Psikofakt

March 7, 2016 | 8:39

Zvogëlimi si terapi për pak lumturi

MondiNga Edmond Tupja

Në një botë moderne ku çdo gjë evoluon me një shpejtësi marramendëse, njeriu po gjen sa vjen e më pak kohë për t’u kapur pas gëzimit të thjeshtë, të vogël, pas shtendosjes këndellëse, pas moskokëçarjes, madje edhe pas asaj që italianët e quajnë “il dolce far niente”, që na ndihmojnë t’u bëjmë ballë ritmeve të larta, streseve dhe anktheve të ekzistencës.

Ne priremi vendosmërisht ta kërkojmë lumturinë në gjërat e në bëmat e mëdha, të bujshme, në përjetimet e emocioneve të fuqishme deri në tronditje të trupit e të ndërgjegjes; gati-gati, mund të pohojmë që ky tip emocionesh, me luhatje të frikshme adrenaline, po na kthehet sot në një lloj droge tjetërsuese, së cilës po bëhet sa vjen edhe më e vështirë t’i shpëtosh. Me sa duket, njeriu modern po e kupton se Parajsa (pra, detyrimisht edhe Skëterra) ekziston tash e tutje edhe në botën tonë, në planetin Tokë, pra, edhe lumturia, meqenëse askush nga të vdekurit tanë nuk është kthyer nga Parajsa (ose nga Skëterra) qiellore për të na dëshmuar se ajo ekziston, se lumturinë e vërtetë e gjen mirëfilli vetëm e vetëm Atje.

Për këtë arsye, kërkimi i lumturisë në trajtë mirëqenieje materiale dhe shpirtërore shfaqet sot si një nga qëllimet më të larta të veprimtarive njerëzore. Megjithatë, arritja e këtij objektivi nuk po duket fort e lehtë, sidomos për shumicën e vdekatarëve si ne: këtë e dëshmon ekzistenca e mjerimit, e varfërisë, e dramave dhe e tragjedive të mëdha që nuk po u ndahen njerëzve. Në këto kushte, lind pyetja: A mund të jemi sadopak të lumtur, nuk po themi pa ndërprerje, por të paktën herë pas here? A ekziston në këtë drejtim ndonjë edukim, ushtrim a terapi qoftë? Sigurisht, joga, për shembull, e ka thënë dhe po e thotë fjalën e saj; meditimi që ajo na propozon është shumë interesant dhe, bashkëngjitur këtij meditimi apo në vazhdën e tij, po aq interesant më duket ajo që psikologia Milika Dhamo e quan “kapja pas detajit”.

Kur jemi të stresuar, të ankthshëm, të deprimuar, por duam të dalim nga kjo gjendje, duhet të dimë e të bëjmë një përpjekje për t’u kapur pas gjërave konkrete, të vogla, të zbresim në nivelin e tyre, pra, të zvogëlohemi e ta konsiderojmë veten të barabartë me ato, ta shohim veten dhe mikrobotën përreth me syrin e tyre moskokëçarës. Psikiatri Nazim Shtino e ka përdorur këtë terapi me njëfarë suksesi te pacientët e tij, përfshirë edhe nënën time. Sigurisht, ky lloj “zvogëlimi” psikologjik nuk është gjë e lehtë, ai kërkon besim te psikologu apo te psikiatri, besim te vetvetja; ai kërkon gjithashtu përqendrim te konkretja: kur marrim frymë, do të përqendrohemi tek frymëmarrja, pra, do të bëhemi frymë, ajër që hyn e del; kur lajmë enët do të bëhemi pjatë, gotë apo lugë, kur kundrojmë një pikturë apo dëgjojmë një melodi, do të bëhemi ngjyrë ose tingull; tashmë, në shekullin XVI, a nuk shkruante frëngu Montaigne, ky filozof humanist i papërsëritshëm: “Kur vallzoj, vallzoj, kur fle, fle dhe kur shëtis i vetmuar në një kopsht të bukur, sigurisht që ka çaste kur mendja më shkon te tema që nuk kanë lidhje me shëtitjen, por ka gjithashtu çaste kur mendjen e kam te shëtitja, te kopshti, tek ëmbëlsia e kësaj vetmie dhe te vetja”?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top