Mirëqenie

September 28, 2017 | 9:00

10 hapa për një ditë pozitive

E keni pyetur ndonjëherë veten si është e mundur që ka ditë të bukura dhe të tjera të tmerrshme? Nga përvoja mund të themi se nuk ekzistojnë ditë negative. Ekzistojnë vetëm ndodhi të tilla. Arsyeja se si reagojmë ndaj këtyre ndodhive ndryshon perceptimin e pozitivitetit apo negativitetit të ditës. Varet vetëm nga ne se “si të reagojmë” ndaj fakteve që na prezanton ditë pas dite jeta. 

1

1.Përdorni intuitën

Analizoni përshtypjet pozitive personale që keni, në mënyrë që ta filloni ditën me një dialog të brendshëm sa më të mirë. Kini parasysh se ndërgjegjja nuk i kupton fjalët “jo” dhe “nuk”. Nëse thoni “nuk dua të jem i sëmurë”, s’do t’i jepni vetes një imazh të qartë të gjendjes që dëshironi të keni dhe e pandërgjegjshmja do të perceptojë vetëm fjalën “sëmundje”. Në vend të kësaj, formuloni një bindje të tipit: “Po filloj të shërohem. Ndihem më mirë. E reflektoj në fytyrë që ndihem mirë”. Flisni me veten dhe formuloni fjali që përmbajnë pozitivitet. Para se të mendoni, formulojeni fjalinë me këto fjalë: “po ndiej se po përmirësohet gjendja ime e…” (shëndetit, financave, etj.).

2.Përcaktoni një qëllim

Çdo mëngjes kini vullnetin e mirë për të pasur një ditë sa më pozitive. Zgjohuni me qëllimin për të kaluar një ditë të bukur, plot me takime interesante dhe të pasur më tepër kënaqësi profesionale. Kini parasysh se jeni ju dhe vetëm ju personi që mund të zgjidhni se si do të silleni përballë ngjarjeve që ju ndodhin çdo ditë.

3.Zhvilloni Mindfulness

Fjala Mindfulness nënkupton mendjen apo vetëdijen. Përpiquni ta mbani vëmendjen të përqendruar dhe të keni kujdes në gjërat që bëni. Evitoni ta shpërqendroni me mijëra shqetësime, ide dhe projekte, ndërkohë që po bëni një detyrë të caktuar. Duhet të përqendroheni vetëm në momentin aktual, në gjërat që jeni duke bërë pikërisht në atë moment.

4.Mendoni pozitivisht

Jeta është plot me gjëra që i bëjmë shpesh, me aktivitete që i përmbushim në mënyrë rutinë: rruga që bëjmë nga shtëpia në zyrë, blerja e ushqimeve në supermarket etj., etj. Lidhni një prej këtyre gjërave me diçka të këndshme dhe që ju pasuron shpirtërisht. Për shembull: nëse shkoni në punë më këmbë, mund ta përdorni këtë kohë duke ndalur 2-3 minuta në një vend ku ka një pamje të bukur, apo duke parë vitrinën e një dyqani ku shiten produkte që ju pëlqejnë, apo mund të shikoni diçka që ju dhuron kënaqësi dhe pozitivitet. Bëni të mundur që zakonet e ditës të shndërrohen në një rast për të zgjuar mendjen dhe për të pasur një mendim pozitiv përgjatë ditës.

5.Jini mirënjohës

Zhvilloni mirënjohjen dhe mbani një ditar. Shënoni çdo ditë tri gjëra për të cilat ndiheni mirënjohës. Po ju japim një shembull: mund të jeni mirënjohës për shtëpinë, për faktin që jeni në punë, ndërkohë që shumë të tjerë nuk punojnë, për një libër që jeni duke lexuar, për trupin, për partnerin, për fëmijët; me pak fjalë për çdo gjë që ju fal kënaqësi. Secili prej nesh, nëse dëshiron, mund të gjejë shumë gjëra të bukura në jetën e tij dhe të jetë sinqerisht mirënjohës për to. Gjejini këto gjëra të bukura dhe shkruajini në një listë. Bëjeni këtë ushtrim çdo ditë dhe pas 4-5 ditëve të para, gjërat për të cilat do të jeni mirënjohës do të jenë aq shumë sa nuk do t’ju mjaftojë një fletë për t’i shkruar të gjitha. Do ta keni shumë të lehtë, pasi mirënjohja shërben për ta parë jetën me shumë pozitivitet dhe përmirëson gjendjen shpirtërore.

6.Rrethohuni nga gjëra që ju frymëzojnë

Lexoni tekste motivuese, biografi të njerëzve të mëdhenj të historisë, shikoni fotografi të vendeve të mrekullueshme ku do t’ju pëlqente të udhëtonit, rrethohuni nga foto të pushimeve më të bukura, gjatë të cilave jeni ndier të lumtur, dëgjoni këngë me tekste pozitive dhe frymëzuese, këndoni për pasionin, lirinë, shpresën dhe pozitivitetin. E gjithë kjo do t’ju mbajë lart humorin përgjatë ditës dhe do t’ju mbushë me energji.

7.Takoni njerëz pozitivë

Shoqërohuni me njerëz pozitivë, njerëz që kanë ndërtuar vetë një jetë të lumtur, njerëz të cilët në të gjitha vështirësitë e jetës kanë gjetur kohën për t’u buzëqeshur të tjerëve, njerëz që ia kanë dalë të realizojnë ëndrrat e tyre. Këta persona do t’ju ndihmojnë të përqendroheni në gjithçka pozitive që ofron jeta.

8.Jini të mirësjellshëm

Zhvilloni sa më shumë mirësjelljen. Mundohuni të jeni të sjellshëm me veten, sidomos kur flisni për karakterin dhe personalitetin. Shmangni sjellje të tipit: “duhet ta bëj këtë punë”, por përdorni fjalë dhe folje më të ëmbla dhe të sjellshme si për shembull: “mund ta bëj këtë punë”. Jini të mirësjellshëm edhe me njerëzit që ju rrethojnë, drejtojuni atyre gjithmonë me buzëqeshje, kërkoni gjithmonë leje kur hyni në një dhomë dhe jini gjithmonë në harmoni kur keni të bëni me njerëz që janë po aq të mirësjellshëm me ju.

9.Kultivoni besimin

Kultivoni besim të patundur mbi faktin se në çdo situatë do të gjeni gjithmonë mundësi për rritjen personale apo atë profesionale. Sado e vështirë që mund t’ju duket një situatë që do të hasni përgjatë jetës, kini besim se pikërisht aty do të gjeni farën e një lumturie të re dhe të mundësive të reja për t’u rritur profesionalisht.

10.Buzëqeshni

Sa herë shikoni apo takoni njerëz të tjerë buzëqeshni. Buzëqeshni edhe kur flisni në telefon, edhe kur jeni vetëm. Buzëqeshja është ngjitëse dhe është arma më e çmuar që kemi për të ndryshuar botën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top