Editorial

June 1, 2017 | 11:43

1 Qershori në burg, lot malli dhe dashuri

Nga Zoje JAKAJ

*Drejtoreshë e burgut të grave

Në një ditë si 1 Qershori askush nuk e kalon nëpër mend se ka me qindra fëmijë që nuk mund të jenë plotësisht të gëzuar. E vërteta e hidhur është se kudo rreth nesh ka fëmijë që në ditën e festës së tyre nuk zgjohen me një puthje e përqafim të ngrohtë nga nënat e tyre, nuk e gjejnë mëngjesin e tyre të preferuar mbi tavolinë, e diku nëpër shtëpi nuk është fshehur dhurata që ata aq shumë e dëshirojnë. Në fakt, për shumë prej tyre këto copëza të vogla të ditës nuk ndodhin prej shumë kohësh, madje edhe prej shumë vitesh… e kjo sepse nënat e tyre, pavarësisht të gjitha sfidave e vështirësive që iu ka servirur shoqëria jonë, fatkeqësisht duhet të përballojnë edhe peshën e hekurt të burgimit.

Burgu i grave në Tiranë (Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”) përballet çdo ditë të ekzistencës së tij me lot, dhimbje e mall nga qindra familjarë që vijnë për të takuar nënat, motrat apo bashkëshortet e tyre. Nuk ka asgjë tjetër më të dhimbshme sesa të shohësh fytyrat engjëllore e të pafajshme të fëmijëve që, pa dashur, kanë mbetur pa nënat e tyre pranë. Në përpjekje të vazhdueshme për të zbutur këtë dhimbje, këtë traumë kaq të rëndë, për të vënë pak buzëqeshje në jetët e shkatërruara të grave e vajzave të burgosura, të gjithë atyre që në një mënyrë a një tjetër vuajnë burgosjen e tyre, e veçanërisht fëmijëve të nënave të burgosura, në I.E.V.P. “Ali Demi” ka një larmishmëri aktivitetesh festive, social–kulturore e edukuese.

Edhe sot, në prag të 1 Qershorit, dita nisi ndryshe. Ndryshe nga zymtësia që i pështjell burgjet, burgu i grave gumëzhinte nga zërat e fëmijëve që luanin e përqafonin me mall nënat e tyre. Nuk ishte më një ditë tjetër që duhej të kalonte sa më shpejt për ta, përkundrazi, do të donin që kjo ditë të mos mbaronte kurrë. Për të mos i lënë të harruara e të përjashtuara nga shoqëria, për t’i afruar me jetët e fëmijëve të tyre gratë e vajzat e burgosura, I.E.V.P. “Ali Demi” organizoi aktivitet festiv në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve”. Së bashku me CARITAS Shqipëri, gratë e vajzat e dënuara arreduan ambientin e përgatitën dhuratat për të pritur fëmijët e tyre. Prezenca e aktorëve të shoqërisë civile edhe këtë herë rezultoi në një bashkëpunim të frytshëm, ku z. Erion Kristo bashkë me studentë të tij, e gjallëruan më shumë këtë aktivitet, duke përcjellë mesazhe optimizmi e shprese për të ardhmen. Atmosfera u bë edhe më festive në sajë të prezencës dhe performancës së këngëtareve të mirënjohura Irma dhe Eranda Libohova. Këngët e tyre sollën buzëqeshje e gëzim te nënat e fëmijët e tyre… lot malli rrodhën nga ato që nuk mundën dot t’i kishin fëmijët e tyre pranë. Ne e dimë fare mirë se ligjet e burgosjes në vendin tonë janë të rrepta për gratë, shumë jetë janë shkatërruar nga krimet jo edhe aq shumë të dhunshme dhe politikat e tolerancës zero.

1 Derisa të bëhet reforma e gjithanshme e të gjithë sistemit të drejtësisë, kur të vendoset se cilat krime janë me të vërtetë të duhurat për dënim me burgim dhe derisa vetë shoqëria jonë vërtet të kërkojë rehabilitimin dhe jo edukimin e personave delinkuentë, me qindra fëmijë vuajnë. Fëmijët po vuajnë nga mungesa e nënës apo babait të tyre, nga burgosja e tyre, dhe kanë shumë gjasa të kapen në ciklin e tyre nëse të paktën ne nuk do të përpiqemi të kthejmë buzëqeshjen te ata, t’i japim vlerë e dinjitetin e duhur modelit femëror. Fëmijët mbeten fëmijë – është e pafalshme t’i vuajnë ata pasojat e veprimeve të të tjerëve; është e pafalshme t’i lësh me lot në sy duke kërkuar pafajësisht dashurinë e nënës së tyre. Të paktën ne të gjithë si shoqëri t’i mbështesim, që fëmijët të gëzojnë një ditë edhe brenda vuajtjes e pritjes së tyre të gjatë për një përkëdhelje nga dora e mamasë së tyre./gsh.al

 

 

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com