FB

March 3, 2021 | 8:15

Njerëzit do të bënin gjithçka për shijen e normalitetit

Tani që po shkruaj numërohen plot tridhjetë e pesë ditë që kur ndryshuan rregullat e jetës sonë të përditshme. Për ju që po më lexoni, besoj numërohen pak më shumë se pesëdhjetë ditë. Ishte data 9 Mars kur mësuam se për dy javë, institucionet do të mbylleshin, si përgjigje e nevojshme për t’u mbrojtur nga sëmundja infektive COVID-19, e cila brenda atij muaji, do të kthehej në pandemi. Prej javësh (që prej janar-shkurtit) ne informoheshim përditë mbi situatën në Kinë e Itali dhe lajmet po bëheshin tronditëse. Ndaj, të qëndroje në shtëpi mbyllur, për dy javë, siç u vendos nga autoritetet, ishte një kufizim mëse i nevojshëm për shëndetin dhe mirëqenien tonë.

Nga Lediona Braho | M.Sc Psikologji Klinike Mental Health Albania Psikologe klinike, Ass. Lektore Fakulteti Shkencave Sociale, UT

Besoj, padyshim se ka pasur njerëz për të cilët edhe ky kufizim fillestar është shoqëruar me stres dhe vështirësi emocionale. Burimi kryesor i stresit për njerëzit në një situatë epidemie (pandemie, pak ditë më vonë) është “frika mos infektohem” apo edhe “frika mos infektoj njerëzit e familjes”. Besoj se shumë njerëz kanë përjetuar frikë kur janë informuar për rastet e para me COVID-19 në Shqipëri. Ndoshta më të frikësuar kanë qenë ata që kanë pasur histori udhëtimesh me Italinë apo persona që ktheheshin prej andej.

Frika është një reagim natyral që na mbron, ndaj të ndjesh frikë kur përballesh me një rrezik siç është një sëmundje infektive ngjitëse, është normale. Frika na motivon të bëjmë kujdes për veten dhe të tjerët, në të gjitha mënyrat e mundshme. Në përgjigje të situatës, truri ynë aktivizon mekanizma mbrojtës të cilët na ndihmojnë të përballemi me stresin. Meqë jemi të ndryshëm, unë besoj se ditët e para janë përjetuar në mënyra të ndryshme nga secili prej nesh. Mund ta përshkruajmë gjendjen emocionale të ditëve të para si një përzierje ndjenjash të lloj-llojshme dhe gjendjesh të ndryshme mendore.

Pavarësisht ngjyrimeve në përjetime, pavarësisht se shumë prej nesh mund të kenë përjetuar trishtim, vetmi, zemërim, faj, tre-katër javët e para në “karantinën e shtëpisë” janë një periudhë që ekspertët botërorë e kanë krahasuar me një “muaj mjalti”. Mund të jetë një term i çuditshëm dhe jashtë eksperiencës për shumë prej jush, por më lejoni të shtoj se është quajtur kështu pasi shumë njerëz përjetojnë një fazë qetësie dhe gëzimi që ndoshta u mungonte prej rutinës dhe ngarkesave në punë. Është quajtur kështu, pasi gjatë javëve të para, qëndrimi në shtëpi, edhe pse i detyruar, si masa e vetme që mund të na mbronte, ishte jo vetëm “një çështje e menaxhueshme”, por edhe një “oaz qetësie dhe argëtimi me familjen”.

Kam biseduar me njerëz që po merrnin kohë për t’u qetësuar, që po shijonin kohën me familjen dhe fëmijët, po shfletonin albumet familjare, po gjenin kohë për të lexuar librat e preferuar, për të gatuar recetat e gjyshes, për të luajtur shah, për të pikturuar, për të bërë joga dhe shumë kënaqësi të vogla e të munguara që rutina e mëparshme ua kishte grabitur fshehtazi. Të gjitha këto aktivitete shoqëroheshin me përjetime emocionale pozitive: kënaqësi, lumturi, lehtësim.

Mirëpo, ditë pas dite, me rritjen e numrit të personave të prekur, me lajmet për vdekjet, me shtimin e jashtëzakonshëm të numrit të viktimave në Itali, me forcimin e masave kufizuese ndaj lëvizjes, me ndërprerjen e punës, me vështirësitë financiare, me pamundësinë për të takuar edhe familjarët që jetonin në një qytet tjetër, në një lagje tjetër apo edhe në një pallat tjetër – me të gjitha këto, përjetimet tona filluan të ndryshonin (edhe këtu, po flas për një “trend” të përgjithshëm, jo për përjetime individuale të atyre që edhe në fillim ishin ndjerë shumë të stresuar).

