Përgatiti Klaudia Halahula, BA Psikologji
Sipas të dhënave të marra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në vitin 2019, 1 në çdo 8 njerëz, ose 970 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me një çrregullim mendor, ku më të zakonshmet ishin çrregullimet e ankthit dhe depresionit. 10 tetori është Dita Botërore e Shëndetit Mendor, ndaj në vijim do të gjeni 10 këshilla lidhur me shëndetin mendor.
1.Bëni çdo ditë një listë me gjëra për të cilat jeni falenderues dhe për qëllimet tuaja – Të listuarit të këtyre gjërave, do t’ju bëjë që të jeni njëkohësisht edhe falenderues për ato ç’ka keni aktualisht në jetën tuaj, por edhe më të motivuar dhe ambicioz për të arritur qëllimet tuaja. Kini parasysh që qëllimet tuaja të jenë realiste dhe në përputhje me nevojat tuaja. Në këtë mënyrë edhe mirëqenia juaj psikologjike do të përmirësohet.
2.Flini gjumë mjaftueshëm – Një gjumë i mirë është tepër i rëndësishëm për të përmirësuar shëndetin mendor. The American Academy of Sleep Medicine (AASM) dhe the Sleep Research Society (SRS) rekomandojnë se 7 orë gjumë është ideale për shumë të rritur të shëndetshëm. Për të patur një gjumë sa më të mirë, do të ishte e nevojshme që të fikni edhe pajisjet elektronike. The National Sleep Foundation këshillon që të ndaloni së shikuari televizor, apo të përdorurit telefonin apo kompjuterin, të paktën 30 minuta para kohës së gjumit.
3.Merruni me aktivitet fizik dhe ushqehuni shëndetshëm – Aktiviteti fizik dhe dieta ushqimore e shëndetshme mund të përmirësojnë jo vetëm shëndetin fizik, por edhe atë mendor. Aktiviteti fizik është tepër i nevojshëm për të përmirësuar shëndetin mendor. Ju do të jeni më energjikë, do të pakësojë nivelin e stresit, si dhe do të keni një pikëpamje më optimiste jetën tuaj, si dhe vetëvlerësimi juaj do të jetë më i lartë. Gjithashtu kini parasysh që të keni një dietë ushqimore të pasur në ushqime të shëndetshme dhe të qëndroni të hidratuar.
4.Merrni kohën që ju nevojitet për të pushuar – Nëse po realizoni detyra apo projekte pune ose shkolle, kujtojini vetes që keni nevojë edhe të pushoni. Për të qenë sa më produktiv dhe të suksesshëm, nevojitet që edhe të relaksoheni, duke u ndjerë në këtë mënyrë edhe më të qetë dhe më pak të stresuar. Ju mund të bëni një shëtitje, të shihni një film ose të dilni me miqtë tuaj dhe më pas mund t’ju riktheheni sërish projekteve dhe detyrave tuaja.
5.Flisni me dikë që i besoni – Nëse ka diçka që ju shqetëson, flisni me dikë që i besoni, siç mund të jetë një i afërm, mik apo edhe një profesionist i shëndetit mendor. Të folurit me dikë jo vetëm që mund t’ju mundësojë pikëpamje të reja lidhur me problemin apo shqetësimin tuaj, por mund të pakësojë edhe nivelin e stresit.
6.Kaloni kohë me familjen dhe miqtë tuaj – Të kaluarit kohë me njerëz që janë të rëndësishëm për ju dhe që ju bëjnë të ndiheni mirë, sigurisht që përmirëson shëndetin mendor. Ju mund të kaloni kohë së bashku në shtëpi duke gatuar apo parë një film së bashku, ose mund të organizoni ndonjë udhëtim për të kaluar kohë me njëri-tjetrin.
7.Vendosni kufij të shëndetshëm – Të mësuarit që të vendosni kufij është një hap tepër i rëndësishëm për të patur një mirëqenie të mirë psiko-emocionale. Vendosja e kufijve jo vetëm që ju mundëson që të kuptoni më tepër rreth marrëdhënieve tuaja me njerëzit e tjerë, por ju bën të vlerësoni më tepër disa marrëdhënie të rëndësishme për ju, si dhe mbi të gjitha ju do të arrini të vendosni si prioritet veten tuaj dhe shëndetin tuaj mendor.
8.Afrohuni me natyrën – Sipas Mental Health Foundation, natyra mund të gjenerojë shumë emocione pozitive, të tilla si qetësia, gëzimi dhe kreativiteti, si dhe mund të ndihmojë me përqendrimin. Natyra ka një impakt pozitiv në shëndetin mendor. Gjithashtu natyra ju mundëson që të eksploroni destinacione të ndryshme dhe njëkohësisht të qetësoheni dhe të shmangni mendime negative, ndaj kaloni sa më shumë kohë në natyrë.
9.Bëni punë vullnetare – Të ndihmuarit njerëzit e tjerë, përmirëson shëndetin mendor gjithashtu. Ju do të ndiheni më optimistë dhe më mirë me veten tuaj, nëse ndihmoni individë që kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tuaj. Në një studim (2020) të botuar në Journal of Happiness Studies (2021), rezultoi se njerëzit që bëjnë punë vullnetare janë më të lumtur se ata që nuk bëjnë. Njerëzit që bënin punë vullnetare, raportuan se ishin më të kënaqur me jetën e tyre dhe e vlerësuan shëndetin e tyre të përgjithshëm si më të mirë.
10.Kërkoni ndihmë tek profesionistët e shëndetit mendor – Merrni në konsideratë që të kërkoni ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor. Profesionistët e shëndetit mendor do të jenë të gatshëm që t’ju ndihmojnë lidhur me shqetësimet dhe problematikat që ju po hasni. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë për të përmirësuar në këtë mënyrë shëndetin tuaj mendor.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.