Dëshmi

February 27, 2023 | 9:01

Zonja e Parë e Amerikës në Afrikë, mbështet lirinë dhe fuqizimin e grave: “Ju jeni e ardhmja…”

Zonja e Parë e Amerikës, Jill Biden ndodhet në Afrikë, ku ka bërë thirrje për demokraci dhe për forcimin e të drejtave të  grave.  Asaj iu bë një pritje e ngrohtë në kryeqytetin e Kenias, pas qëndrimit në Namibi. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, analistët vënë në dukje se megjithë dëshirën e Shteteve të Bashkuara, vendet afrikane mund të mos jenë aq të prirura për ndryshim.

Jill Biden përfundoi vizitën në Namibi me një ton shpresëdhënës, duke theksuar fuqinë e të rinjve në një vend ku papunësia e të rinjve është në nivelin alarmues prej 40%.

“Çdo gjeneratë e trashëgon botën në kohën e vet. Shpesh u themi të rinjve se ju jeni e ardhmja. Dhe kjo është e vërtetë. Por ndonjëherë mesazhi mund të jetë për të pritur. Për të pritur vijën e largët të finishit që ju bën më të mençur dhe më të fuqishëm. Ka probleme që mund t’i zgjidhni tani. Dhe keni dhunti që mund t’ia ofroni botës tani”, tha zonja Biden.

Kanë qenë tre ditë të ngarkuara për zonjën e parë, që mbërriti në Namibi të mërkurën dhe u përqëndrua tek fuqizimi i grave, tek fëmijët dhe arsimi.

Ajo gjithashtu lavdëroi demokracinë vitale të këtij vendi, të krijuar dhe të qeverisur nga e njëjta parti që kur fitoi pavarësinë në vitin 1990.

“Jam krenare që gjendem këtu, përkrah një demokracie të fortë. Dhe siç tha dje (Zonja e Parë e Namibisë) Monika (Geingos), një demokraci e re. Siç u shpreh (Presidenti amerikan) Joe (Biden) në takim, zërat afrikanë, drejtuesit afrikanë dhe novacioni afrikan janë jetikë për t’u përballur me sfidat globale dhe për të përmbushur vizionin se jetojmë së bashku në një botë të lirë”, tha zonja Biden.

Por kjo nxitje drejt idealeve perëndimore të demokracisë mund të mos i bindë qeveritë që të shkëpusin marrëdhëniet e tyre të thella me Lindjen, thotë Profesor Ndumba Kamwanyah, nga Universiteti i Namibisë. Si shumë vende afrikane, Namibia u mbështet nga Bashkimi Sovjetik për pavarësinë e saj. Dhe memoriali i luftës që zonja Biden vizitoi kur mbërriti, si dhe godinat qeveritare, janë ndërtuar nga një kompani koreanoveriore.

“Sigurisht që nuk dëshirojnë zyrtarisht të mbajnë një anë, por në brendësi, duke e menduar nga perspektiva analitike, mendoj se dëshirojnë të mbajnë anën e pozitave ruse”, thotë Profesor Kamwanyah.

Gjatë dy ditëve në Kenia, Zonja Biden do të nxisë fuqizimin e grave dhe do të trajtojë problemet e fëmijëve dhe të krizës së urisë që ka goditur sërish Afrikën.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimi / abcnews.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top