Nga Orjona Tresa
Nga jashtë, duket si një proces i zakonshëm votimi. Disa qindra profesionistë mblidhen për të zgjedhur drejtuesin e radhës të një institucioni të ri në pamje, por jetik në përmbajtje: Urdhri i Psikologut në Shqipëri. Por, nëse flet me anëtarët e këtij komuniteti, kupton shpejt se nën sipërfaqe lëvizin tensione të vjetra, zhgënjime të mbledhura dhe një ndjenjë e thellë se profesioni i tyre, ndonëse gjithnjë e më i kërkuar, mbetet pa zë, pa mbrojtje dhe shpesh pa dinjitet institucional.
Sot datë 5 qershor 2025, në ambientet e një hoteli jo publik në Tiranë, rreth 1500 psikologë do të votojnë për kreun e ri të Urdhrit, një garë mes dy grave profesioniste: Elona Mustafaraj dhe Brunilda Laboviti. Të dyja me përvojë brenda strukturave të Urdhrit.
Pse kanë rëndësi këto zgjedhje?
Sepse jemi në një kohë kur psikologët janë kthyer në mbështetës të parë të individëve që përballen me kriza personale, sociale dhe emocionale. Nga shkollat te burgjet, nga spitalet te institucionet e mbrojtjes sociale, psikologët ndodhen gjithkund, por pothuaj askund nuk janë të përfaqësuar denjësisht, të paguar drejtë apo të mbështetur ligjërisht.
Urdhri i Psikologut është themeluar në vitin 2017, por për pjesën më të madhe të publikut, dhe madje edhe për një pjesë të vetë profesionistëve të fushës, vijon të mbetet një institucion hermetik, me veprimtari të paqartë, transparencë të kufizuar dhe ndikim minimal në politikat publike të shëndetit mendor. Kjo u bë e dukshme edhe gjatë një debati televiziv të zhvilluar mbrëmjen e kaluar në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, ku dy profesioniste të njohura të fushës, Arjana Muçaj dhe Denata Toçe, reaguan ashpër ndaj përjashtimit të tyre nga gara, duke e konsideruar atë si të bazuar në arsye jo domethënëse. Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i institucionit, juristi që mbronte palën e Urdhrit të Psikologut, këmbënguli se “kështu e përcakton ligji”, pa ofruar një argumentim bindës. Pikërisht për këtë arsye, pyetjet që shtrohen sot janë të pakëndshme, por të domosdoshme:
-A ka qenë ky institucion realisht në shërbim të profesionistëve që përfaqëson, apo është kthyer në një strukturë burokratike, që shërben më shumë si gardian i monopoleve sesa si përfaqësues i halleve të terrenit?
-Pse mungojnë emra të rinj, me përvojë të gjallë klinike dhe sociale, në garën për kreun e Urdhrit?
-A janë larguar psikologët e mirë nga këto struktura për shkak të mungesës së besimit, përfshirjes dhe transparencës?
-Në thelb, çfarë ka arritur realisht Urdhri i Psikologut në këto 7 vite funksionimi?
-Sa kauza të lidhura me shëndetin mendor ka ndërmarrë e përfaqësuar realisht ky institucion?
-Sa profesionistë janë ndihmuar për të licensuar apo për të integruar praktikën e tyre në sektorin publik dhe privat?
-A ka ndikuar realisht Urdhri në hartimin e politikave të shëndetit mendor, në kohën kur Shqipëria përballet me mungesë thelbësore të mbështetjes emocionale dhe psikologjike në shkolla, spitale, burgje dhe në mjediset e punës?
-Çfarë mekanizmash ka ofruar për të mbrojtur psikologët që përballen me abuzime në punë, mungesë kontratash, apo presione etike?
Këto janë pyetje të hapura, për të cilat shumë anëtarë të komunitetit presin përgjigje konkrete nga drejtuesi i ri, i cili nuk duhet të jetë thjesht një figurë përfaqësuese, por një aktor aktiv në fuqizimin e profesionit të psikologut në Shqipëri.
