Në fokus

April 28, 2020 | 8:08

10 hapa për të gjetur formulën e lumturisë

Kërkimi i lumturisë është një rrugë e gjatë, e bërë nga zgjedhje të mëdha jete, por edhe nga fitore të vogla të përditshme. Shumica e njerëzve, që e kanë kuptuar thelbin e lumturisë, janë ende në kërkim të saj, por gjatë rrugëtimit të jetës kanë mësuar të dallojnë se cilat janë ato gjeste të thjeshta që u kanë ndryshuar menjëherë gjendjen e tyre shpirtërore, duke u dhënë atë ndjesinë e çlirësisë, dëlirësisë, vendosmërisë, euforisë; ndjesi që parapëlqejnë t’i quajnë: lumturi…

CILI ËSHTË SEKRETI I KËSAJ FILOZOFIE?

Sipas guruve, psikoanalistëve dhe filozofëve lumturia është e fshehur pas gjesteve të vogla të përditshme: dielli i mëngjesit, kafja e ngrohtë sapo jeni zgjuar në mëngjes, një telefonatë që nuk e prisni, një buzëqeshje e dhuruar. Për pjesën më të madhe të njerëzve lumturia janë lekët, blerja e shtëpisë, mundësia për të udhëtuar dhe një jetë pa sakrifica. Të jetuarit në mënyrë pozitive, jo pasive, të gjitha ngjarjet e jetës do të thotë të bëheni njerëz më të lirë dhe të lumtur. Lumturia mund të fitohet, por duhet të zgjidhni të jetoni, duke larguar të gjithë elementët pengues që ju largojnë prej saj.

  1. JETONI MOMENTIN

Vlerësoni çdo tingujt, aromat dhe gjërat që shihni, të cilat i merrni si të mirëqena. Kujtojini çdo ditë vetes, në çdo hap që hidhni, ta bëni këtë gjë: të vlerësoni.

  1. BËNI DIÇKA QË JU PËLQEN

Nëse ka ndonjë gjë që ju siguron themelet për një jetë të mirëjetuar, është prania e aktiviteteve që janë të rëndësishme për ne dhe që na ekzaktojnë. Kushtojini kohë aktiviteteve që ju pëlqejnë, të paktën një herë në ditë.

  1. SHOQËROHUNI

Jeta në shoqëri është gjithçka. Një fjalë me fqinjën, një me një njeri të besuar ose dhe një tjetër me kolegen, na vendos në komunikim me një botë ndjenjash, të cilën, vetëm, nuk do të mundemi kurrë ta përjetojmë. Miqtë janë burim mirëqenieje dhe në jetën tonë nuk duhet ta lëmë asnjëherë pas dore këtë marrëdhënie të rëndësishme sociale.

  1. MBANI NJË DITAR LUMTURIE

Shkruani vetëm gjërat e bukura që ju kanë ndodhur gjatë ditës. Një shëtitje e shkurtër, një udhëtim të dielën, një telefonatë me mikeshën e zemrës, një pasdite duke luajtur me fëmijët, një natë pasioni e dashurie… Duke parë fletët e mbushura plot me kujtime të këndshme dhe duke i lexuar, do të kuptoni se sa shumë lumturi ju rrethon.

  1. LUMTURIA ËSHTË BRENDA JUSH

Mos prisni që mirëqenia të vijë nga jashtë apo që t’ju përfshijë totalisht. Ndërtoni ditë pas dite me optimizëm lumturinë tuaj, duke e stimuluar nëpërmjet veprimeve të thjeshta.

  1. SILLNI BUZËQESHJE

Bie shi, jeni në humor jo të mirë që në mëngjes, keni marrë një lajm jo shumë të kënaqshëm, e megjithatë nuk duhet që të përfshiheni nga humori i keq. Shihni rreth e qark dhe reflektoni mbi gjërat e tjera që funksionojnë në jetën tuaj, pa u përfshirë nga emotiviteti, njësoj si të jeni një spektator i jashtëm. Gjithçka do ju duket më pak e vështirë për t’u kapërcyer.

  1. JINI KURIOZË

Zbuloni të panjohurën, misteriozen, të vështirën dhe aspekte të pasigurta të botës sonë, të paktën një herë në ditë.

  1. MOS E EKZAGJERONI ME KRITIKAT NDAJ VETES

Mos jini shumë kërkues me veten. Bëjini vetes komplimenta për atë që bëni çdo ditë, javë, muaj apo vit. Ka disa beteja që mund t’ju bëjnë të ndiheni keq, siç mund të jetë një notë jo e mirë e fëmijës në shkollë, një debat me bashkëshortin. Mos shihni menjëherë çdo gjë zi në jetën tuaj, por veproni duke kërkuar një strategji të re fitimtare.

  1. JETOJENI FAMILJEN SI NJË BURIM MIRËQENIEJE

Krijoni objektiva të përbashkët me partnerin dhe fëmijët. Kjo gjë ju ndihmon që të ndiheni një skuadër dhe të përballoni sfidat e përditshmërisë me optimizëm. Të ndiheni të bashkuar do të thotë të keni mirëkuptim më të madh kundrejt familjarëve, por edhe të kaloni vështirësitë me besim më të madh.

  1. NDRYSHONI SJELLJEN TUAJ MENDORE

Optimistët besojnë se çdo sukses i tyre varet nga aftësitë dhe zotësitë mendore që kanë, ndërsa pesimistët shpesh nuk e konsiderojnë veten se janë në lartësinë e detyrave të tyre, duke menduar se nuk i meritojnë lëvdatat dhe sukseset. Është e rëndësishme të mos përfshiheni nga përditshmëria, nga rruga më pak e mundimshme, nga rutina dhe nga të gjithë faktorët që e shtyjnë jetën drejt rrugëve të gabuara, sepse na heqin kthjelltësinë duke na trishtuar dhe mjegullojnë rrugën drejt objektivit më të rëndësishëm.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top