dhe spinaqi janë të mbushura me fibër dhe kanë përbërje të ulët karbohidratesh. Shtimi i këtyre perimeve në pjatën tuaj mund të ndihmojë në uljen e kolesterolit të lartë dhe reduktimin e inflamacioneve të brendshme, dy faktorë risku për sëmundjet e zemrës.

Kështu, duke ndryshuar vetëm një pjesë të vogël për sa i përket zgjedhjeve ushqimore që bëni çdo ditë, do të jeni në rrugën e duhur për të ndikuar pozitivisht në shëndetin e zemrës.

 

 

Burimi / shendeti.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top