Në ambientet e hotelit jo publik në Tiranë, po zhvillohet një ndër proceset më të rëndësishme zgjedhore për komunitetin e psikologëve në Shqipëri: zgjedhja e drejtuesit të ri të Urdhrit të Psikologut, institucionit që mbikëqyr dhe rregullon ushtrimin e profesionit të psikologut në vend. Rreth 1500 psikologë të licensuar nga e gjithë Shqipëria janë thirrur të marrin pjesë në këtë proces votimi, i cili synon të përcaktojë udhëheqësin e ri të këtij institucioni për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Në garë janë dy emra të njohur për komunitetin profesionist dhe për vetë strukturat e brendshme të Urdhrit: Elona Mustafaraj, Sekretare e Përgjithshme e institucionit, dhe Brunilda Laboviti, ish-anëtare e Komisionit të Etikës pranë Urdhrit të Psikologut. Të dyja kandidatet kanë qenë pjesë e këtij organizmi dhe gëzojnë status të njohur ligjor dhe profesional.
Zgjedhjet vijnë pas përfundimit të mandatit të dytë të znj. Valbona Treska, e cila ka qenë një figurë kontradiktore në krye të Urdhrit. Mandati i saj është shoqëruar me tensione të brendshme, kritikë të vazhdueshme për mënyrën e drejtimit, mungesë transparence dhe deri në organizimin e një asambleje të jashtëzakonshme në vitin 2023, ku u kërkua largimi i saj para kohe. Kjo klimë tensioni e trashëguar ka bërë që procesi i tanishëm zgjedhor të mos jetë thjesht një ndërrim figurash, por një garë e fortë dhe e ngarkuar me emocione, që reflekton përplasjet dhe ndasitë e brendshme brenda komunitetit profesional të psikologëve.
Pavarësisht profileve të forta profesionale të dy kandidateve, shumë syresh pyesin pse emra të tjerë me profil akademik të lartë dhe përvojë në shërbimin publik dhe komunitar janë lënë jashtë kësaj gare. Kjo ngre dyshime të natyrshme mbi karakterin e brendshëm të këtij procesi: A është në lojë vërtet një përfaqësim i denjë për psikologët shqiptarë, apo thjesht një luftë për një pozicion simbolik e me influencë?
Urdhri i Psikologut është një institucion me potencial të lartë ndikimi në jetën sociale dhe publike të vendit, por i munguar shpesh në debatet madhore që prekin fëmijët, të rinjtë, dhunën, traumat, shëndetin mendor post-pandemi, dhe mbështetjen e punonjësve të vijës së parë. Zgjedhja e kreut të ri nuk duhet të jetë një rotacion mes të njëjtëve emra, por një nisje e re për një institucion më të hapur, më të ndërgjegjshëm dhe më përfaqësues.
Ka ardhur koha që komuniteti i psikologëve, njerëz që ndihmojnë të tjerët të gjejnë zërin e tyre, të kërkojë më në fund zërin e vet, të mos e lërë institucionin e vet në duart e interesave të ngushta apo konformizmit profesional. Sepse në fund të fundit, psikologët janë ata që dëgjojnë kur askush tjetër nuk dëgjon. Ata përballen çdo ditë me plagët më të padukshme të shoqërisë. Dhe është detyra jonë, si media, si qytetarë, si vend, të kujdesemi që zëri i tyre të mos mbetet pa përfaqësim dhe pa drejtim të denjë.
LISTA E PLOTE E GARUESVE
Bazuar në Ligjin 40/2016 “Për urdhrin e psikologut në Republikën e Shqipërisë” kandidaturat e miratuara për të kandiduar në zgjedhjet për organet drejtuese të Urdhrit të Psikologut janë:
Kategoria President
1- Brunilda Laboviti
2- Elona Mustafaraj
Kategoria Pedagog
1- Dr. Lediana Xhakollari
2- Dr. Jorida Rustemi
3- Dr. Jonida Haxhiu
Kategoria Shërbime
1- Alfred Nela
2- Andi Petro
3- Anxhela Peza
4- Arjola Panteqi
5- Arjola Manreka
6- Blerina Toma
7- Elidon Shehu
8- Eriselda Dervishi
9- Erudita Fshazi
10- Joana Brami
11- Jona Begeja
12- Migena Bakiaj
13- Kristiana Jorgji
14- Lorena Gjindoda
15- Olta Jaçellari
16- Osvaldo Turmalaj
17- Suela Kalaja
18- Sonila Jaupbashi
19- Valentina Telhaj
Kategoria Shoqata
1- Jonida Guri
2- Xhensila Lato
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.