Këshilla & Arsye

May 8, 2016 | 14:46

“Zonjat angleze në Shqipëri” një peng i Afrim Karagjozit, që pa dritën e botimit

Në Shqipërinë e viteve ‘20-‘30 me dhjetëra gra angleze, disa vetmuara e disa të tjera me bashkëshortët e tyre kanë ardhur në Shqipëri. Ato kanë udhëtuar drejt vendit tonë me misione të ndryshme shkencore, humanitare apo thjesht si udhëtare aventuriere. Historitë e udhëtimit dhe emrat e tyre, duke filluar nga Edith Durham e Margaret Hasluck gjenden në librin e “Zonjat angleze në Shqipëri”. Ky libër, i shkruar nga Prof. Dr. Afrim Karagjozi në vitet e fundit të jetës së tij, sjell gjurmët dhe mëton jetësimin e këtyre zonjave dhe është një formë mirënjohje për dashurinë e tyre ndaj Shqipërisë.

Çfarë mbeti peng nga veprimtaria e tij studimore, pasi u nda nga jeta: dorëshkrimi i një libri, por ende i papërfunduar. Një vit pasi ai u largua nga kjo botë, ky dorëshkrim do të shihte dritën e botimit. “Skanderbeg Books”, Muzeu Historik Kombëtar dhe Shoqata Shqiptare e Bajronit kanë prezantuar në këtë mënyrë veprën “Zonjat angleze në Shqipëri” të autorit Afrim Karagjozi. “Ky libër hap perspektivën për t’u shkruar edhe më shumë rreth grave angleze që kanë shëtitur territorin e Shqipërisë në një kohë të vështirë”, tha në fjalën e tij të hapjes nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi. “Profesori ishte skrupuloz edhe në dorëshkrimet e tij, kishte natyrë rebele, por ishte dhe një patriot i madh ndaj vendi”, do të shprehej në takim shkrimtarja Flutura Açka, e cila në këtë rast ishte në rolin e botueses së veprës. Ajo shtoi se në 25 vitet e njohjes me këtë krijues me sqimë, kishin pasur disa bashkëpunime të suksesshme e në këtë kuadër, një vepër e mbetur në mes si “Zonjat angleze në Shqipëri” do të ishte edhe një peng i saj. Ambasadori Mal Berisha, i cili ka qenë kryediplomati i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, vlerësoi punën e kolegut të tij gjithashtu një ambasador për disa vite, Afrim Karagjozit, duke u shprehur se ishin pikërisht këto zonja që janë të përmbledhura në këtë libër, të cilat zbuluan vlerat e popullit shqiptar për t’ia bërë të njohur botës britanike. E në këtë kuadër edhe puna e profesor Afrim Karagjozit merrte një rëndësi të veçantë. Nga ana e tij Petro Luarasi do ta vlerësonte prof. Karagjozin si “nxënësin dhe studiuesin e apasionuar pas historisë dhe letërsisë shqipe”. Ndërsa Hamit Boriçi, gjithashtu pjesë e panelit do të shtonte se “edhe pse jeta është e shkurtër, prof. Afrim Karagjozi la një vepër të madhe”. Takimi do të mbyllej me fjalën e Ëngjëllushes, bashkëshortes së profesorit të nderuar, e cila solli për pjesëmarrësit në takim kujtimet e saj.

foto 1 foto

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top