Truri i bombarduar nga informacione të panumërta filloi të mbingarkohej. Lëvizja shumë e pakët vetëm për të bërë pazare dhe për të paguar fatura, e përcaktuar me orare, vetëm njëri nga anëtarët e familjes, vendosja e gjobave për shkeljet, përhapja e pandemisë në shumë shtete të botës – të gjitha këto filluan të jepnin efekte psikologjike. Disa studiues shqiptarë filluan të masnin këto efekte dhe t’i lidhnin me moshën, gjininë dhe aspektet të tjera familjare dhe sociale. Shumë emisione filluan të bëheshin për përjetimet emocionale dhe përballimin e shëndetshëm të situatës ku gjendeshim. Urdhri i Psikologut, organizata dhe profesionistë të lirë filluan të ofronin shërbim falas për të gjithë njerëzit që ndodheshin në distres psikologjik.

Dallgë-dallgë filluan të vërshonin telefonatat – nevoja për ndihmë psikologjike ishte e madhe. Statistikat botërore tregonin se ishte pesëfishuar numri i njerëzve që kërkonin mbështetje psikologjike online. Sot që po shkruaj, ka kaluar mbi një muaj nga vendosja e kufizimeve të distancimit social. Vetë termi “distancim social”, edhe pse e vetmja mënyra mbrojtjeje në kushte pandemie, sjell pa dashur ndjesi frike, izolimi dhe inati. Të distancohesh nga të tjerët kur ke më shumë nevojë për komfort – ky është ndoshta paradoksi më i madh i kësaj situate që po jetojmë. Disa ekspertë thonë që mund të zgjasë me muaj deri në vite. Studimet dhe literatura na bindin që pasojat psikologjike janë akute (brenda një muaji), por edhe kronike (mund të zgjasin me muaj e vite!).

Dëshira jonë është që situata ku ndodhemi të zgjasë sa më pak (edhe pse më ka ndodhur të flas me njerëz që ende gjenden në atë periudhën e “muaj-mjaltit”). Po ashtu, ka shumë prej atyre që gjenden në një ambivalencë të tipit “edhe dua, edhe nuk dua”. Edhe kjo gjendje bën kuptim, pasi disa prej nesh janë mësuar tashmë me këtë rutinë: ka më shumë siguri në shtëpi sesa në rrugë, në parqe, në mjedise publike. Dikush më tha një ditë “Po mirë, po i rikthehemi normalitetit në maj a në qershor a ndoshta edhe në shtator, por kush po më siguron që nuk do ketë më rrezik?”

Me këtë dua të nënvizoj se tashmë jeta jonë e ka marrë një rrjedhë tjetër, jashtë “të zakonshmes sonë”, brenda së cilës ishim mësuar me orare të tjera zgjimi, mëngjesi, pune, pushimi, dreke, kthimi në shtëpi, mësimi, kinemaje, teatri, sporti, lajme, emisione, darkë, intervista, takime pune, intervista pune, shëtitje në park, plane për fundjavë, dalje të premteve dhe të shtunave në bare me muzikë live, terapie, festa për ditëlindje, festa në shkollë, festa në punë, udhëtime jashtë, e shumë shumë të tjera.

Natyrisht, jeta nuk ka qenë vaj dhe asnjëherë nuk ka për të qenë. Jeta jonë “e mëparshme” (me të drejtë e quajmë kështu, si tjetër ta quajmë?) ishte me valë e dallgë, siç ka qenë gjithmonë, në fund të fundit. Mirëpo, para datës 9 Mars 2020, ndoshta askush prej nesh nuk drithërohej nëse thjesht do ta cekte dikush në rrugë padashur, askush prej nesh nuk pengohej me ligj për të vizituar gjyshin e gjyshen disa pallate më tej, askush prej nesh nuk ndalohej për të dalë nga shtëpia pas orës 17:30.

Këto janë kënaqësitë e vogla njerëzore –po, edhe hallet e vogla e të mëdha njerëzore – me të cilat ishim mësuar të jetonim dhe e kishim pranuar – po, në një masë të madhe – atë jetë ashtu siç ishte. Tashmë, kemi filluar të pajtohemi me situatën e re – e drejtë, ka shumë që ende nuk janë pajtuar – kemi krijuar një rutinë të re, po mundohemi ta përballojmë sa më mirë të jetë e mundur, po ndihmojmë nëse mundemi dhe po kërkojmë ndihmë nëse nuk mundemi, po kujdesemi më shumë për veten dhe të tjerët, ndoshta shumë më shumë se kurrë, por në fund të ditës, rrimë e vështrojmë brenda vetes ose njëri-tjetrin sy më sy dhe pëshpërisim dëshirën e pafajshme të ditës “Ah, ç’nuk do bënim për pak shije normaliteti!”

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top