Zonja e Parë e Francës, flet për herë të parë rreth detyrimeve të saj të reja dhe hendekun 25-vjeçar mes saj dhe të shoqit. Brigitte Macron është në këtë numër, në kopertinën e revistës “Elle”, në Francë. Intervista e 64-vjeçares e veshur me një xhaketë Dior dhe xhinse Saint Laurent, do të jetë ndoshta më e lexuara e muajit shtator, sepse flet për herë të parë për martesën me bashkëshortin 39-vjeçar, Presidentin Emmanuel Macron.
“Faji i vetëm i Emmanuelit është që është më i vogël se unë”, shpjegon Brigitte që në fillim. “Kur lexoj komentet e ndryshme që bëhen rreth nesh, më krijohet përshtypja se jam duke lexuar për historinë e dikujt tjetër…Historia jonë është kaq e thjeshtë! Nëse nuk do të kisha zgjedhur këtë martesë, do të kisha humbur shumë në jetë. Me Emmanuelin kam shijuar gjithë gjërat e jashtëzakonshme që më kanë ndodhur dhe gjithnjë kam menduar, cila do të jetë aventura e radhës?! Prej 20 vitesh është e njëjta gjë”.
Brigitte dhe Emmanuel janë martuar në 2007 dhe janë njohur kur ajo ishte mësuesja e tij. Brigitte Macron ka folur gjithashtu për rolin e saj në Pallatin Elysee, pavarësisht kundërshtive publike që i janë bërë për të mbajtur ose jo titullin zyrtar të Zonjës së Parë. Sipas asaj që pohon vetë, vazhdon të jetë e paqartë për gjithë këtë nervozizëm e trazirë që po krijon marrëdhënia e saj me të shoqin.
Gjatë fushatës, Emmanuel Macron pati thënë se do të krijonte një status zyrtar për Zonjën e Parë, por jo shumë ditë larg, në Pallatin Elysee mbërriti një peticion me 314.000 firma që kërkonte të mos ishte Brigitte Zonja e Parë e Francës. Firmëtarët nuk donin që gruaja e presidentit të kishte përfitime financiare nga të ardhurat e tyre. Brigitte ka folur në revistën “Elle” edhe për këtë.
“Statusi im nuk do të vendoset nga ligji por nga transparenca”- populli francez do të informohet haptazi për të gjitha ato që do bëj, kostot, njerëzit në shërbim e gjithçka tjetër. “E rëndësishme është që të gjitha gjërat të jenë të hapura. Unë do të kem një rol publik dhe gjithçka, të gjitha aktivitetet e takimet e mia do të publikohen në faqen e pallatit, kështu që Franca do të dijë gjithnjë se çfarë jam duke bërë”, ka thënë Brigitte. E pyetur nëse ishte e papritur për të të gjendej në Pallatin Elysse, Macron ka thënë:
“Jam e mësuar me gjërat e jashtëzakonshme që më kanë ndodhur dhe vazhdojnë të më ndodhin duke qenë afër Emmanuelit. Mendoj gjithnjë cila do të jetë aventura e radhës. Historia jonë është e thjeshtë… sigurisht, kur hamë mëngjes bashkë unë jam me rrudha; ai është i ri dhe i freskët, por kështu janë gjërat. Nëse nuk do të kisha bërë zgjedhjen për të qenë me të, do të më kishin munguar shumë gjëra nga jeta”, ka shtuar Brigitte Macron.
Aktualisht çifti është duke pushuar në një vilë private në Marsejë.
Burimi: Panorama Online
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.